Gripi sezonal kap 14 mijë kosovarë

Gripi sezonal kap 14 mijë kosovarë

11:16, 12/01/2018
A+ Aa A-

Fundi i 2017-tës dhe fillimi i 2018-tës nuk ka qenë i mbarë për mijëra qytetarë të Kosovës sa i përket shëndetit. Kohëve të fundit, shumë qendra mjekësore janë stërmbushur me pacientë të cilët po kërkojnë trajtim nga gripi sezonal që ka kapluar vendin, shkruan Indeksonline.

Se shifrat e personave që kanë kërkuar ndihmë nga mjekët janë të mëdha e konfirmon edhe Era Pireva nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ajo në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se nga tetori i vitit të kaluar ka një numër të madh personash që janë prekur nga gripi.

“Nga fillimi i sezonës (tetor 2017), deri tani janë raportuar rreth 14000 raste të gripit sezonal. Të gjitha moshat janë të prekura, por numër pak më i madh është raportuar në moshën 15-64 vjeçare”, ka thënë Pireva.

Sipas saj, disa nga simptomat e gripit janë temperaturat e larta, ethet, plogështi, kollitje, dhembje e muskujve, nyjeve, dhimbje koke e rrjedhje e hundëve.

Pireva ka thënë se grip ka në të gjitha komunat e  Kosovës, por numër më i madh i rasteve raportohet  nga Prishtina, Prizreni,  pasi që edhe numri i banoreve është më i madh.

Disa nga masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal janë:

Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë
Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz.
Ushqehuni shëndetshëm duke përdorur më shumë vitamina.
Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.
Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni.
Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.
Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.
Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit , barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco