Kompania që përmendet në 'Paradise Papers' ka përfituar miliona euro në Kosovë

Kompania që përmendet në 'Paradise Papers' ka përfituar miliona euro në Kosovë

15:35, 06/11/2017
A+ Aa A-

Publikimi i dosjes "Paradise Papers", që ka zbuluar sekretet e shumë liderëve dhe kompanive botërore që fshehin para në vende të parajsave fiskale, ka përfshirë edhe një kompani që kishte fituar tender në Kosovë.

Dosja "Letrat e Parajsës", e cila është siguruar nga gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung, tregon për mashtrimet me para përmes fshehjes së tyre nga kompania "Glencore".

Siç tregojnë dokumentet e publikuara të "Paradise Papers", kompania më e madhe minerare në botë, "Glencore", në mënyrë sekrete i kishte dhënë hua prej dhjetëra miliona dollarëve një miliarderi izraelit, pasi që e kishte përdorur atë për të siguruar një marrëveshje të dyshimtë të minierave në Republikën Demokratike të Kongos.

Këto pagesa, kompania zvicerane i kishte bërë duke iu shmangur taksave, tregojnë dokumentet e publikuara nga gazeta gjermane "Suddeutche Zeitung".

E kompania "Glencore" është e njohur edhe në Kosovë. Madje, në Kosovë kjo kompani kishte përfituar miliona euro ndër vite.

"Glencore" është një kompani zvicerane që kishte fituar tri herë të drejtën për të blerë zinkun dhe plumbin nga Ndërmarrja Publike “Trepça”, në vitet 2010, 2011 dhe 2012, raporton Insajderi.

Nga të tri tenderët që kishte fituar, kjo kompani ishte konsideruar e dyshimtë për fitimin e njërit prej tre tenderëve.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës kishte thënë se shitja e pasurisë minerare të gjigantit minerar "Trepça" firmës kontroverse zvicerane "Glencore" në vitin 2011 ishte kryer në mënyrë të anshme dhe jotransparente.

Në raportin e vitit 2011 të Auditorit Gjeneral, ndërmarrja ishte kritikuar për parregullsi në prokurim dhe politika kundërthënëse për shitjen e mineraleve të veta.

Siç kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, në vitin 2010 ishte nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 8 milionë eurosh me firmën "Glencore", përkundër faktit se firma zvicerane nuk e kishte dhënë ofertën më të lartë dhe nuk i kishte ofruar të gjitha dokumentet përkatëse.

"Glencore" është kompania më e madhe tregtare e mallrave me vlerë në botë.

Por reputacioni i saj është dëmtuar për shkak të lidhjeve me regjime të korruptuara dhe marrëveshjeve të dyshimta, përfshirë edhe një rast të vitit 2007 kur gjykatat në Mbretërinë e Bashkuar i kishin konfiskuar pasurinë një firme që i përkiste "Glencore"-it, si rrjedhojë e një kontrate për derivate të naftës që e kishte lidhur në Kongo.

Dosja "Letrat e Parajsës" vjen si rrjedhojë e rreth 13.4 milionë dokumente sekrete që tregojnë dëshmi të evazionit fiskal midis politikanëve të rangut të lartë, përfshirë njerëz të afërt me Donald Trump dhe Mbretëreshën e Britanisë së Madhe.

Hulumtimet e përgatitura nga rreth 200 gazetarë botërorë kanë filluar të publikohen sot në gazetat e njohura botërore, si: New York Times në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, "The Guardian" dhe BBC në Britani, e Süddeutsche Zeitung në Gjermani. Këto dosje vijnë në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ).

Media gjermane raporton se disa në kabinetin e Presidentit amerikan Donald Trump kanë qenë të implikuar. Konkretisht, gazetarët kanë zbuluar teknikat e evazionit fiskal të përdorura nga politikanët super të pasur dhe të rangut të lartë.

Rrjedhja e të dhënave u raportua nga gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung, e cili mori të dhënat e rrjedhura nga kompani me bazë në Bermuda, Appleby, një nga firmat kryesore off-shore. 


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco