Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

VIDEO/ Basha në PPE: Shqipëria rekord për kultivimin e kanabisit, duan të manipulojnë zgjedhjet

VIDEO/ Basha në PPE: Shqipëria rekord për kultivimin e kanabisit, duan të manipulojnë zgjedhjet

16:22, 29/03/2017
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po marr pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane që po zhvillohet në Maltë.

Gjatë fjalës së tij në Kongres, Basha deklaroi se Shqipëria është vendi i parë në Europë për kultivimin dhe trafikimin e kanabis sativës.

“Shqipëria është vendi i parë për prodhimin e marijuanës. Në 75% të territorit janë kultivuar dhjetëra parcela droge. Parcelat e drogës ruhen me persona të armatosur. Trafiku i drogës sjell të ardhura të shumta. Kjo është përgjegjësia e qeverisë, pasi është bashkëpunëtore me krimin”, tha lideri demokrat Lulzim Basha.

Kryedemokratik akuzoi qeverinë Rama se do të manipulojë zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit.

“Qeveria po kërkon të manipulojë zgjedhjet. Nuk pranojnë votimin e numërimin elektronik. Shqiptarët ju bashkuan protestës në 18 shkurt. Beteja jonë për zgjedhje të lira do të vazhdojë”, theksoi Lulzim Basha.

Fjala e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha:

I nderuar president Daul

Të nderuar anëtarë të këtij samiti

Të nderuar të ftuar

Më lejoni të filloj duke falenderuar mikëpritësit tanë Partine Nazzjonalista dhe t'u uroj atyre fitore në sfidën që po vjen me zgjedhjet e ardhshme këtu në Maltë.

Projekti europian ndodhet nën presion kudo në Europë dhe është nën presion në Ballkanin perendimor dhe në Shqipëri gjithashtu. Faktorët kryesorë të këtij presioni në vendin tim janë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që po kërcënojnë themelet e bashkëjetesës demokratike dhe shtetin ligjor.

Sipas Europolit, raportit të Departamentit të Shtetit në javën e kaluar, dhe po ashtu raportet e autoriteteve italiane, sot Shqipëria është vendi i parë i prodhimit dhe  furnizimit të marijuanës në Europë. Vitin e kaluar, autoritetet italiane raportuan se kultivimi i drogës është rritur me 5 herë krahasuar me 2015. Vetëm në 17% të territorit që është monitoruar nga ajri nga autoritetet italiane në 2016, u identifikuan 2086 plantacione. Mijëra njerëz punojnë në këto plantacione që ruhen nga qindra roje të armatosur të punësuar nga krimi i organizuar. Tashmë kjo  industri, e cila mbrohet dhe ka lidhje direkte me qeverinë, sipas raporteve ndërkombëtare po prodhon qindra milion euro.

Për më shumë, sipas Europolit dhe raportit të Departamentit të Shtetit mbi narkotikët dhe pastrimin e parave, Shqipëria është kthyer në portën kyçe të shpërndarjes së heroinës kudo në Europë si dhe bazë për operacionet e krimit të organizuar në rajon e në veçanti për pastrimin e parave.

Kjo situatë dramatike është pasojë direkte e veprimeve nga qeveria aktuale socialiste që ka promovuar trafikantë droge dhe njerëz të dënuar në Europën perendimore për akuza të rënda për krim të organizuar, të cilët janë bërë deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë publikë.

Ligji për dekriminalizimin i imponuar me vullnetin e Partisë Demokratike dhe  Partisë Popullore Europiane, nuk është zbatuar.

Ky është projekti politik i maxhorancës socialiste, për të manipuluar  dhe  vjedhur  zgjedhjet e ardhshme.

Ja përse, gjatë vitit të fundit ata kanë refuzuar çdo propozim për reformë elektorale konform rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Perspektiva e frikshme, që përmes kësaj zhbërje të demokracisë, Shqipëria të kthehet në parajsën e drejtuar nga droga dhe krimi, po ndodh në zemër të Europës. Ky model, i cili ka për qëllim përzgjedhjen e Parlamentit dhe qeverisë jo nga populli, por nga krimi dhe paratë e drogës, mund të ketë pasoja të rënda në rajon.

Nëse kjo betejë nuk luftohet dhe fitohet në Shqipëri, vend anëtar i NATO dhe shtet kandidat për BE, me një shoqëri thellësisht pro-europiane, ku tjetër mund të fitohet?

Ne gjendemi përpara dy zgjedhjeve. Të injorojmë dhe mbulojmë këtë realitet të frikshëm ose të ngrihemi dhe të luftojmë për thelbin e vlerave të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë.

Në 18 Shkurt shqiptarët e bënë zgjedhjen e tyre dhe i’u bashkuan protestës më të madhe të Shqipërisë post komuniste. Sot është dita e 40-të që protesta vazhdon 24 orë në ditë. Lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon këputjen e lidhjes mes qeverisë dhe krimit të  organizuar.

Ja përse vetëm një qeveri teknike mund të përmbushë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe duke luftuar kultivimin e narkotikëve dhe trafikimin.

Europa nuk është thjesht një Kontinent. Eshtë një projekt, një ide dhe në zemër të këtij projekti është demokracia, shteti ligjor dhe dinjiteti individual.

Ja përse lufta jonë për një Shqipëri europiane është njëkohësisht lufta për vetë projektin europian në Shqipëri dhe Ballkan.

Ne po luftojmë për këto vlera themelore, vlerat tona të përbashkëta europiane dhe është koha të ngrihemi bashkë për to.

Dhe ju siguroj, se me ndihmën tuaj, dhe bindjen e fortë për vlerat e përbashkëta europiane që përbëjnë dhe identitetin e vetë Europës, ne do të mund të udhëheqim Shqipërinë larg kësaj gremine, duke shtypur krimin e organizuar dhe duke rikthyer edhe njëherë vlerat e demokracisë, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, ekonominë e tregut të lirë, konkurencën, që përbëjnë edhe identitetin europian dhe identitetin e Shqipërisë së ardhme europiane.

Faleminderit!?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco