Votime në Maqedoni, 35 komuna në balotazh

Votime në Maqedoni, 35 komuna në balotazh

07:49, 29/10/2017
A+ Aa A-

Sot në Maqedoni mbahet balotazhi në 35 komuna nga tetëdhjetë sa ka gjithsej vendi. Gara më interesante pritet të jetë në komunat e banuara me shumicë shqiptare, si Tetova, Gostivari, Struga, Çairi i Shkupit dhe Dibra e Madhe. Pak mbi 830 mijë votues kanë të drejtë vote në raundin e dytë dhe numri i lartë i votuesve të regjistruar ka qenë çështje debatesh prej vitesh në shtetin e vogël prej dy milionë banorësh.

Ajo që ka qenë në qendër të debatit këto javë prej fillimit të fushatës e këndej është koalicioni i hapur midis partnerëve qeveritar, Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, një mbështetje reciproke që rezultoi me zgjedhjen qysh në raundin e parë të kandidatit social-demokrat për kreun e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe të kreut të Kërçovës nga radhët e BDI-së, Fatmir Dehari.

Një koalicion tjetër, jo gjithaq i natyrshëm midis Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes “Besa” për shkak se e para është parti qeveritare dhe e dyta opozitare dhe veç kësaj ka pasur një histori sulmesh të ndërsjella verbale deri para dy javësh, ka gjasa reale ta rrezikojë fitoren e BDI-së në këtë garë. Dy partitë shqiptare i mbështesin kandidatët e njëra tjetrës në 12 komuna, nga Likova në veri të vendit deri në Strugë.

Aleanca me Besë, siç është quajtur bashkimi zgjedhor i tyre i ka kërkuar drejtuesit social-demokrat dhe kryeministër Zoran Zaev që të mos përzihej në komunat shqiptare dhe të mos u tregojë votuesve se për kë do të duhej ta japin votën.

Ndërkaq, BDI ka hedhur kundër-akuza ndaj partive rivale duke thënë se ato janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Elektorati i kësaj të fundit, sipas analistëve do të votonte për ta dëmtuar BDI-në në komunat me shumicë shqiptare.

Nga ana tjetër, BDI shpreson në daljen në numër sa më të madh të zgjedhësve dhe në disiplinën e mbështetësve të Lidhjes Social Demokrate, të cilët në këtë rast paraqesin një ekuilibër në balotazh.

Në Tetovë garojnë Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes “Besa”; në Gostivar Nevzat Bejta i BDI-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët, në Strugë Ziadin Sela (ASH) kundër Ramiz Merkos(BDI), në Çair Visar Ganiu (BDI) përballet me Zeqirja Ibrahimin (“Besa”), ndërsa në Dibër Ruzhdi Lata (BDI) me Arben Agollin e Aleancës për Shqiptarët.

Procesin do ta ndjekin 470 vëzhgues të huaj dhe mbi pesë mijë përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco