I prishi kopshtin me hardhi, shqiptari e fal çiftin zvicerian

I prishi kopshtin me hardhi, shqiptari e fal çiftin zvicerian

15:16, 08/10/2016
A+ Aa A-

Bëhet fjalë për Abdulla Alili, një intelektual me origjinë nga Kumanova, i cili është pronar i picerisë “Romantika” në Zyrih.

Pjesa më e bukur e këtij restoranti është kopshti me hardhi, të cilën pronari e ka rregulluar me shije. Por shijen e këtij kopshti me hardhi e prishi këtë javë një fqinj zviceran, që banonte në katin e pestë mbi restorantin “Romantika”.

“Unë kur erdha të mërkurën në punë, në orën 9:30, - thotë Abbdulla Alili për albinfo.ch,-  u habita kur pashë tërë ato sende përreth, si një shtrat, këpucë, veshmbathje, tavolina...As veturën nuk kisha ku ta parkoja. E vetmja gjë që bëra,  lajmërova policinë”, thotë ai.

Në bashkëpunim me policinë u hoqën sendet si dhe u gjet personi, i cili në gjaknxehtësi në grindje me të dashurën e tij i kishte hedhur këto gjëra në rrugë e mbi hardhi.

"Ajo që më ka habitur është indiferenca e njerëzve që e kanë parë këtë gjendje dhe s’e kanë lajmëruar policinë," tha ai.

Fatime Alili tha për albinfo.ch se ata nuk e njohin personin, por se ata janë viktimë e problemeve të tij.

“Nuk e kanë bërë për të na dëmtuar ne. Ata janë të rinj, kërkuan falje, i morën sërish gjërat e tyre: shtratin që hodhën, veshmbathjet, tavolinat etj.” - tha zonja Alili.

    Por, për fat të mire, nuk është dëmtuar restoranti dhe asnjë person nuk është lënduar, ngaqë objektet u hodhën në orët e para të mëngjesit, por edhe se kulmi i hekurt i hardhisë i ka mbrojtur dritaret e picerisë.

    Abdulla Alili e ka falur fajtorin. Ai për albinfo.ch tha se të rinjtë duhet këshilluar, edhe për pasojat duhet informuar, por kurrë, sipas tij, nuk duhet etiketuar dikush.

    “Etiketimi në baza etnike, fetare e kulturore sjell të këqija. Si mund të them unë se dy të rinj zviceranë e prishën kopshtin e picerisë sime! Kjo është absurde. Ata janë vetëm dy të rinj. Nuk lidhet faji me fe e as kombësi”, thotë Alili me origjinë nga Kumanova.

    Kur shqiptarët po etiketohen për këso problemesh, atëherë kjo e prish imazhin tonë në Zvicër." Për Abdulla Alilin, kur i lexon këto etiketime nëpër media, i vjen shumë rëndë. “I keqi apo e keqja nuk është shqiptar, as italian, as zviceran…, thjesht dukuria e keqe është vetëm e keqe”, thotë Alili.

    Por, familja Alilili shprehet për albinfo.ch se edhe kur kanë drejtuar restorantin e parë, e më pas edhe hotelin, asnjëherë nuk janë ballafaquar me probleme të tilla.

    “Është hera e pare, e shpresojmë edhe e fundit”, shprehet për albinfo.ch familja Alili.

    “Jemi të integruar mirë në shoqëri dhe shumë falënderues ndaj shoqërisë zvicerane për të mirat që i kanë bërë kundrejt shoqërisë sonë. Zviceranët na kanë mbështetur si popull sot dhe në kohë të vjetra. Duhet të jemi falënderues ndaj tyre, kjo është e vërteta”, thotë në fund pronari i restorantit “Romantika” në Cyrih, Abdulla Alili./albinfo

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco