Agjenti i Putinit në Ballkan Putin me Patrushev, i cili i është bashkuar KGB-së në 1974

Agjenti i Putinit në Ballkan

14:58, 21/06/2017
A+ Aa A-

Përfshirja e Nikolai Patrushevit, ish-agjent dhe njeri besnik i Putinit, sinjalizon qasjen më të ashpër ruse kundrejt rajonit të Ballkanit.

Nga Howard Amos, «Politico» 

Nëse duhet t’u besohet paraqitjeve publike, atëherë Vladimir Putini tashmë e ka njeriun e vet në Ballkan. Nikolai Patrushev, njeri i besueshëm i Kremlinit, oficer karriere i inteligjencës dhe besnik i palëkundur ndaj presidentit rus, është shef i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Ai është i njohur për nacionalizmin e zëshëm dhe për pikëpamjet konspirative dhe si njeri me bagazh të pasur në botën e spiunazhit. Dhe detyra jozyrtare për Ballkanin do t’i shkonte fort për shtati Patrushevit.

Përderisa politika e jashtme ruse bie mbi shpatullat e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, vendimmarrja aktuale po shpie drejt oficerëve të spiunazhit dhe të mbrojtjes që janë njerëz të afërt me Putinin.

«Rusia po bëhet përherë e më shumë një ad-hokraci, ku njerëzit ngarkohen me detyra që mund t’u shkojnë apo jo për shtati në aspektin formal», ka deklaruar Mark Galeotti, ekspert i shërbimeve ruse të sigurisë dhe hulumtues në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Pragë.

Përfshirja e ish-spiunit sinjalizon qasje më të sertë ruse ndaj rajonit të Balllkanit. «Patrushev përfundimisht është një prej atyre njerëzve që mendojnë se Rusia është në luftë qenësore për mbijetesë», ka deklaruar Galeotti. «Është një luftë e ftohtë. Vizion manikeist i botës (sipas profetit persian Mani, vër. e red.). Dhe kjo parasheh se çdo sprapsje e Perëndimit shkon në të mirë të Rusisë». Patrushevi i është bashkuar KGB-së më 1974 dhe besohet se për herë të parë është takuar me Putinin – gjithashtu ish-spiun – në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Pas dhjetë vitesh në krye të FSB-së, agjencisë së inteligjencës së brendshme që pasoi KGB-në, u zhvendos më 2008 në Këshillin e Sigurisë, mekanizëm i fuqishëm me zyrtarë të lartë të emëruar prej Putinit. Me shumicën e kohës së karrierës së kaluar në hije, Patrushevi nuk njihet fort në opinionin publik për përfshirje në politika të jashtme. Por ai njihet si një prej anëtarëve të grupit të vogël të këshilltarëve të afërt me Putinin, të përfshirë në aneksimin e rajonit ukrainas, Krime, më 2014. Shërbimet ruse të sigurisë po kanë përherë e më shumë ndikim në politikën e jashtme ruse, ka bërë të ditur Andrej Kortunov, drejtor i Këshillit Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, grup i pavarur mendimi që këshillon Kremlinin. Gjatë një deklarate publike, Patrushevi ka dalë me pretendimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë fort për shpartallimin e shtetit rus «me qëllim që të kenë qasje në burimet pasur që ata mendojnë se rusët i kontrollojnë padrjetësisht».

Ai ka kritikuar edhe atë që e konsideron sjellje përherë e më agresive nga ana e NATO-s, ka pretenduar se politika e jashtme e Bashkimit Europian diktohet nga Shtetet e Bashkuara dhe ka paralajmëruar kundër ngritjes së nazizmit në Europën Lindore.

Qëndrimi i ri jozyrtar i Patrushevit dominon në strategjinë ruse karshi Ballkanit në kohën kur janë dobësuar raportet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Rusia është zemëruar shumë për shkak të anëtarësimit në fillim të muajit të Malit të Zi në NATO.

Vendi i vogël në brigjet e Adriatikut ka akuzuar më parë oficerët rusë të inteligjencës se kishin gisht në përpjekjen për grusht shteti në këtë vend vitin e kaluar. Puçi kishte për qëllim rrëzimin e qeverisë dhe bllokimin e procesit të anëtarësimit në NATO.

Në kulmin e akuzave për përfshirje të rusëve në puçin e dështuar, Patrushevi u turr drejt Serbisë për t’u takuar me krerët më të lartë të qeverisë dhe të sigurisë në atë që u konsiderua si mision për ta mbuluar të zezën.

Mediat raportuan se Beogradi kishte ekstraduar shumë shtetas rusë të akuzuar për orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti në Malin e Zi. Zyrtarët në Moskë i kanë hedhur poshtë akuzat dhe dyshimet për udhëtimin e Patrushevit, por me kalimin e kohës roli i tij po vjen duke u rritur. Patrushevi u takua muajin e kaluar me ministrin serb të Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviqin, gjatë vizitës së tij në Moskë për bisedime lidhur me çështje të krimit të organizuar në internet. «Vjet është bërë e qartë se Patrushevi është dhënë tërësisht pas Ballkanit», ka deklaruar Galeotti.

    «Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ose do të jetë Ballkani». Patrushevi nuk ka lidhje profesionale me Ballkanin, por e ka emëruar Leonid Reshetnikovin, ekspert kundërthënës për Ballkan dhe njeri që njihet me qasjen e ashpër si ish-zyrtar i inteligjencës së Këshilit rus të Sigurisë.

    Vjet në prag të puçit në Malin e Zi, Reshetnikovi deklaroi se «është koha (që Rusia) të rikthehej në Ballkan». Profili në ngritje i angazhimit të Patrushevit në Ballkan përkon me aktiviteti rus në rritje në rajon.

    Dy shtetas rusë, Eduard Sismakov dhe Vladimir Popov, u akuzuan në mungesë në fillim të muajit prej një gjykate malazeze për përpjekjen për grusht shteti mbi kushtetutën malazeze. Prokurori malazez beson se dy të akuzuarit janë oficerë të inteligjencës ruse. Mediat ruse kanë raportuar se Sismakov kishte punuar si atashe ushtarak rus në ambasadën ruse në Poloni para se të dëbohej më 2014 pas akuzave për spiunazh. Dokumentet e publikuara vjet sugjerojnë se kishte përpjekje të spiunëve dhe diplomatëve rusë edhe në Maqedoni për të ndikuar në rrjedhat politike. Maqedonia është shtet fqinj i Serbisë, ku rusët po mundohen të përkrhain grupet pro-ruse. Rusia do të mund të merrte «masa serioze» si kundërpërgjigje ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s në Ballkan, ka bërë të ditur Jelena Guskova, profesoreshë në Institutin e Studimeve Sllave në Moskë.

    «Duke gjykuar prej rastit të Malit të Zi, mund të bëhen shumë lëvizje të ndryshme», ka deklaruar ajo, duke iu referuar vendimit të Kremlinit për t’i këputur raportet ekonomike dhe thirrjes që pushuesit rusë të mos e vizitojnë vendin, i cili ka nevojë të jashtëzakonshme për të hyra nga turizmi. Patrushevi ka deklaruar në fillim të vitit se NATO-ja po mundohet ta bindë edhe Bosnjë-Hercegovinën, si dhe Maqedoninë, që t’i bashkohen bllokut të sigurisë. Rusia pritet të përqendrojë përpjekjet e veta në prishjen e aleancave të Perënidmit në brigjet e Ballkanit, shkruan dialogplus.

    Por Rusia do të punojë fort për ruajtjen e raporteve sidomos me Serbinë, me të cilën Rusia ka raporte të fuqishme historikisht. Dy shtete kanë rrënjë sllave dhe janë shtete me shumicë ortodokse. «Rusia do të përzihet në shtetet e Gadishullit të Ballkanit që kanë konfirmuar zotimin e tyre për t’iu bashkuar NATO-s», thekson Kortunov.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco