Avokatët: Policia po ushtron dhunë ndaj të arrestuarve të Kumanovës

Avokatët: Policia po ushtron dhunë ndaj të arrestuarve të Kumanovës

18:45, 07/10/2016
A+ Aa A-

Avokatët e grupit Kumanova kanë ngritur sërish shqetësimin se ndaj ta arrestuarve po ushtrohet dhunë barbare nga ana e policisë, por deri tani nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar nga ana e autoriteteve.

Ndërkohë që kabineti i zv.ministrit Agim Nuhu i ka dërguar një kërkesë pranë departamentit për kontroll të brendshëm për hetimin e pretendimeve për brutalitet policor.

“Ne kemi themeluar një grup pune për nevojat e kabinetit, i cili ndjek të gjitha shqetësimet dhe ankesat për rastin në fjale. Për ankesat e fundit, kemi dorëzuar iniciativë te Departamenti për Kontroll të Brendshëm. A priori nuk e mohojmë ekzistencën e sjelljeve jashtë standardeve profesionale të punonjësve të policisë përderisa ka ankesa nga të akuzuarit, edhe pse një gjë e tillë është mohuar nga gardianet e burgut dhe aktorët e tjerë. Prandaj, vlerësojmë se është e nevojshme t’i bashkërenditim aktivitetet më fuqishëm së bashku me avokatët e të akuzuarve, Avokatin e Popullit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë, në mënyrë që Gjykata të japë fjalën përfundimtare”, thanë për televizionin Alsat nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, avokatët e të akuzuarve kërkojnë masa urgjente nga ana e Ministrisë së Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit që t’i jepet fund dhunës ndaj klientëve të tyre.

“Ne si palë mbrojtëse edhe më parë kemi kërkuar përgjegjësi konkretisht nga ministra e punëve të brendshme dhe nga ministria e drejtësisë. Ne kemi kërkuar edhe nga trupi gjykues dokumentacion mjekësor në të cilën dokumentacion vërtetohen lëndime trupore . Në këtë rast kemi edhe keqtrajtime psikike”, deklaroi avokati Mefail Arsllani.

Gjykatësja e lëndës Verka Petrovska gjithashtu ka njoftuar Prokurorinë Publike për dhunën ndaj të akuzuarve në rastin e Kumanovës. Megjithatë nga Prokuroria 4 muaj me radhë japin përgjigjen e njëjtë. Respektivisht, se po hetojnë rastin dhe asnjë fjalë më shumë.

“Prokuroria publike ka ngritur hetim për këtë rast dhe deri tani padi penale kanë ngritur Avokati i Popullit dhe avokatët. Për akuzat e tyre prokuroria është duke bërë hetime, por deri ku janë këta hetime nuk mund të japim të dhëna ”, thanë nga Prokuroria Publike.

Gjatë seancës së 4 tetorit, sipas avokatëve, ishin dhunuar 15 nga gjithsej 37 të akuzuarit në rastin e Kumanovës. Ndërkohë që Enver Hoxha- Klein i cili kishte pësuar më së keqi nga dhuna policore nuk ishte në gjendje as të qëndronte në këmbë gjatë seancës së djeshme.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco