Lajmi i fundit

LIVE/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë për të zgjedhur kryetarin e komanduar

13 familje serbe kthehen në Kosovë: 'Fqinjët shqiptarë na uruan dhe na ftuan për kafe'

13 familje serbe kthehen në Kosovë: 'Fqinjët shqiptarë na uruan dhe na ftuan për kafe'

10:52, 28/03/2017
A+ Aa A-

Trembëdhjetë familje serbe, të cilat që nga paslufta kanë jetuar në Kragujevc të Serbisë, janë kthyer të dielën në fshatin e tyre në Lubozhdë të Istogut. Familjet serbe i ka shoqëruar ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Dalibor Jevtiq, i cili një javë më përpara kishte shkuar në Kragujevc dhe kishte biseduar me këto familje për mundësinë e kthimit në fshatin e tyre. 

Jevtiq ka falënderuar Komunën e Istogut për mbështetjen rreth kthimit të serbëve, si dhe për gatishmërinë që t’i zgjidhë procedurat burokratike për kthimin e serbëve. Por për kthimin e serbëve në Lubozhdë Komuna e Istogut nuk di asgjë, madje Ministria përkatëse nuk i ka njoftuar fare autoritetet komunale për kthimin e serbëve në këtë fshat.

“Komuna e Istogut është pjesë e projektit tonë ‘RR4’ dhe në pajtim me të, përveç  shtëpive të serbëve që do t’i rindërtojmë do t’u mundësojnë serbëve që përmes granteve të marrin edhe ndihmë për fillimin e jetës në fshat dhe për të punuar diçka. Kthimin e serbëve në Lubozhdë e kemi biseduar dhe e kemi bërë në marrëveshje me banorët e fshatit. Ata janë vendosur në një shtëpi të një banori, Çedomir Simiq, e cila kishte shërbyer përpara si shkollë, të cilin do ta adaptojmë derisa të rindërtohen shtëpitë e serbëve. Kam urdhëruar që menjëherë të fillohet me rregullimin e dokumenteve për të filluar me rindërtimin e shtëpive për 13 familje serbe të Lubozhdës. Ne jemi të interesuar që të gjitha 13 familjet sa më shpejt të hyjnë në shtëpitë e tyre të rindërtuara”, ka thënë Jevtiq, i cili u ka bërë apel edhe familjeve të tjera serbe që të kthehen.

Edhe serbët e kthyer janë shprehur të lumtur për kthimin në fshatin e tyre. Zharko Zhariq ka thënë se edhe nga fqinjët shqiptarë ka marrë urime për kthimin. “Disa nga fqinjët shqiptarë edhe na kanë ftuar në kafe, për këtë arsye ne nuk frikohemi, besoj se gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë Zhariq.

Por kthimi i 13-të familjeve serbe në Lubozhdë të Istogut është bërë pa dijeninë dhe pa u njoftuar Komuna e Istogut. Jeta Balaj, zëdhënëse e Komunës së Istogut, i ka thënë “Zërit” “se nuk ka asgjë të re rreth kthimit të serbëve në Lubozhdë”. “Jo nuk ka asgjë të re në atë drejtim”, ka thënë Balaj. Ndërkaq, në konstatimin se 13 familje serbe janë kthyer të dielën në këtë fshat, të shoqëruar nga ministri Jevtiq, Balaj tha se do të përpiqet të marrë vesh për këtë rast nga zyrtarët komunalë e më pas tha se “Komuna është njoftuar që janë kthyer, mirëpo nuk ka qenë e pranishme dhe se me të gjitha punët është marrë MKK-ja”.

Ndryshe zëdhënësja e Komunës së Istogut, Jeta Balaj, i ka thënë para një jave “Zërit” se vetëm një serb i këtij fshati ishte përfshirë në projektin “RR4”, por ai ishte tërhequr.

“Në Lubozhdë aktualisht nuk ka serbë. Një serb i këtij fshati ka qenë i përfshirë në projektin ‘RR4’ për kthim të të zhvendosurve në komunën e Istogut, por ai ka hequr dorë. Projekti ‘RR4’ financohet nga BE-ja dhe nga Ministria për Kthim dhe Komunitete e Republikës së Kosovës”, pati thënë Balaj.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco