Tremijë përkrahës të Vuçiçit ndalohen të hyjnë për fushatë në Kosovë

Tremijë përkrahës të Vuçiçit ndalohen të hyjnë për fushatë në Kosovë

11:58, 29/03/2017
A+ Aa A-

Mëngjesi i sotëm zbardhi me bllokime rrugësh nëpër shumë magjistrale e rrugë tjera të Kosovës. Dhjetëra qytetarë ishin mbledhur në magjistralen Gjilan – Prishtinë, po ashtu edhe në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, por edhe në Rahovec, tek rruga që të çon për në Hoçë të Madhe.

Ata po kundërshtonin ardhjen e një delegacioni serb i cili kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në një tubim elektoral në Leposaviq.

Mediat në serbi thonë se më shumë se 60 autobusë me serbë të cilët ishin nisur për në këtë tubim, e të cilët do të përkrahnin kandidatin presidencial të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ndaluar në shumë vende.

“Blic” thotë se ishin rreth 3 mijë serbë që nuk u lejuan të kalojnë përmes Leposaviqit.

Sipas mediave serbe, rrugët ishin të bllokuara në afërsi të Novobërdës, Hoçës së Madhe, Shtërpcës dhe Gorazhdecit. Gjithashtu, sipas “Blicit”; janë bllokuar edhe rrugës Prishtinë – Vushtrri, Ferizaj – Shtërpcë, Gjilan – Prishtinë e Pejë – Prishtinë.

Në Leposaviq është paraparë mbajtja e një tubimi elektoral të Partisë Përparimtare Serbe në të cilën është pritur të flas nënkryetari i partisë, Marko Gjuriq dhe anëtarë të presidencës serbe, Nikola Selakoviq dhe Bratislav Gashiq.

Ndërkaq, agjencia serbe e lajmeve “Srna”, ka raportuar se pjesëtarë të “Lëvizjes radikale Vetëvendosje kanë sulmuar me gurë” karvanin e autobusëve me serbë në fshatin Llabjan (magjistrala Prishtinë – Gjilan) që ishin nisur për në tubimin e SNS-së në Leposaviq.

“Karvani është ndalur pasi radikalët shqiptarë kishin bllokuar rrugën”, ka thënë për agjencinë “Srna” kryetari i Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.

Ai ka shtuar se Policia ka intervenuar dhe ka këshilluar organizatorët e karvanit që të shmangin rrugën Gjilan – Ferizaj – Prishtinë – Leposaviq.

Në këtë miting  të paralajmëruar për në orën 13:00, është paraparë që të marrë pjesë edhe kandidati për president të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por i njëjti anuloi vizitën e tij me pretekstin se “nuk i pranon kushtëzimet e Prishtinës”./Express

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco