Sulmi i serbit ndaj ambasadës amerikane në Malin e Zi, teksa Lavrov vizitonte Serbinë

Sulmi i serbit ndaj ambasadës amerikane në Malin e Zi, teksa Lavrov vizitonte Serbinë

07:18, 23/02/2018
A+ Aa A-

Derisa hetuesit përpiqen të gjejnë motivin e sulmit me granatë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, shqetësimet se incidenti mund të thyejë stabilitetin e përmirësuar në Ballkan tregojnë se sa e brishtë mbetet situata.

Një veteran serb i luftës, 43 vjeç, hodhi një pajisje shpërthyes në kompleksin e Ambasadës amerikane në Podgoricë, më 22 shkurt, përpara se të hidhte veten në erë, tha policia malazeze.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk e di nëse sulmi ishte menduar të jetë vetëvrasës e as motivin pas tij.

Por, ekspertët rajonalë thonë se sulmi nxjerr në pah se sa e paqëndrueshme mbetet situata në Mal të Zi, anëtarin më të ri të NATO-s, por edhe në rajon.

“Që nga 1 janari, kemi parë vrasje politike në Kosovë, sulm me bombë në Mal të Zi dhe paraushtarakë të trajnuar në Rusi që ndihmojnë riarmatosjen e regjimit të Millorad Dodikut në Bosnje. Temperatura po rritet në Ballkan, por pak në Bruksel ose Uashington janë të shqetësuar”, thotë Jasmin Mujanovic, analist politik me seli në Durham të Karolinës Veriore.

“Të shohim se si do të zhvillohet kjo situatë, veçanërisht si tregim politik në kontekstin e konfrontimit më të gjerë midis Rusisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon. Shënjestra është shumë simbolike, marrë parasysh prapavijën, me sa duket, ushtarake të sulmuesit”, thotë Mujanovic.

Edhe pse është qendër e një zone historikisht të paqëndrueshme të Evropës, Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006 pa dhunën që i ka shoqëruar lëvizjet e ngjashme të republikave të tjera ish-jugosllave.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur – gjë që Serbia ka refuzuar ta bëjë – dhe po ashtu ka një popullsi të konsiderueshme ruse.

Megjithatë, ai është në proces të forcimit të bashkëpunimit me Uashingtonin, ndërsa është bërë anëtari më i ri i NATO-s në qershor të vitit të kaluar. Qasja e tij në Detin Adriatik e bën atë pasuri strategjike për aleancën e sigurisë, por anëtarësimi në NATO e ka irrituar Kremlinin, i cili po lufton të ruajë ndikimin në rajon.

Zyrtarët malazezë kanë akuzuar disa shtetas serbë dhe rusë për përpjekje për grushtshtet në vitin 2016, duke thënë se ata kanë planifikuar të vrasin kryeministrin dhe të instalojnë një udhëheqje pro-ruse që do të kthente prapa ofertën e NATO-s.

Incidenti në ambasadë po ashtu ndodhi derisa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte në vizitë dyditëshe në Serbi, vendin që po lufton të ruajë lidhjet e ngushta me Moskën, por që po përpiqet t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

 “Situata në Ballkanin Perëndimor nuk është përkeqësuar në vitet e fundit sa i përket dhunës, përdorimit të armëve të zjarrit apo stabilitetit në përgjithësi. Megjithatë, rajoni vazhdon të mbetet arenë e paqëndrueshme gjeopolitike, me lojtarë të ndryshëm të përfshirë”, thotë Marika Djolai, konsulente për konflikt, paqe dhe zhvillim dhe anëtare e Grupit Ballkani në Politikën në Evropë, me seli në Londër.

“Çështjet e tilla si korrupsioni, shpëlarja e parave, trafikimi me drogë, njerëz dhe armë vazhdojnë të rrisin brishtësinë dhe të kërcënojnë stabilitetin. Ka prirje për rënie konstante të demokracisë”, thotë Djolai.

Analistët tërheqin vërejtjen e rajoni i Ballkanit mbetet zonë krize, me një siguresë shumë të vogël.

“Për të parandaluar radikalizmin politik dhe polarizimin etnik që mund të ndezin konflikte të reja, nevojitet urgjentisht një strategji më e fuqishme për Ballkanin Perëndimor, e cila do të udhëhiqej nga Uashingtoni”, thotë Janusz Bugajski, bashkëpunëtor në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco