Rudina Hajdari, kujtimet mbi vrasjen e të atit kur ishte vetëm 12 vjeçe

Rudina Hajdari, kujtimet mbi vrasjen e të atit kur ishte vetëm 12 vjeçe

12:45, 19/09/2017
A+ Aa A-

Deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, Rudina Hajdari, vajza e ish-­deputetit të vrarë demokrat Azem Hajdari, liderit të lëvizjes së dhjetorit ’90, shprehet se si deputete ka realizuar ëndrrën e saj për t’u përfshirë në politikë dhe si një amanet i pathënë i të atit. Duke folur për gazetën “Panorama”, Rudina Hajdari, ajo nuk dëshiron të ndajë me publikun përjetimet e saj natën e 12 shtatorit, kur Azem Hajdari u vra fare pranë selisë së Partisë Demokratike, ndërsa shprehet se përgjegjësia e emrin që mban, është shumë e madhe brenda sallës së Parlamentit. 

Si e përjetuat ditën e parë si deputete, aty ku 26 vjet më parë ishte ulur dhe babai juaj?

Ishte shumë emocionuese dhe e veçantë, sepse atë ditë unë pata fjalimin e parë në atë parlament, por ajo ditë koincidoi edhe me 19­ vjetorin e vrasjes së babait tim, Azem Hajdarit. Ishte një rastësi e dhimbshme, ishte rastësi e bukur, ishte një rastësi e tillë që ndjeva, unë dhe ai ishim të dy në atë sallë. Emri i Azem Hajdarit, përmes meje, përmes ditës së shënuar, u rikthye dhe u artikulua atë ditë edhe në parlament. Dukej sikur ishte një dëshirë e tij që 19 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, e bija e tij të rikthehej në atë sallë ku ai aq shumë debatoi, punoi, bëri ligje, bëri beteja politike.

Ju bën përshtypje fakti që emri i Azem Hajdarit u kujtua atë ditë jo vetëm nga demokratët, por dhe kundërshtari politik, siç ishte kryeministri Rama, i cili me një status në FB, uroi zënien e karriges së Azemit prej vajzës së tij në Kuvend? Si e patë këtë qëndrim?

M’u duk shumë normale, është një sjellje korrekte dhe mendoj se kjo i dedikohet dhe figurës së babait tim, i cili ka marrë vlerësime dhe nga kundërshtarët e tij politikë për shpirtin luftarak që kishte. Vlerë­ simin për përfshirjen time në politikë e shoh korrekte dhe normale për një vend demokratik europian.  

Ju keni qenë 12 vjeçe, kur është vrarë Azem Hajdari. Çfarë mbani mend nga ato ditë?

Mbaj mend që ka qenë një periudhë shumë e errët në jetën time. Ka qenë një periudhë e ngjeshur me ngjarje, 1997, 1998, plagosja në Kuvend, kishin shumë situata të vështira. Ne i kemi përjetuar rëndë në familje këto ngjarje. Duke qenë se kam qenë në një moshë shumë të vogël, përjetimet e atyre ditëve i kam shumë personale dhe mendoj se duhet të mbeten personale e të mos i ndaj me publikun.

Gjatë viteve 1997-­1998 transmetohej në familje ndonjë shqetësim i madh ndaj babait apo ndonjë rrezik që te ju diskutohej?

Nuk kemi pasur biseda të tilla. Babai im ka pasur një tipar të veçantë, faktin që kur vinte në shtëpi, merrej me familjen, ishte i dedikuar ndaj nënës dhe ne fëmijëve e nuk diskutonte çështjet e punës dhe politikës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco