Dhjetra reagime pas sulmit të dhunshëm ndaj Arbana Xharrës

Dhjetra reagime pas sulmit të dhunshëm ndaj Arbana Xharrës

09:16, 13/05/2017
A+ Aa A-

Ish-gazetarja, Arbana Xharra, e cila ditë më parë iu bashkua partisë të cilën e kritikoi më së shumti, PDK-së, është rrahur mbrëmë brutalisht nga persona ende të panjohur.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, ndërsa në spital u dërgua nga anëtarët e partisë së saj.

Këtë rast e kanë dënuar shumë qytetarë të thjeshtë e njerëz të politikës. Enver Hoxhaj, ministri në largim i Punëve të Jashtme, është ndierë thellësisht i tronditur nga “sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës. Po ashtu, shërim të shpejtë dhe kapje të kriminelëve i ka uruar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“E kam thënë edhe kur u sulmuan Dardani dhe Agroni se ata që sulmojnë prapa krahëve dhe në errësirë janë as më shumë dhe as më pak kriminel por mbi të gjitha frikacakë e qyqarë. Metodat e tilla, tashmë janë të njohura për ne! Moszbardhja e kërcënimeve dhe sulmit ndaj aktivisteve tanë, i ka inkurajuar sulmuesit e kriminelet, që për bindjen time janë nga e njëjta adresë, sepse janë metoda SHIK-iste! Uroj që kriminelët të identifikohen sa më parë dhe të dalin para drejtësisë! Arbanës, shërim të shpejt”, ka shkruar ajo.

Edhe ministri tjetër në largim, ai i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës, “edhe pse pa i pasur informacionet e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike”.

“Liria e mendimit, shprehjes dhe e përcaktimit politik janë themelet e një shoqërie të lirë, vlera pa të cilat nuk mund të ndërtojmë demokracinë. Është obligim i gjithë nesh që t'i mbrojmë këto vlera, sepse nëse bëhemi opurtunistë, shumë lehtë mund të jemi viktima e radhës e intolerancës. Shpeshherë mund të mos na pëlqejnë mendimet e të tjerëve dhe shprehja e tyre publike, por përveç tolerancës, debatit publik apo edhe të padisë civile kur konsiderojmë se liria e shprehjes është keqpërdorur për të shpifur, rrugët e tjera na dërgojnë në anarki të dhunshme ose totalitarizëm. Sulmi i sotëm ndaj Arbanës, edhe pse pa i pasur informatat e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike. Të gjithë duhet të solidarizohemi me të pa marrë parasysh a pajtohemi me atë që tha publikisht pardje apo atë që veproi politikisht dje. Të gjithë duhet ta shohim veten në sy sesa po i kontribuojmë këtij ambienti linçues. Në fund, organet e sigurisë dhe ato të zbatimit të ligjit duhet të jenë të pakompromis ndaj gjithë atyre që kërcënojnë sigurinë e jetës së njeriut për shkak të mendimit politik dhe shprehjes së lirë”, ka shkruar Murati.

Analisti dhe opinionisti i rregullt i “Kohës Ditore”, Halil Matoshi, ka thënë se sulmi mbi Arbanën është sulm mbi themelet e lirisë së Kosovës.

“I pajetueshëm është ai vend ku sulmohen e rrihen lajmësit (gazetarët) dhe akecili qytetar. I shkretë është një komb që ngrihet n'mëngjes me lajme të tilla. I lig është ai njeri dhe ajo mendje kriminale që ngre dore mbi një grua e nënën! Republika ka me u rezistue barbarëve dhe ka me i mund ata. Jam i sigurt”, ka komentuar Matshoi.

Reagim ndaj këtij sulmi ka pasur edhe nga ish-deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku, e cila ditë më parë lajmëroi se do të tërhiqet nga politika aktive.

Ajo thotë se për shkak të rastit të Arbanës “nuk duhet pushuar së kërkuari drejtësi e sundim të ligjit sepse në një vend ku behet “normale” me vra, me rreh e me kërcënuar, e ku askush kurrë nuk dënohet ose kur dënohet nuk e merr dënimin e merituar, kriminelët marrin krahë dhe fuqizohen”. “Amnistinë ua jep edhe heshtja jone kolektive”, thotë Demaku.

“Arbana e kaloftë shpejtë këtë përjetim të tmerrshëm dhe qoftë viktima e fundit. Kushdo që e sulmoi e marrtë dënimin e merituar”, u shpreh ish-deputetja Demaku.Koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco