Maqedoni, mbrapa çerdhes 'fetare’ qëndron një shoqatë turke

Maqedoni, mbrapa çerdhes 'fetare’ qëndron një shoqatë turke

13:53, 25/07/2017
A+ Aa A-

Mbrapa çerdhes së fëmijëve “Bleta” që ofron mësime fetare për fëmijët prej moshës 3 vjeçare qëndron një shoqatë humanitare me prejardhje nga Turqia, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë.

Në çerdhen “Bleta” fëmijët edukohen në frymë fetare që nga mosha 3 vjeçare. Në fotot dhe videot e publikuara në Facebook shihen fëmijë teksa i kryejnë ritet fetare.

Gazeta ka zbuluar se në këtë kopsht mund të regjistrohen vetëm fëmijët e prindërve të cilët pajtohen që fëmijët e tyre të edukohen në frymën islame.

Ndërkohë, sot gjatë ditës institucionet e Maqedonisë kanë arritur që të gjejnë këtë çerdhe të improvizuar, që ishte kamufluar nën ombrellën e një shoqate humanitare me prejardhje turke.

“Në Komunën e Çairit u gjet një shtëpi private e adaptuar si hapësirë mësimore me pajisje të nevojshme për këtë qëllim, ku u gjetën 20 fëmijë të moshës 6 deri 11 vjeç dhe dy mësuese”, i ka thënë Gazetës JnK, zëdhënësja e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale në Maqedoni, Zhaklina Veliçkovska.

Ajo ka thënë se kanë gjetur fakte, por edhe kanë marrë konfirmim nga mësueset dhe fëmijët se aty ofrohen mësime fetare.

“Gjatë këtij inspektimi edhe fëmijët, po edhe mësueset e tyre kanë konfirmuar që aty zhvillohet mësim i riteve fetare (lutjeve, gjunjëzimit dhe mësimit nga libra fetarë) nga ora 11:00 deri në orën 16:00, çdo ditë pune”, tha ajo për Gazetën JnK.

Gazeta JnK gjatë ditës së enjte ka arritur të kontaktojë me përfaqësuesen e këtij kopshti përmes numrit zyrtar të postuar në profilin e tyre në Facebook.

Ajo ka treguar edhe për emrin e pronares, që sipas emrit del të jetë shqiptare.

Por, në përgjigjen që Gazeta ka pranuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Punës së Maqedonisë thuhet se kopshti është në pronësi të një shoqate.

“Kur inspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës kërkoi dokumentet e punës së [kësaj shtëpie të adaptuar në shkollë] atij iu tha se dokumentacionin e tërësishëm e ka pronari i Shoqatës Humanitare “Mustafa Pasha”, i cili është shtetas turk”, thuhet në përgjigje e zëdhënës së MPPS të Maqedonisë.

Madje, ky nuk është kopshti i vetëm që ofron mësime të fesë islame në Maqedoni.

“Sipas fjalëve të mësueses, kjo organizatë humanitare kishte edhe objekte tjera të karakterit të njëjtë edukativo-arsimor, por ajo nuk e dinte se ku ndodhen ato objekte”, tha zëdhënësja e MPPS së Maqedonisë.

Përfaqësuesja e kësaj çerdheje, e cila nuk është prezantuar, ka dhënë detaje të tjera për Gazetën Jnk. Në qytetin e Shkupit, komuna Çair në kopshtin “Bleta” mund të regjistrohen fëmija që nga mosha 3 vjeçare për një shumë prej 50 euro për një muaj.

Ajo ka treguar për plan-programin e këtij kopshti.

“Brenda javës kanë edhe mësim-besim. Por edhe orë të fiskulturës e argëtimit. Mësim-besim mbahet ditëve të premte, çdo javë nga ora 10 deri në 12”, tha ajo për Gazetën.

Në video të shpërndara në faqen e këtij kopshti në Facebook, shihen fëmijë (vajza të mbuluara dhe djem të veshur me pelerina të bardha) që sillen rreth një kubi, i cili simbolizon Qabenë.

E pyetur nëse një prind nuk dëshiron ta edukojë fëmijën e tij në frymë fetare, a mund ta dërgojë në atë kopsht, përfaqësuesja tha se “jo nuk mundet kështu, ne jemi kopsht fetar”.

Ndërkohë në fotot dhe videot e publikuara në faqen e këtij kopshti në Facebook, shihet se në gjeneratën e tretë të këtij kopshti, dy edukatoret janë të mbuluara, njëra e mbuluar komplet ku i shihen vetëm sytë (nikab).

“Për sigurinë e fëmijëve kujdesi ndaj të cilëve zhvillohet në kundërshtim me ligjin nga e ashtuquajtura organizatë humanitare, Ministria për Punë dhe Çështje Sociale për atë që pa do t’i informojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Arsimit dhe Shkencës me kërkesë që në kuadër të kompetencave të tyre të shqyrtojnë arsyeshmërinë, karakterin dhe qëllimet e organizatës humanitare”, tha zëdhënësja Veliçkovska.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit në Maqedoni, për të marrë një qëndrim nga ta, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Qytetin e Shkupit, por ata kanë thënë se nuk kanë kompetenca për dhënien e lejeve të punës dhe ndjekjen e aktiviteteve në kopshtet e fëmijëve, ngase komunat e këtij qyteti kanë kompetenca autonome.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco