Tjetërsuan votat në Tiranë, KQZ bën kallëzim penal për 76 numërues

Tjetërsuan votat në Tiranë, KQZ bën kallëzim penal për 76 numërues

11:28, 19/07/2017
A+ Aa A-

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të bëjë kallëzim penal për 76 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit. 

Sipas zëdhënës së KQZ, Drilona Hoxhaj, "në bazë të provave që KQZ administron, 76 komisionerët zgjedhorë të nivelit të tretë kanë konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 326 i Kodi Penal, për falsifikimin e materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve.

Ky kallëzim penal bëhet pasi KQZ shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin të votimit për zonën zonën zgjedhore, qarku Tiranë, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave për 64 qendra votimi në qarkun e Tiranës, me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit. 

KQZ gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore, administroi me cilësinë e provës dokumentacionin zgjedhor të përpunuar nga komisionet zgjedhore përkatëse dhe vendosi të rinumërojë dhe rivlerësojë votat e qendrave të votimit, ku në përfundim të këtij procesi rezultoi se: 

- për 24 qendra votimi në Qarkun Tiranë, rezultati i dalë nga rinumërimi ishte i ndryshëm me rezultatin e nxjerr nga grupet e numërimit në VNV. 
Anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera, krahasuar me numrin real të votave qe u gjendën në kutinë e votimit. Në këtë mënyrë rezultati i qendrës së votimit nuk pasqyronte rezultatin real, të cilët zgjedhësit e këtyre qendrave kanë shprehur nëpërmjet votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore.

Ndryshimet e konstatuara në tabelat e rezultatit janë në një masë të tillë që nuk sjellin pasoja në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonë zgjedhore, por anëtarët e Grupeve të Numërimit për 11 KZAZ-të e Qarkut të Tiranës, kanë konsumuar elementë të veprës penale “falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve”, të parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal.

Rinumërimi i votave tregoi se veprimtaria e numëruesve inkurajohet nga subjektet zgjedhore, të cilat janë po aq fajtore sa numëruesit për sa kohë pranojnë rezultate fiktive. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje prokurorisë që të hetojë dhe të çojë përpara drejtësisë shkelësit e ligjit.

Gjithashtu, KQZ i bën apel edhe të gjithë atyre personave të cilët kanë dyshime të arsyeshme apo prova për shkelje të ligjit zgjedhor, t’i dorëzojnë ato në prokurori. 
Dërgimi para drejtësisë i personave që kryejnë vepra penale në lidhje me zgjedhjet, jo vetëm rrit përgjgjësinë e komisionerëve zgjedhore për zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor dhe respektimin të vullnetit të qytetarëve, por gjithashtu rrit besimin në procesin zgjedhor".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco