Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Nëna pejane që varrosi katër djemtë e vrarë

Nëna pejane që varrosi katër djemtë e vrarë

10:24, 25/07/2017
A+ Aa A-

Familjes Berisha nga Kosuriqi i Pejës nuk iu ndanë vrasjet gjatë tri dekadave me radhë. Në vitet e ’90-a Shake Berishës i ishte vrarë bashkëshorti. Para 11 vjetësh asaj i ishin vrarë edhe dy djemtë e saj të mëdhenj. Kurse para disa ditësh ajo varrosi edhe dy djemtë e saj të vetëm, duke ia mbyllur derën familjes

Dy gra janë të vetmet anëtare të familjes Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës, që presin për ngushëllime farefisin që hyn e del në shtëpinë e tyre, pas vrasjes së dy djemve të kësaj familjeje tri ditë më parë. Katër vëllezër të familjes Berisha janë vrarë brenda 11 vjetësh. Derisa nëna e mbetur pa asnjë fëmijë, Shake Berisha, po vuante afrimin e datës kur dy djemtë e saj të parë në gusht do t’i mbushin 11 vjet prej se janë vrarë, në këtë fshat, në një pritë, asaj iu vranë të premten në mbrëmje edhe dy djemtë e tjerë, Arsim Berisha, që ishte 32 vjeç, ndërsa vëllai i tij Ramizi, 27 vjeç.

Edhe kryefamiljari mësohet se ishte vrarë në vitet ’90-a. E humbur në mërzinë e saj, ajo prapë gjen fjalët për ta shprehur dhembjen, duke rrëfyer ditët e kobshme kur humbi djemtë e saj, por edhe mllefin ndaj organeve të shtetit, që sipas saj nuk po tregohen efikase në zbardhjen e vrasjeve të fëmijëve të saj.

Në një rrëfim për “Zërin”, ajo thotë se sikur të përfillej ligji nuk do t’i humbte katër djem. “Do të shkoj gjykatë më gjykatë në Kosovë e në Evropë dhe drejtësinë e fundit do ta kërkoj për fëmijët e mi që m’i fikën dorasit, vrasësit, pa hak e pa hile, as djemtë e parë nuk më kanë pasur hak, as hile dhe as të fundit. Derisa Zoti të ma marr shpirtin nuk do ndalem së kërkuari drejtësi”, thotë ajo.

Përcolli djemtë në mal për dru, iu kthyen të vdekur

Si çdo nënë thotë se përcolli djemtë e saj që shkuan në mal për dru. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe ajo mori lajmin se ata kanë rënë në një pritë në malin ku shkuan për dru. Për këtë tregon se u njoftua nga njëri prej shokëve që ishte me djemtë e që dyshon se mban përgjegjësi në gjithë këtë tragjedi. “Si kanë zbritur në tokë nga qerrja me kali i kanë gjuajtur. Dy djemtë e mi janë vrarë aty kurse shoku i tyre, Jetlir Gashi, që ishte me ta, erdhi dhe na tregoi se kanë rënë në pritë”.

Pas këtij momenti ajo thotë se nuk u durua dhe shkoi edhe vetë të shikonte në vendin e ngjarjes, ku pa vetëm gjurmë gjaku, por jo dhe trupat e të bijve, që më pas do të gjendshin në një vend më larg nga pjesëtarët e Policisë. “Kanë ardhur Policia dhe i kanë gjetur. Po të duan ta zbardhin rastin, munden Policia, gjurmët kanë qenë, fakte aty ka...që të zbulohet ky krim”.

Shake Berisha thotë se është mbështetur tek Zoti dhe jo tek shteti. Sipas saj, shtet nuk ka. “Për djemtë e mi luftëtarë të tri luftërave nuk ka pasur shtet”, thotë nënë Shakja. Dy djemtë e saj të vrarë njëmbëdhjetë vjet më parë kishin qenë pjesë e UÇK-së. Ajo mohon që bijtë e saj të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje me dikë.

Dy djemtë e mëdhenj ajo thotë se iu vranë në një pritë dhe thotë se kjo histori tragjike tash iu përsërit me dy djemtë e tjerë.

“Dy djem m’u vranë në moshë të martesës, nuk më lanë pasardhës”, thotë ajo. Vetëm njëri nga bijtë e saj të martuar, që u vra të premten, ka lënë nusen pas shtatë muajsh martese.

Ajo akuzon shtetin se nuk po zbardh si duhet drejtësinë. Shprehet e pakënaqur me dënimin që kanë marrë të dënuarit e dy djemve të parë. Sipas saj, nuk iu nda dënimi i merituar. Kurse edhe tani thotë se po të donë shteti, do ta zbardhë dhe vrasjen e dy djemve që ka varrosur një ditë më parë.

 “Kam mbetur nënë me duar në gji. Kur nuk t’i falë Zoti (fëmijët) nuk ke çka thua, por me t’i falë dhe me mbet me duar në gji, vrasësit me ta fikë hisen as s’ka shtet, as s’ka asgjë”, thotë ajo për gazetën.

Familja u kërkon organeve të drejtësisë ta zbardhin rastin

Nëna Shake thotë se nuk ka dhënë deklaratë në Polici. Nga kjo familje bëhet e ditur se ka dhënë deklaratë vetëm djali i axhës së të vrarëve.

Familja thonë se nuk janë informuar as që mbahet gjykimi të hënën. “As te dera lokes s’më ka ardhur askush. Asnjë thirrje nuk ma ka dërguar kush, hajde ta bëjmë një pyetje”, thotë ajo derisa kërkon nga shteti që gjithçka të veprojë në këtë rast dhe t’i gjejë dorasit.

“Për pesë euro kam me shitë një ari tokë e mal, e gjithçka çfarë kam dhe kam me shku deri në gjykatën e fundit... ”, thotë nënë Shakja.

Muhamet Bardheci, daja i të vrarëve, thotë se askush s’e ka marrë në deklaratë nënën e fëmijëve e as gruan e të ndjerit.

“Kështu nuk ka ndodhur herën e parë kur janë vrarë dy djemtë e parë...”. Ai thotë se deklaratë ka dhënë vetëm një djalë i axhës së të vrarëve dhe jo nëna apo nusja. Por, sipas tij, personi që po mbahet në burg, që ishte me ta në mal kur ndodhi vrasja, ka përgjegjësi të flasë rreth ngjarjes. “Atij që është në burg këta s’i kanë pasur borxh, por ky u ka këtyre të dëshmojë, të flasë, mos të heshtë”, thotë Bardheci për “Zërin”, sipas të cilit, ai do të mbetet i dyshuar nga familja derisa nuk flet.

Ndërkaq të hënën tre anëtarë të familjes Panxha, të cilët janë arrestuar lidhur me vrasjen e dy vëllezërve, janë paraqitur në Gjykatën e Pejës. Seanca për paraburgim është mbajtur  në orët e paradites në këtë Gjykatë. Anëtarët e familjes Panxha ishin bashkëfshatarë të viktimave, të cilët po vazhdojnë të mbahen nën arrest. Ndonëse familja Panxha ka mohuar çdo mundësi që djemtë e saj të kenë gisht në këtë ngjarje dhe ka kërkuar të marrë pjesë edhe në varrimin e të vrarëve të dielën. Bardheci thotë se kjo familje ka kërkuar përmes Hoxhës leje që të jenë prezentë në varrim. Tre të dyshuarit Panxha për vrasjen e vëllezërve Berisha nuk kanë folur fare në Gjykatë, përveç fjalës së avokatëve të tyre.

Për të tre të dyshuarit është kërkuar paraburgim, duke e mbështetur këtë kërkesë në rrezikun se të pandehurit mund të arratisen dhe të njëjtit mund t’i koordinojnë deklaratat e tyre në liri dhe njëkohësisht të ndikojnë tek dëshmitari Jetlir Gashi.

Hetimet për vrasjen e vëllezërve Berisha kanë nisur të dielën, një ditë pas vrasjes së tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco