Si lindi prishja e madhe. Zbardhet debati i ashpër mes Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës në vitin 2016

Si lindi prishja e madhe. Zbardhet debati i ashpër mes Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës në vitin 2016

15:15, 25/09/2017
A+ Aa A-

Ish deputeti i Partisë Socialiste dhe një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës për vite të tëra, Koço Kokëdhima, ka zbardhur sot disa mesazhe telefonike të hershme që ka shkëmbyer me kryeministrin për çështjen e prishjeve të disa banesave në Dhërmi. Biseda e “dekonspiruar” sot nga Kokëdhima ka tone zyrtare, madje teje të ashpra. Ky komunikim është bërë në datën 5 Maj të vitit 2016 dhe aty përfshihet dhe ministria, Mirela Kumbaro.

Duket se pas akuzave të shpeshta, se përse ai nuk ka folur me herët për këto çështje, Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, është detyruar sot të zbulojë disa prej sms-ve të tensionuara që kishte shkëmbyer me kryeministrin Edi Rama, mëse një vit më parë. Ai ka marrë shkas për këtë nga pyetja e një komentuesi në profilin i tij në Facebook, që e akuzoi se tani i dhimbset Shkoza, por sa ishte në qeveri, krenohej me prishjet në Jug të vendit,

 Në mesazhet që zbardh sot, Kokëdhima i shkruan Ramës se sa të traumatizuar janë njerëzit në Dhërmi nga qeveria dhe se si ata thonë për INUK-un se, “Erdhën ata të ISIS-it”, si asnjë mbështetës i PS-së në Dhërmi nuk dëshiron të identifikohet si socialist, madje ndjehen të turpëruar. Por Rama i përgjigjet se ndërtimet e prishura ishin mostra dhe qeveria s’do të ndalet. Kokëdhima nga ana tjetër i kundërpërgjigjet se qeveria preferoi arbitraritetin dhe forcën në vend të arsyes dhe urtësisë.

Komunikimi i plotë me sms Kokëdhima-Rama, në  datën 5 Maj 2016, për çështjen e prishjeve të shtëpive në Dhërmi.

Koço Kokdhima- Edi Ramës:

Në Dhërmi gjeta një gjendje tejet të nderë e të dëshpëruar. Ç'kemi ndërtuar në tre vjet, e kanë rrënuar në pak javë zyrtarët tanë.

Koço Kokëdhima-Edi Ramës dhe Mirela Kumbaros:

E dashur Mirela, me sa duket KM nuk ka nevojë as për popullin, as për ne. Kjo qeveri, siç duket nuk dëshiron të flasë me fshatarët e pleqtë e Dhërmiut. Kjo qeveri flet përmes forcës, fadromave dhe mjeranëve të INUK-ut. I gjithë populli i Dhërmiut ndihet i fyer dhe i poshtëruar, i shkelur dhe i goditur. Qeveria ka shumë urgjenca, por populli me sa duket nuk i mendon gjërat si Qeveria. Dhe diçka të fundit mikja ime, asnjë mbështetës i yni në Dhërmi nuk dëshiron, madje ndihet i turpëruar të identifikohet me ne për mënyrën si po e bëjmë këtë punë ne atje. Zyrtarët e Qeverisë kujtojnë se goditën 50 a 20 familje, por fitojnë shumë të tjerë. Ky është gabim i madh: mjafton të godasësh një familje dhërmijase pa mirëkuptimin me banorët dhe të fitosh armiqësinë e gjithë banoreve, siç ka ndodhur me ne tani. Në Dhërmi të gjithë njerëzit thonë për të dërguarit e INUK-ut se "erdhën ata të ISIS-it".

Më vjen sinqerisht shumë keq. Unë nuk mendoj se ka më ndonjë kuptim për mua, të marr pjesë në "dëgjesa me popullin" ndërkohë që fadromat e urryera të INUK-ut vazhdojnë me gjuhën e forcës programin e prishjeve pa asnjë informim, bashkëbisedim, dëgjim e mirëkuptim paraprak me ata banorë. Miqësisht e me respekt për Ju, KK.

Edi Rama-Koço Kokëdhimës:

Nuk e kuptoj këtë mesazh! Prishjet aty janë të domosdoshme dhe po bëhen siç janë bërë kudo! Se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra pa leje, s`mund të ndalemi! Dëgjesa duhet pikërisht për këtë, që të sqarohen të gjithë.

Koço Kokëdhima-Edi Ramës:

Edi, nuk është aspak e vërtetë se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra. Është në një qëndrim, çdo i gjallë në Dhërmi, janë të gjithë të revoltuar si rrallë ndonjëherë. I kërkova ministres Kumbaro të ndalonte tri ditë prishjet dhe të shkonim e të bisedonim të shtunën me njerëzit. Ju preferuat arbitraritetin dhe forcën në vend të arsyes dhe urtësisë, nuk më dëgjuat mua që bisedova shtruar me banorët dhe rashë dakord me ta të bashkëpunojnë me projektin, por e gjetët zgjidhjen te dhe me policët e INUK-ut! "Dëgjesa publike" nuk duhet për të sqaruar njerëzit, dëgjesa është detyrim ligjor të bëhet përpara se idjotët e INUK-ut të hyjnë në çdo familje në Dhërmi, është detyrim ligjor për Qeverinë dhe e drejtë e patjetërsueshme e atyre banorëve. Dëgjesa nuk është të flas Qeveria në televizor dhe të iki, por të dëgjohen njerëzit e të konsiderohen edhe ata edhe projekti.

Edi Rama-Koço Kokëdhimës:

Jo Koço, dëgjesa publike duhet për të ballafaquar faktet me pretendimet! Unë i kam parë vetë hartat dhe godinat që do prishen. Janë realisht rastet më flagrante.

Koço Kokëdhima-Edi Ramës:

Flasim për gjëra krejt të ndryshme, për parime, vlera e çështje ligjore e politike dhe jo për grafikë punimesh e godina. Unë nuk kam dyshim se kështu si veproni po prodhojmë pa asnjë shkak armiq dhe lëndime e vuajtje për njerëzit, sepse kemi zëvendësuar komunikimin e gjallë, të urtë e të vërtetë me forcën, me fadromat dhe inspektorët e INUK-ut dhe me fjalimet në tv. Rasti i Dhërmiut ku bëhen kundër nesh mbështetësit tanë, është diçka më shumë se paradoksale. Nuk do e bëj më këtë mundim të kotë e shqetësim për veten time, të përpiqem tu bind juve dhe zyrtarët e shtetit, të komunikojnë ndryshe me njerëzit tanë. Flm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco