Një komision duhet të ndajë buxhetin e Maqedonisë

Një komision duhet të ndajë buxhetin e Maqedonisë

00:19, 23/02/2017
A+ Aa A-

Marrëveshja mes partive politike për formimin e një organi që do të monitorojë ndarjen e mjeteve të buxhetit premton rezultate pozitive vetëm në rast se i njëjti do të jetë i zhveshur nga ndikimet e politikës ditore, vlerëson akademiku Abdylmenaf Bexheti. Sipas Bexhetit, ky organ duhet të ketë edhe përbërje ekspertësh.

”Në rastin tonë se si do të formatohet ky trup, është çështje e diskutimeve politike por unë do të kisha thënë që megjithatë ndoshta do të duhet të udhëhiqet nga një ekspertizë e bazuar në model të formulave me të cilat paraprakisht do të tejkalohen dhe anashkalohen barrierat e ndryshme të ashtuquajtura të vullnetit politiko – ditor- partiak. Kjo duhet të marrë në konsideratë edhe respektimin e strukturave të qeverisjes lokale, të enteve dhe institucioneve lokale të cilat nuk janë në kuadër të qeverisë” – tha për Alsat-M, akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Duke marrë si shembull modelet e ngjashme të Këshillave të ashtuquajtur Fiskal të Finlandës dhe Sllovenisë, Bexheti thotë se ky organ duhet të përbëhet nga këshilla dhe nën-këshilla, të monitorojë shpenzimin e të gjithë parave publike, shpërndarjen dhe optimizimin e tyre dhe të marrë vendime me konsensus politik. Sa i takon çështjes së zhvillimit të vendbanimeve rurale nëpërmjet investimit të 1%-shit të Prodhimit Bruto Vendor, e cila gjithashtu është në tryezën e bisedimeve mes partive politike, Bexheti thotë se ligji ekziston por është anashkaluar, duke u investuar vetëm një përqindje shumë e vogël e këtyre mjeteve.

”Po ta matim sot, ajo është diku rreth 100 milion euro në vit dhe që ka qenë rreth 20 herë e nënvlerësuar kjo shumë. Asnjëherë ky fond nuk është realizuar më shumë se 5-6 milion euro në vit. Krahasimi 5-6 milion me 100 milion është një dallim shumë i madh, ngritje shumë e madhe. Ka qenë detyrim i kamotshëm ligjor; thjeshtë duhet të gjendet modeli dhe formula e respektimit dhe zbatimit të tij për t’u përafruar rajonet të cilat kanë dallim jashtëzakonisht të madh në zhvillim” – shtoi Abdylmenaf Bexheti.

Nga këto mjete, sipas Bexhetit, regjioni i Pollogut, ka përfituar 117% më pak se Pellagonia, ose pesëfish më pak se rajoni i Shkupit. Ideja e LSDM-së për zhvillimin rajonal u theksua edhe para fushatës nga LSDM-ja. Zaev thoshte se nuk duhet barë ndarja etnike, por vetëm identifikimi i rajoneve në nevojë, dhe adresimi aderuar i fondeve.

”Paratë duhet të lëvizin nga buxheti sipas nevojës së qytetarëve deri sa nuk bëhet balance dhe baraspeshë gjithandej për harxhimin e parave të buxhetit ose në cilësinë e jetës gjithkund. Gjithashtu kjo është e ndryshme në fshatra dhe në qytete. Flas për fshatrat, nuk më intereson a janë shqiptare, maqedonase, turke… duhet të bëjmë zhvillim rajonal të barabartë në të gjithë anët” – ka thënë kryetar i LSDM, Zoran Zaev, më datën 24.12.2016 në emisionin “Rruga drejt”.

Menaxhimi i mjeteve që shkojnë në drejtim të Komunave përmes një Komisioni Shtetëror për Financim, është edhe ndër pikat e platformës së përbashkët të partive shqiptare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco