'Historiani i Gushtit' Muç Nano: Çfarë po bëjnë këtë verë Rama & Basha, më pak se Trump, Merkel dhe Kim Jong?!

'Historiani i Gushtit' Muç Nano: Çfarë po bëjnë këtë verë Rama & Basha, më pak se Trump, Merkel dhe Kim Jong?!

12:03, 17/08/2017
A+ Aa A-

Godet sërish Mustafa Nano, “me perla” që i bëjnë të gjithë të kthejnë kokën të habitur!

Publicisti Muç Nano, ose siç është pagëzuar së fundmi si “Historiani i Gushtit” pas trazirave që ngjalli në rrethet intelektuale dhe në opinion me zbulimin e tij të madh historik, sipas të cilit Gjergj Kastriot Skënderbeu është gjakpërzier dhe jo 100% shqiptar, këtë herë në një analizë është marrë me pushimet e Lulzim Bashës, Edi Ramës, Donald Trump, Anglela Merkel dhe madje edhe të Kim Jongut, që edhe pse survejohet nga gjithë satelitët e botës, nuk e di kush se ku është dhe çfarë bën.

Meqenëse nuk kemi guximin që intervistuesit më të famshëm që kemi në redaksi, “Iriqi”, t'i kërkojmë që edhe ai të ndërpriste pushimet dhe të merrte në intervistë “Historianin e Gushtit”, atëherë po shfrytëzojmë disa nga pasazhet e analizës së Nanos, për të marrë përgjigjet për rëndësinë që kanë pushimet e figurave botërore si Trump, Merkel, Jong, Basha, Rama...

Çfarë mendoni për pushimet dhe heshtjen e gjatë të kryetarit të opozitës, ndërkohë që vendi digjet dhe qeveria gati nuk ekziston?

Mustafa Nano: Tani, Bashën mund ta sulmosh nga të gjitha anët. Për arsye të njohura, ai është një tabelë e lehtë qitjeje. Por le t’ia kursejmë kritikat për faktin që ka ikur me pushime në muajin gusht. Nuk ka kuptim të qortohet për këtë. Jemi në një stinë pushimesh, në të cilën protagonizmi i të gjithëve është minimal. Mbeten më aktivë ata që kanë marrë përsipër të qeverisin vendet e tyre, por edhe këta bëjnë pushime. Donald Trumpi e ka drejtuar Amerikën e këtyre ditëve të gushtit nga fushat e golfit. Jo vetëm kaq. Edhe gjysmat e fundjavave, që prej momentit kur ka hyrë në zyrën ovale, i ka kaluar jashtë Shtëpisë së Bardhë, për qejf të vet. Ku edhe ka bërë Presidentin, sigurisht.

Pra Basha nuk po bën asgjë më pak dhe asgjë më shumë se presidenti i SHBA?! Mos ndoshta duhej të ndiqte një model tjetër?

Mustafa Nano: Kryeministrja britanike Theresa May, mu në pikun e halleve me Brexit-in, ka planikuar të kalojë nja tri javë të mira në Itali e në Zvicër. Angela Merkel ka lënë fushatën elektorale, dhe i është drejtuar gjithashtu Italisë së Veriut. E kështu me radhë. Është normale kjo. Pushimet të çlodhin, por edhe të bëjnë të ripërftosh energji të humbura gjatë vitit e të rikuperosh qetësi, kthjelltësi e ekuilibër. Në këtë kuptim, është edhe në interesin publik që drejtuesit e vendit të gjejnë kohë të pushojnë.

Pra ju mendoni se ajo që është normale në SHBA dhe Gjermani është, edhe në Shqipëri?!

Mustafa Nano: Është normale kjo. Pushimet të çlodhin, por edhe të bëjnë të ripërftosh energji të humbura gjatë vitit e të rikuperosh qetësi, kthjelltësi e ekuilibër. Në këtë kuptim, është edhe në interesin publik që drejtuesit e vendit të gjejnë kohë të pushojnë. Nga ana tjetër, janë edhe familjarët e tyre që duan t’i kenë pranë të paktën një copë herë gjatë vitit. Dhe stina e verës është koha më e përshtatshme për këtë. Theresa May e Angela Merkel, fjala vjen, janë duke i bërë pushimet me bashkëshortët e tyre. Trumpi me Melania-n e me djalin e tyre të vogël. Edi Rama me familjen. Lulzim Basha po njësoj me familjen.

Për të njëjtat arsye zbrazen gjatë verës edhe ndërtesat e institucioneve të tjera. Të gjithë ikin me pushime. Kombi vihet të punojë në regjim bazik a minimal. Veprimtaria humane zhvendoset pothuajse e tëra buzë detit apo majë maleve. Në këto rrethana, edhe ai që nuk i ka qejf pushimet, është i detyruar të pushojë. Sepse nuk ka me kë të punojë, nuk ka se kujt t’i shesë a t’i blejë, nuk ka se me kë ta bëjë një transaksion, një kontratë, e kështu me radhë. E mes institucioneve të shkrehura gjatë muajit gusht janë partitë e opozitës ato që by default nuk kanë se ç’të bëjnë. Ato thjesht mund të shtiren sikur punojnë, mund të nxjerrin ato zëdhënëset e pispillosura të shtypit për të lexuar ndonjë deklaratë kundër Qifes, por ky do të ishte një teatër i panevojshëm (meqë ra fjala, Basha do bënte mirë t’i jepte fund kësaj praktikës së opozitës që bën denoncime kuturu, “sa m’u gjend Kola në punë”, nga foltorja e partisë, me gojën e këtyre zëdhënësve; jo për gjë, por kjo mënyrë e të bërit të opozitës është pushim e shkuar pushimit).

Por Shqipëria po digjet?! Mos po ndodh e njëjta gjë edhe në SHBA dhe Gjermani dhe prandaj Merkel pushon në Itali, kurse Trump luan gjithë ditën golf?

Mustafa Nano: “Shqipëria po digjet, ndërsa ti rri më shullëhesh në diell”, i shkruante dikush Edi Ramës këto ditë.

Ka dashur ta shohë Edi Ramën me kostumin e zjarrfikësit, me pompa uji në dorë e me bombola në shpinë? Jo, thjesht ka dashur të sigurohet se ai është në zyrë. Është një imazh ngushëllues ky për shumë shqiptarë. Dhe kjo ka lidhje me mendësinë që e lidh efektivitetin e një politikani me praninë e tij në kryeqytet, në zyrë, mundësisht nëpër ekrane televizorësh. Ndërkohë që një politikan mund të punojë edhe atje ku është. Donald Trumpi e bëri sherrin e madh “të nivelit bërthamor” me Kim Jong-un-in, teksa ka qenë në Neë Jersey apo në Mar-a-Lago, i veshur me kostumin e bardhë të golfistit.

Me siguri, edhe diktatori koreano-verior ka qenë duke u argëtuar, teksa i është dashur të shkëmbejë me Trumpin mesazhet, me të cilat i kanë kallur datën gjithë botës. Madje, diktatorët si rregull janë më të ngeshëm e më të thekur për dëfrime. Thjesht bëjnë si më të zënë e më të përkushtuar pas punëve. Por nuk ka arsye të jenë më të zënë. Regjimet e tyre janë më të lehta për t’u qeverisur e mbajtur. Kohën më të madhe e harxhojnë duke gjurmuar ata që flasin kundër tyre.

Për ta mbyllur sërish me Lulzim Bashën, unë do t’i thoja: Vijo pushimet, Basha! Nuk është ky problemi yt! Pushimet janë e vetmja gjë me vend, e me mend, që ke bërë këto kohët e fundit.

Ky pra ishte thelbi i editorialit të Mustafa Nanos në mbrojtje të pushimeve të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, pa i hequr asnjë presje...edhe pse ai vetë tani në Gusht i është futur punës, si Skënderbeu turqve!

Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Muq nano18/08/2017 12:16

Ky eshte anal-isti me I mire qe kemi....jepi by....muq

Shto koment

Denonco