Veseli paralajmëron kandidaturën për Kryeministër të Kosovës

Veseli paralajmëron kandidaturën për Kryeministër të Kosovës

08:00, 25/02/2017
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka paralajmëruar se në fund të muajit do të kërkojë mbështetjen e partisë për platformën e tij për qeverisje në Kosovë.

Veseli ka thënë se në fund të muajit të ardhshëm, ai do të dalë para lidershipit të PDK-së dhe do të kërkojë mbështetje për platformën e tij, planin e tij, për Kosovën.

“Kjo nuk është një detyrë e vogël dhe unë e marr atë shumë seriozisht, si kryetar i PDK-së dhe si kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Kadri Veseli do të dalë me turne dëgjimore të platformës së tij para Konventës së PDK-së që është paralajmëruar të mbahet më 25 mars.

“Për një kohë shumë të gjatë, politikanët kanë dëgjuar njëri-tjetrin. Si kryetar i Kuvendit, unë e di se çfarë mendojnë pjesëtarët tjerë të Kuvendit. E di se çfarë ata duan që të bëjë për ata qeveria”, ka thënë ai.

“Kjo është arsyeja pse ju mund të keni vënë re se unë kam bërë vizita gjithandej vendit javët e fundit, për t’i dëgjuar qytetarët. Dua të jem i qartë, kam filluar një turne dëgjimor sepse unë dua t’i dëgjoj qytetarët drejtpërdrejt, të dëgjoj drejtpërdrejt shqetësimet tuaja, të mësoj për jetën tuaj dhe të kuptoj se si qeveria mund të punojë më mirë për ju. Vetëm duke dëgjuar, para se gjithash, njerëzit, të gjithë njerëzit në mbarë vendin, do të mund të krijojmë një platformë, të marrim masa veprimi, ta çojmë Kosovën përpara”, ka thënë Kryetari i PDK-së.

“Unë do ta vazhdoj këtë turne në gjithë vendin, për t’i dëgjuar njerëzit. Pas një muaji, ne do të takohemi sërish në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës. Atje do t’i prezantoj ato që kam mësuar nga qytetarët tanë dhe do të ndaj me partinë tonë platformën për ta çuar Kosovën përpara”, ka shtuar më tutje kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Kreu i PDK-së, kohë pas kohe ka thënë se, me marrëveshje politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje edhe para përfundimit të mandatit. Por,  ai nuk e ka artikuluar asnjëherë në mënyrë kaq direkte ambicien e tij për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco