Myftiu i Kosovës, Tërnava: Të ruajmë porosinë hyjnore nga çdokush që tenton ta devijojë

Myftiu i Kosovës, Tërnava: Të ruajmë porosinë hyjnore nga çdokush që tenton ta devijojë

08:31, 25/06/2017
A+ Aa A-

Besimtarët myslimanë në Kosovë po kremtojnë festën e Fitër Bajramit.

Shënimi i kësaj feste ka nisur sot në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Festa e Fitër Bajramit ka pasuar muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit, sipas besimit islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Mesazhin kryesor për festën e Fitër Bajramit e ka adresuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Duke u uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajraimit, ai ka bërë thirrje për paqe dhe tolerancë, mirësisë e dashuri ndërmjet njerëzve.

“Në këtë ditë feste e krenarie që rikujton edhe shëmbëlltyrën e njeriut më të dashur të Zotit, shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s, i cili botës i solli paqe, lumturi dhe harmoni duke reflektuar në vazhdimësi ndjenjën e vëllazërisë dhe barazisë mes njerëzve, emri i të cilit është sinonim i paqes, i dritës, udhëzimit, harmonisë dhe arsimit”.

“Nisur nga kjo kërkoj nga ju që të largoheni nga çdo punë e ligë dhe të shtrini dorën e pajtimit, ta ndihmoni njëri-tjetrin të përkujdesen për të varfërit e për jetimët”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar se ka një rrugë të vetme dhe ajo është rruga e paqes, harmonisë dhe respektit ndërmjet njerëzve.

Myftiu Tërnava në mesazhin e tij ka bërë thirrje që të ngrihet zëri dhe të ruhet islami i pastër dhe të mos devijohen parimet e tij.

“Dashakeqët e njerëzit e shitur duke përdorur strategji prej më të ndryshmëve arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në emër të fesë së pastër islame mbollën paqartësi e urrejtje mes besimtarëve duke shtrembëruara dhe keqinterpretuar parimet e pastra e të drejta islame me teza jo reale. Për ta ruajtur porosinë hyjnore dhe mësimet e Muhamedit a.s nga çdokush që tenton t'i devijojë ato, duhet ta ngremë zërin dhe të themi që islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i vishet islamit”.

Tërnava një mesazh të veçantë ka adresuar edhe për liderët politikë të Kosovës. Ai ka kërkuar nga ata që të lënë anash interesat dhe të punojnë në të mirë të vendit.

“Të punojmë bashkë dhe pa hile në çuarjen përpara të proceseve në të mirë të vendit të atdheut tonë. Në këtë ditë feste, apelojmë me urtësinë e zemrës te të gjithë faktorët politikë që të lënë anash interesat partiake personale e grupore e të angazhohen në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit dhe popullit, sepse para vetit kemi shumë sfida”, thekson Tërnava.

Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët mysliman në Kosovë i kanë uruar edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike të Kosovës./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco