Vuçiç akuzon shqiptarët, opozitari serb i kundërvihet: Qeveria jote nuk e donte Ivanoviçin

Vuçiç akuzon shqiptarët, opozitari serb i kundërvihet: Qeveria jote nuk e donte Ivanoviçin

19:13, 16/01/2018
A+ Aa A-

Një politikan i njohur serb në Kosovë, një zë lider për bashkëjetesën etnike në atë vend, u vra të martën, duke rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Oliver Ivanoviç, 64 vjeç, lider i Partisë së Iniciativës Qytetare, u qëllua me armë jashtë zyrave të partisë në Mitrovicë, një qytet verior i ndarë ashpër nga linjat etnike. Ndonëse shihej si i moderuar, Ivanoviç u përball me akuza për krime lufte, të cilat ai dhe aleatët e tij i përshkruan si të nxitura politikisht.

Në një konferencë televizive, presidenti serb Aleksandar Vuçiç këmbënguli se qeveria e tij nuk kishte gisht në aktin terrorist dhe fajësoi shqiptarët, të cilët duan të marrin nën kontroll enklavat serbe. Ai thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe paralajmëroi qeverinë e Kosovës të mos e përdorte vrasjen “si pretekst për të dërguar çizmet e tyre në veri”.

Por një lider i opozitës, Sasha Jankoviç, vuri në dukje se qeveria e zotit Vuçiç, të cilën ai e përshkroi si shtypëse, ka qenë tepër kritike kundër Ivanoviç në të kaluarën. “Kushdo që ta ketë bërë këtë – dhe ne nuk e dimë se kush është – punon kundër interesave të serbëve, të Serbisë, popullit shqiptar dhe kujtdo tjetër”, tha ai.

Qeveria e Kosovës e dënoi vrasjen, për të cilën tha se “sfidon ligjet dhe çdo përpjekje për vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës”.

Ivanoviç nuk ishte pa armiq. Përveçse ishte në qendër të tensioneve politike, ai ishte kritik i hapur i bandave të drogës në Kosovë dhe i autoriteteve, për të cilat thoshte se i lejonin trafikantët të vepronin të pandëshkuar.

Partia e tij është njëra prej partive të serbëve etnikë në Kosovë, por ndryshe nga rivalët kryesorë është shumë e pavarur nga Beogradi dhe e gatshme të njohë e të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare.

“Ai kishte një parti të vogël, por reputacion të madh”, tha Dushan Reljiç, një specialist i Evropës Juglindore në Institutin Gjerman për Sigurinë dhe Çështjet Ndërkombëtare. “Nëse kërkonit dikë që mund të ndërtonte ura, do të ishte ai, ndaj edhe qeveritë në Prishtinë e Beograd nuk e donin. Oliver e dinte që nuk ishte i sigurt”.

Marko Duriç, drejtor në Ministrinë serbe për Kosovën, tha se kushdo që ta ketë vrarë ka si synim destabilizimin e rajonit. “Qëllimi është provokimi i kaosit dhe të shtujë serbët në Serbi e Kosovë në ferrin e luftës”, iu tha ai reporterëve në Bruksel./Marrë nga New York Times-Përgatiti: SYRI.net/

https://www.nytimes.com/2018/01/16/world/europe/kosovo-serb-oliver-ivanovic-killed.html

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco