Gjata: Dekreti i Nishanit për mbetjet duhet të shkojë patjetër në Kuvend, ndryshe...

Gjata: Dekreti i Nishanit për mbetjet duhet të shkojë patjetër në Kuvend, ndryshe...

08:17, 21/09/2017
A+ Aa A-

Dekreti i presidentit për ligjin e Importit të Mbetjeve është rikthyer për diskutim në komision, por tashmë diskutimi ka marrë rrjedhë krejtësisht tjetër. Në njërën anë është shumica që pretendon se do ta tërheqë nga Kuvendi, ndërsa në anën tjetër është PD-ja që kërkon që votimi i dekretit të Presidentit të çohet në Kuvend e të votohet kundër, në mënyrë që loja që kërkon të luajë PS me “plehrat” të marrë fund.

Konstitucionalisti Çlirim Gjata, duke folur për “Shekull-in” për procedurat që duhet të ndjekë Kuvendi, tha se dekreti i Presidentit për rastin konkret, është i detyruar të shkojë në Kuvend. Duke iu referuar Kushtetutës, ai thotë se nëse pretendohet që Shqipëria është shtet ligjor, atëherë duhet të çohet në Kuvend në të kundërt bëhet si para ’90-ës. Përgjigjen për rastin në fjalë, Gjata e gjen në nenin 85 pika 2 e Kushtetutës, në të cilën sipas tij sqarohet rruga që duhet të ndjekë Kuvendi.

“Neni 85 i kushtetutës, pika 1 thotë, Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Pra ashtu siç ka ndodhur, e ka kthyer për shqyrtim në Parlament, sepse sipas kushtetutës, Presidenti ka tre mundësi: E para, dekreton ligjin dhe mbyllet çështja, botohet në Fletoren Zyrtare dhe ligji hyn në fuqi. E dyta, e kalon në heshtje, nuk shprehet as pro as kundër dhe me kalimin e afatit kushtetues ligji hyn vetë në fuqi, quhet i kushtetuar. Dhe e treta e kthen për rishqyrtim. Në rastin konkret e ka kthyer me dekret për rishqyrtim në parlament. Pra konform nenit 85, pika 1. Po në nenin 85, pika 2 thuhet se “dekreti i Presidentit për ligjin e humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve në Kuvend, pra 71 deputetë”.

Në këtë rast Presidenti e ka kthyer ligjin, duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta rrëzojë dekretin e presidentit me 71 vota, ose ta ribëjë ligjin nga e para duke futur edhe ato që ka thënë presidenti në relacionin shoqërues të kthimit të ligjit. Kjo duhet të bëhet patjetër, sipas rregullores së Kuvendit me sa di unë, ka afat kur duhet bërë. Kushtetuta nuk flet për afatin, dhe kjo është një e metë e kushtetutës së vitit ’98, sepse që atëherë neni 88 nuk ka ndryshuar. Por ka rregullorja afat dhe ai afat është shkelur. Megjithatë pa kaluar në seancë plenare nuk ka asnjë shans. Duhet rrëzuar dekreti i Presidentit me 71 vota, duke bërë ligji nga e para. Kuvendi është i detyruar ta bëjë patjetër përndryshe kalojmë në shtet autoritar. Nëse pretendojmë që jemi shteti ligjor dhe jo si ai i para ’90-ës duhet zbatuar neni 88 pika 2”, sqaroi konstitucionalisti Gjata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco