Rrahën deputetët, dënohen me kusht huliganët maqedonas

Rrahën deputetët, dënohen me kusht huliganët maqedonas

14:30, 23/05/2017
A+ Aa A-

Gjykata Themelore në Shkup, të martën, i ka dënuar me kusht nëntë të akuzuarit, të cilët ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, me ç’rast qenë lënduar deputetët dhe kryetarët e dy partive politike që përbëjnë shumicën parlamentare, por edhe disa gazetarë.

Që të gjithë të akuzuarit, paraprakisht para Gjykatës kanë pranuar fajin. Vetëm të akuzuarit të parë, Dimçe Hristovskit i është shqiptuar masa me kusht në kohëzgjatje prej një vit e gjysmë, raporton REL.

Kurse për tetë personat e tjerë, dënimi me kusht u është shqiptuar në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, para trupit gjykues deklaruan se derisa kanë qëndruar para Kuvendit, turma i ka shtyrë ata drejt dyerve të këtij institucioni, por siç kanë deklaruar ata, sikur ta kishin ditur se situata do të përshkallëzohej, asnjëherë nuk do të ishin futur brenda institucionit ligjvënës.

Pasi kanë dalë nga Gjykata, të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, nga përkrahësit e tyre janë pritur me duartrokitje duke i trajtuar si heronj.

Më 27 prill, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit, kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, një grup protestuesish ishte futur me forcë në institucionin ligjvënës, me ç’rast ushtruan dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve./koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco