Kokëdhima përshëndet nismën e PD, për Reformën Zgjedhore

Kokëdhima përshëndet nismën e PD, për Reformën Zgjedhore

20:54, 15/09/2017
A+ Aa A-

Partia Zgjidhja e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka përshëndetur nismën e Partisë Demokratike, për Reformën Zgjedhore.

Përmes një postimi në Facebook, Zgjidhja, thekson se reforma Zgjedhore duhet5 bërë me urgjencë, pasi pa votë të lirë dhe pa zgjedhje të ndershme nuk ka të ardhme.

Ja postimi i Zgjidhjes:

Nuk na duhet një Reformë Zgjedhore gjysmake

Partia Demokratike më në fund reflektoi ndaj apeleve të ZGJIDHJA-s se reforma zgjedhore është mëma e reformave në Shqipëri dhe se ajo duhet bërë me urgjencë. PD-ja ka vendosur që të dorëzojë ditën e hënë kërkesën për të ngritur një komision parlamentar ad hoc, për Reformën Zgjedhore. Në fokus të kësaj nisme mësohet se janë dy pika kryesore: problematikat e zgjedhjeve që kanë të bëjnë me shitblerjen dhe manipulimin e votës, dhe e dyta, votimin elektronik.

ZGJIDHJA padyshim që e përshëndet këtë hap. Ajo ka bërë përpjekje të mëdha për të ndërgjegjësuar opinionin publik se Partia Demokratike gjatë viteve kur ka qenë në pushtet dhe Edi Rama që mori stafetën më pas, kanë kryer krimet më të rënda elektorale. PD-ja dhe Rilindja mbajnë përgjegjësinë historike se kanë shkatërruar institucionin e zgjedhjeve të lira e të ndershme me kapjen e shtetit, të qeverisë dhe të demokracisë.

Presim nga Lulzim Basha dhe Edi Rama si prelud të reformës zgjedhore që do të na propozojnë një “Mea culpa” publike për krimet elektorale që e kanë bërë Shqipërinë një rast unikal në Europë. 25 qershori ishte pika e fundit që bëri që kupa të derdhet dhe të ndërmerre, pa humbur më asnjë ditë, një reformë zgjedhore serioze.

Por nëse reforma zgjedhore që do të na propozohet mbetet në një kuadër bipartizan PD-Rilindje siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe nëse reforma zgjedhore nuk shoqërohet me një reformë rrënjësore të partive politike në Shqipëri, ZGJIDHJA e paralajmëron opinionin se kjo përçapje gjysmake vetëm sa do t’i përkeqësojë zgjedhjet.

Reforma zgjedhore duhet të jetë e hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ky është kushti i parë dhe i panegociueshëm. Nga marrëveshjet e Ramës me PD-në, si rregull, nuk del asgjë e mirë. ZGJIDHJA këmbëngul që në fokus të reformës të jenë të paktën edhe dy pika të tjera:

1) Administrata zgjedhore nuk mund të jetë më partiake. Ajo duhet të jetë e depolitizuar. Dy - tri parti nuk mund të administrojnë zgjedhjet ku garojnë edhe shumë parti të tjera. Jo më me zgjedhjet e Rilindjes dhe PD-së. Jo më me komisionerë të caktuar nga partitë për të shqyer votat.

2) Pa reformë të partive politke nuk mund të ketë reformë të besueshme zgjedhore. Të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje. Nga ky monopol i fëlliqur e pësuan vetë kësaj rradhe edhe mjaft eksponentë të rëndësishëm të PD-së dhe  të PS-së. Reforma e ardhshme t’u presë financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj. Populli nuk duhet shpënë më në zgjedhje për listat e kryetarëve, por vetëm për lista që kanë dalë nga zgjedhje primare.

Asnjë reformë zgjedhore nuk do të.japë rezultatet që presim pa revolucionin e primareve. Vetëm revolucioni i primareve do të shpëtojë Shqipërinë nga regjimet hibrite, antikombëtare dhe antipopullore dhe do të përtërijë elitën politike paqësisht.

Reforma e re zgjedhore shfaqet si nje kurth i ri që do të gatuhet nga Rama dhe PD-ja. Po u bë kjo reformë pa transparencë dhe pa themele, ajo do të dështojë siç kanë rezultuar të dështuara reformat e shkuara që janë bërë nga pazari mes Berishës e Ramës. Këtë rrezik e parandjejnë dhe miqtë tanë europianë.

ZGJIDHJA përshëndet deklarimet e institucioneve europiane në Shqipëri, përkatësisht të zotërinjve Klaus Neukirch dhe Stephan Storka, të cilët janë shprehur qartë për përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të reformës zgjedhore dhe se ajo duhet të jetë një paketë gjithëpërfshirëse, e realizuar me dialog dhe kompromis.

ZGJIDHJA do të qëndrojë në krye të luftës për të pastruar përfundimisht zgjedhjet në Shqipëri.

ZGJIDHJA nuk do ta pranojë një reformë zgjedhore që nuk do të jetë gjithëpërfshirëse. PD dhe Rilindja të mos kujtojnë se marrëveshja e tyre ilegale e 18 majit i autorizon që t'u imponojnë forcave të tjera politike një reformë zgjedhore për të cilën nuk konsultohet i gjithë spektri politik. ZGJIDHJA kërkon si garanci që tryeza e reformës zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco