30 takime mes Kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës! Ku është dialogu sot?

30 takime mes Kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës! Ku është dialogu sot?

13:13, 22/01/2017
A+ Aa A-

Kosova dhe Serbia, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA,  javën e ardhëshme në Bruksel zhvillojnë raundin e 31-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të parin në 2017-tën, të tetin të krerëve aktualë të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, një vit pas takimit  të fundit e të vetëm të 2016-tës, të mbajtur në 27 janar.

Raundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në Kosovë pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të martën në 24 janar, në Bruksel.

 “Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhet në kumtesen e kësaj jave të BE-së dhe shtohet se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dy palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.

Në mbledhjen e qeverisë  së Kosovës, të kësaj jave, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur qëndrimin për dialogun me Serbinë. “Pa marrë parasysh vërejtjet dhe kushtëzimet për dialogun, konsideroj se dialogu është orientim strategjik dhe nuk ka alternativë, por duhet të sigurojmë që dialogu të jetë efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës”, tha ai.

Qasja jonë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi kryeministri kosovar, është në interes të sovranitetit dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Në këtë kuadër e ftoj edhe qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe bashkëpunimit”, tha Mustafa.

Ai shtoi se, provokimet, si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht, provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ana e Serbisë.

“Prandaj, qeveria jonë është e bindur se skenarët e Serbisë jo vetëm që janë të parealizueshme, por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe në institucione të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri kosovar.

Prandaj, vijoi ai, dua të konkludoj se qytetarët  e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe, trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe të qytetarëve.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa, ka përsëritur ftesën për përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.

“I ftoj edhe njëherë ministrat serbë të kthehen në qeveri, por ata ministra, të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeminsitri kosovar.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeminiistror është mbajtur në 19 tetor 2012.

Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Deri tash, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve kryeministrore Kosovë-Serbi në Bruksel:

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor

Raundi 20 – 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – 9-10 shkurt

Raundi 25 – 21 prill

Raundi 26 – 23 qershor

Raundi 27 – 29 qershor

Raundi 28 –  25 gusht

Raundi 29 – 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

Viti 2017:

Raundi 31 – pritet në 24 janar

/atsh/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco