Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Komisionit: Kosova nuk ka humbur territor me demarkacionin

Komisionit: Kosova nuk ka humbur territor me demarkacionin

12:12, 21/02/2017
A+ Aa A-

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk i ka shkaktuar humbje territorit të Republikës së Kosovës, thuhet në gjetjet e prezantuara nga Komisioni shtetëror, të cilat ende nuk janë finale.

Komisioni për Matjen e territorit të Kosovës u themelua me vendim të Qeverisë pas kundërshtimeve të opozitës dhe disa deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimet se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Rezultatet e punës i ka prezantuar zëdhënësi i Komisionit, Tomor Çela. Një nga argumentet e vazhdueshme të opozitës ishte pika e kufirit me Malin e Zi ndodhet në Çakor. Por, Komisioni, bazuar në agjencitë pjesëmarrëse, pastaj në disa libra e harta të vjetra historike erdhi në konkludim se Çakori dhe Bjellua janë jashtë territorit të Kosovës, që nënkupton se i takojnë Malit të Zi.

Njëherësh, Çela ka prezantuar edhe pika tjera të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duke konstatuar se vija kufitare ka mbetur e paprekur, përfshi territorin e komunës së Pejës, i cili sipas tij mbetet i njëjtë si edhe para marrëveshjes.

Kurse kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se puna e Komisionit ishte e pavarur dhe larg ndikimeve politike.

Akademik Islami tha se deri në vitin 1981 Kosova kishte 10.887 km2. Kurse nga viti 1982 - 2007 Kosova kishte 10.908 km2. Mirëpo në bazë të obligimeve ndërkombëtare dhe Planin e Ahtisaarit, me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Maqedoninë, ka ndryshime në zonat kadastrale me Maqedoninë, çka ka sjell si përfundim se Kosova ka 10.906 km2.

Pas përmbylljes së punës së Komisionit shtetëror për matjen e territorit, pritet që Marrëveshja me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare, t’i riprocedohet Kuvendit nga ana e Qeverisë.

Pak kohë para se Komisioni të dilte me gjetjet, njëri nga anëtarët e tij, Fitim Humolli, është dorëhequr. Ai ishte i vetmi gjeograf në këtë Komision. Dorëheqjen e tij, Humolli e kishte arsyetuar me metodologjinë e punës që bëhej në këtë Komision.

Humolli e arsyetoi dorëheqjen me, siç tha, “anashkalim të institucioneve profesionale në punën e komisionit”.

Prishtina dhe Podgorica, nënshkruan Marrëveshjen për shënjimin e vijës më 25 gusht të vitit 2015 në prani të faktorit ndërkombëtar. Por, menjëherë pas, kjo marrëveshje pati nxitur kundërshtimin e fuqishëm të opozitës. Ky reagim dhe kundërshtim opozitar në Kosovë u shtri brenda Kuvendit të Kosovës dhe nëpër rrugë, përmes protestave. Opozita, pretendon se me këtë marrëveshje, Kosova po humbë 8 mijë hektarë tokë.

Po ashtu, edhe një grup i deputetëve nga partitë në pushtet dolën kundër kësaj marrëveshje. Përderisa Qeveria nuk siguroi votat as të Listës Serbe, subjekt ky në përbërjen e koalicionit aktual që përfaqësohet në kuvend me 11 deputetë.

në rrethana të tilla, koalicioni qeverisës u detyrua që të heq dorë përkohësisht nga ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe pati formuar Komisionin shtetëror për matjen e territorit.

Përderisa kundërshtimet në Prishtinë vazhdojnë, Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kushtin kryesor për heqjen e vizave.

Tani, mbetet të shihet nëse puna e Komisionit i ka zbutur qëndrimet, nëse jo të opozitës, të deputetëve nga radhët e partive në pushtet në mënyrë që të sigurohen 80 votat e nevojshme në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes.

Riprocedimi i demarkacionit për ratifikim në Kuvend është paralajmëruar të ndodhë gjatë muajit mars./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco