Vrasja e Ivanoviç/Kush është personi që kontrollon veriun e Mitrovicës...

Vrasja e Ivanoviç/Kush është personi që kontrollon veriun e Mitrovicës...

23:12, 19/01/2018
A+ Aa A-

Millan Radojiçiç është akuzuar nga ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkovçiç, si i përfshirë në vrasjen e politikanit Olliver Ivanoviç.

Por, kush është ky person?

Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, ka akuzuar themeluesit e Listës Serbe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviç, në Mitrovicën e Veriut, të martën.

Ajo ka përmendur Millan Radojiçiç, njëri prej personave që e kontrollon Listën Serbe, si një ndër shefat kryesorë të nëntokës në veri të Kosovës.

I kontaktuar nga emisioni “Jeta në Kosovë”, pas deklaratave të Trajkoviçit, Radojiçiç i ka hedhur poshtë akuzat si spekulime.

“Më vjen keq që ende pa përfunduar varrimi i të ndjerit Olliver Ivanoviç, individët dhe publiku merren me spekulime, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha, para së gjithash popullit serb, qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, si dhe emrit dhe familjes sime”, ka thënë ai.

“Është e qartë që publiku në Kosovë dëshiron që të drejtojë vëmendjen në të pavërteta, që edhe më shumë ta rrezikojë stabilitetin edhe ashtu të brishtë. Absolusisht nuk ka ndonjë motiv e as bazë që kushdo të më vëjë në lidhje me këtë rast”, ka deklaruar Radojiçiç.

Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Murat Mehmeti, ka folur lidhur me strukturën e organizuar kriminale, që sipas tij funksionon në veriun e Mitrovicës.

Mehmeti ka përmendur edhe Radojiçiçin, që sipas tij ka rrahur dhe kërcënuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës përgjatë viteve para dhe pas Pavarësisë së Kosovës.

“Për popullatën e veriut Milan Radojiçiç, është i njohur si sinonim i nëntokës, i dhunës, i kërcënimeve dhe distribuimit të narkotikëve”, tha Mehmeti.

Ai ka treguar se si AKI ka bërë një bastisje në veri.

“Po flas prej burimeve të hapura, që kanë qenë mediatike. Kanë hyrë aktivitete kriminale në Kryqin e Kuq në pjesën veriore, dhe janë ndarë keq. Ka pasur rezistencë. I kanë rrahur pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Janë çarmatosur, u janë marrë armët. Tre vetë i kanë çarmatosur, të paktën”, ka treguar ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco