Amerika first, Montenegro second! Donald Trump dhe Dushko Markovic në të djathtë

Amerika first, Montenegro second!

11:49, 26/05/2017
A+ Aa A-

Si në oborr të shkollës apo në diskotekë me tinejxherë: Në selinë e re të NATO-s Donald Trump e shtyu nga rendi i parë kryeministrin e Malit të Zi. Historia, ndërkaq, tregon se Mali i Zi përherë ka luajtur në ligën e parë të politikës botërore. Shpesh me anekdota - për shembull duke gjuajtur peshq me pushkë. 

Nga Enver Robelli

Anekdotat mbi dembelinë e malazezëve janë legjendare. Çdokush në Ballkan është në gjendje të tregojë së paku një nga arsenali i pafundmë. Në verën e vitit 1913 reporteri i famshëm gjerman Egon Erwin Kisch udhëtoi në këmbë nga Cetinja në Rijekë. Ende në territorin e Malit të Zi, ai befas dëgjoi të shtëna nga një luginë. Pyeti veten nëse tashmë kishte shpërthyer lufta ballkanike, por shoqëruesi i tij e qetësoi: të rinjtë malazezë, tha ai, kanë rrokur pushkët e tyre ruse dhe po gjuajnë peshq të vegjël në përrenjtë e rrëmbyeshëm të maleve. Mesazhi i këtij rrëfimi: burri malazez nuk e zë peshkun me grep, por me pushkë. Malazezi i vërtetë e merr jetën me nge. Ai e do shtratin siç e do veten, në mos më shumë. Ai pushon ditën, që të jetë i çlodhur për të pushuar edhe natën. Punën që mund ta kryejë sot, ai përherë e lë për nesër. Përkundër dembelisë mitike Mali i Zi përherë ka pasur ambicie të luajë në ligën e parë të politikës botërore.

Kral Nikolla i Malit të Zi u quajt «vjehrri i Europës», sepse me shkathtësi arriti t’i martojë vajzat e tij në shtëpitë më të rëndësishme mbretërore të Europës. Mbreti Petar Karagjorgjeviq ishte dhëndri i tij (ndonëse gruaja e tij malazeze kishte vdekur kur Petri u kurorëzua Mbret). Elena, një vajzë tjetër e Nikollës, u martua me Victor Emmanuelin e III të Italisë, i cili qe Mbret nga viti 1900. Dy vajza të tjera të Nikollës u martuan me princër rusë në Shën Petërburg, ku patën ndikim të madh në jetën shoqërore dhe politike. Për të demonstruar solidaritet dhe vëllazëri me Rusinë, Kral Nikolla i Malit të Zi më 1904 i shpalli luftë Japonisë.

Kjo çfarë i bëri vaki kryeministrit malazez në Bruksel me Donald Trumpin tregon se Mali i Zi, përkundër faktit se është shtet me territor të vogël, nuk mund të injorohet. Trumpi e shtyu shefin e qeverisë malazeze për të treguar se Amerika është e para, e Mali i Zi menjëherë aty pas saj.

America first, Montenegro second. Gjesti i Trumpit ishte pak i vrazhdë, ai e shtyu politikanin malazez si në oborr të shkollës apo në diskotekë me tinejxherë, por çka të pritet prej një president, i cili në librin e vizitorëve në Muzeun e viktimave të Holocaustit në Jerusalem shkruan «amazing», një fjalë që mund të përdoret për përshkrimin e një fushe të golºt dhe asesi për të përshkruar krimin më të madh kundër njerëzimit. Shtyrja e Dushko Markoviqit, kështu e ka emrin e kryeministri i Malit të Zi, tregon se vendi i tij është një lloj superfuqie.

Kryesisht me anekdota. Të cilat i tregojnë të tjerët për Malin e Zi, një vend ku të rinjtë gjuajnë peshq me pushkë ose gjeneralët i shpallin luftë Kinës. Në Pekin takohet me urgjencë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kinës. Pas shumë përpjekjesh gjenealët kinezë e gjejnë Malin e Zi në hartë dhe urdhërojnë që kundër armatës së këtij vendi me 600 mijë banorë të luftojë një batalion nga provinca më e largët kineze. Njëkohësisht në Shtabin e Përgjithshëm në Podgoricë gjeneralët malazezë diskutojnë për strategjinë luftarake kundër Kinës. Njëri gjeneral, ai më trupgjati, pyet: «Sa banorë i ka Kina?» «Një miliard», thotë njëri. «Më shumë se një miliard», thotë tjetri.

Një adjutant shton: «Jo, jo, 12, miliardë». «Ku në dreq do t’i varrosim gjithë këta kinezë», ndërhyn shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Malazeze

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

arvaniti26/05/2017 15:21

duhet te ken afersi gjenetike me labet malazezet

Shto koment

Denonco