Raporti i parë i Guterres për Kosovën përmend ndalimin e Haradinajt në Francë

Raporti i parë i Guterres për Kosovën përmend ndalimin e Haradinajt në Francë

07:13, 26/02/2017
A+ Aa A-

Angazhimi i Prishtinës dhe i Beogradit në avancimin e dialogut është i dobët, ndërkaq humbja e momentumit rrit rrezikun që procesi i normalizimit të bllokohet.

Ky është rezultati i raportit të parë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antioni Guterres, për Kosovën, ndërsa u ka bërë thirrje liderëve të të dyja vendeve që të përmbahen nga retorika nxitëse.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë këtë raport të hënën, më 27 shkurt.

Raporti, i cili përfshin periudhën kohore 16 tetor deri më 15 janar, thekson po ashtu se gjatë kësaj periudhe, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur “në nivele brengosëse, gjë që është dëshmuar me retorikat e nxehta dhe akuzat në lidhje me çështjet dhe ngjarjet kontestuese”, transmeton Koha.net.

Sipas raportit të publikuar në ueb-faqen e OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm thotë po ashtu se nuk është arritur përparim i dukshëm në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave serbe, që, siç thotë raporti, “është aspekt kyç i marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.

Në raport përmenden edhe marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel, por që nuk po zbatohen në terren, siç është ajo e targave të automjeteve.

Raporti vë në dukje se në periudhën e mbuluar në raport, është arritur pak progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, sidomos në fushën e integrimit të gjyqësorit, lirisë së lëvizjes dhe telekomunikacionit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në raport përmend edhe ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, liderit aktual të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë më 4 janar, pas një urdhër arresti të Interpolit me kërkesë të Serbisë, dhe thotë se kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga udhëheqësit politikë të Kosovës dhe nga publiku në Kosovë.

Nuk ka kaluar pa u përmendur edhe eskalimi i tensioneve mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kur Serbia nisi një tren nga Beogradi për në Mitrovicë me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, e për çka, siç shkruan në raport, Policia e Kosovës kishte dërguar forcat speciale dhe automjetet e blinduara.

Kurse sa u përket raporteve të brendshme politike në Kosovë, raporti thotë se ato kanë bërë që të pengohet përparimi i shumë qëllimeve qeveritare, përfshi edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, kurse thuhet se edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur rezultat i pamjaftueshëm.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i OKB-së, Antionio Guterres, detyrën e tij e ka marr më 1 janar 2017, duke pasuar Ban Ki moonin./koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco