SHBA kundër PD? Lulzim Basha: Nuk komentoj zëdhënësa pa emra të ambasadës

SHBA kundër PD? Lulzim Basha: Nuk komentoj zëdhënësa pa emra të ambasadës

22:56, 27/03/2017
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit të djeshëm të Top-Channel, që citonte një zëdhënës të ambasadës amerikane, i cili deklaronte se Presidenti Trump nuk e mbështet protestën e opozitës.

Në një prononcim për emisionin “Opinion” mbrëmjen e sotme, kryedemokrati Basha tha se nuk komenton asnjë deklaratë zëdhënësi, e aq më pak i transmetuar nga një televizion që ndodhet nën një presion qeveritar.

Sa i përket zgjedhjeve, Lulzim Basha ripërsëriti qëndrimin e tij se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për një qeveri teknike, në të kundër zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër nuk do të ketë.

Këtë qëndrim Basha e mbajti edhe kur u pyet për zgjedhjet e pjesshme kryebashkiake në Kavajë. Shefi i opozitës paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do të ndërmerren veprime konkrete dhe u zotua se Bashkinë e Kavajës nuk kanë për ta lënë në dorë të socialiastëve.

Pyetje: Z.Basha a mund të jeni më i qartë në konfirmimin që keni marrë për vazhdimin e protestës tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitën që patët. Ka pasur deklarata dhe kundër deklarata për atë çfarë keni besuar në departamentin e shtetit?

Basha: Asnjë kundërdeklaratë. Unë jam shprehur fare qartë dhe nga Uashingtoni jam kthyer me 3 mesazhe. Mesazhi i parë është një mesazh përgëzimi për qytetarët shqiptarë, për këtë lëvizje qytetare kombëtare paqësore e demokratike, për një kauzë të madhe siç është kauza e lirisë, kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mesazhi i dytë është falenderimi që shqiptarët, të bashkuar, të emancipuar, nga rreziku i krimit dhe një qeverisje të bërë njësh me krimin, po bëjnë detyrën e tyre në një front të gjërë ku po luftohet për lirinë, ku liria është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga tirania, nga terrorizmi, nga keqqeverisja. Këtu, në këtë pjesë të frontit, liria kërcënohet nga keqqeverisja, nga krimi i organizuar, nga droga dhe këto dy komponentë lidhen fare lehtësisht edhe me rrezikun terrorist që i kanoset sot botës së civilizuar, Europës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tërësi. Prandaj është një falenderim, që shqiptarët me qendresën e tyre, me vendosmërinë e tyre për të luftuar për liri, bëhen pjesë e këtij fronti të lirisë. Dhe mesazhi i tretë, është mbështetja totale nga Partia Republikane e në veçanti nga stafi fitues i fushatës presidenciale të Donald Trump, për fushatën e ardhshme të Partisë Demokratike. Pra do të kemi ekspertët e fushatës fituese të Presidentit Trump në krah të Partisë Demokratike në fushatën zgjedhore, fushatë që do të vijë menjëherë pasi të sigurojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes, dhe vetëm një qeverie teknike. Besoj se kam qenë fare i qartë.

Pyetje: Megjithatë, në lajmet e Top Channel është trasmetuar një zëdhënës i ambasadës …

Basha: Nuk merrem dhe nuk komentoj mediat, aq më shumë mediat nën presion qeveritar, aq më pak zëdhënësa pa emra apo me emra. Qendrimi im është i qartë. Kam thënë dhe e kam përsëritur sot mesazhin që kam marrë nga Uashingtoni. Siç ma kanë dhënë, ua kam dhënë qytetarëve shqiptarë dhe protestuesve në çadër. Kush shton apo heq nga qendrimet e mia, nuk e bën për hesapin tim, e bën për hesap të vet, dhe unë nuk merrem me komentet e atyre që bëjnë hesapet e vetes së tyre. Qendrimi im ka qënë i qartë. Nuk ka asnjë interferencë apo spinim mediatik të çfarëdollojshëm, që të më heqë asnjë presje, asnjë pikë nga ato që kam thënë.

Pyetje: Po për letrën që ka mbërritur nga një zyrtar i partisë së znj.Merkel ku ndër të tjera thuhet se pas votimit që është bërë për reformën në drejtësi duhet që bashkëpunimi të vijojë edhe për çështjen e zgjedhjeve, që të mos ketë probleme për zgjedhjet e ardhshme?

Basha: Çfarë thuhet faktikisht aty, shpresoj që të lexohet edhe sonte në studion e Opinion. Shqetësim shumë shumë i madh për zgjedhjet, dhe ky është qendrim i një aleati me një kontribut dhe angazhim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë europiane, Gjermanisë e në veçanti partisë tonë simotër CDU-së, grupit parlamentar CDU-CSU. Absolutisht që ky shqetësim, vjen si rezultat i njohjes së thellë të problematikës. Denoncimit të kësaj problematike pak metra që këtej nga z.Kirschbaum, mohimit dhe fshehjes së kësaj problematike nga kryeministri disa ditë para se të shkonte për vizitë tek Kancelarja, e cila po kështu përsëriti qartësisht problemin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Problemi pra është përtej cdo diskutimi. Në çdo deklaratë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit e tyre në Tiranë, qoftë nga deklarata që ka ardhur sot nga nënkryetari i grupit parlamentar gjerman, problematika është ajo që themi ne, që konstatojmë ne. Ne na takon të japim rrugët e zgjedhjes dhe ne kemi parashtruar me qytetarët shqiptarë të vetmen rrugëzgjidhje që ka mbetur, që është rruga e qeverisë teknike. Shqetësimi për bojkotin parlamentar dhe mosregjistrimi në zgjedhje është shqetësimi i miqve që duan që kjo të kalojë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Unë e mirëkuptoj këtë shqetësim por dua të përsëris, përmes dritares të “Opinion”, për qytetarët shqiptarë, siç ju kam thënë miqve që kam informuar në Uashington dhe që do të informoj edhe në qendrat e tjera të politikbërjes në Europë, që kjo nuk është dëshira jonë, nuk është zgjedhja jonë. Jemi të detyruar drejt kësaj mase ekstreme, për të detyruar qeverinë të mos shkatërrojë tullën e fundit të demokracisë dhe stabilitetit, të bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kemi dhënë një zgjidhje të ndershme për të gjitha palët, në momentin që kjo zgjidhje ekzekutohet, Partia Demokratike dhe aleatët do ti japin fund bojkotit në Parlament dhe do të marrim pjesë në procesin zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, me qeveri teknike që garanton ....

Pyetje: Që do të jenë në qershor?

Basha: Do të jenë atëherë kur do të jenë. Kjo nuk varet tërësisht nga unë dhe nuk mund ta them sonte. Varet se kur do t’i thërrasë mendjes Edi Rama, se kur do të hapë veshët të dëgjojë zërin qytetarët. Por rrugë pas nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Pyetje: Z.Basha pas takimeve, keni zhvilluar biseda dhe mbledhje me stafin tuaj të afërt, po kështu mbledhje me grupin tuaj parlamentar, a keni patur zëra kritikë për protestën dhe mënyrën se si po zhvillohet?

Basha: Asnjë zë kritik. Mbështetje totale nga grupi parlamentar, nga kryesia e partisë, nga kolegji i kryetarëve të degëve të PD dhe nga aleanca e PD, koalicioni opozitar, ku sot kemi dalë edhe me një deklaratë të përbashkët me shkrim, të cilën me siguri edhe ju e posedoni dhe do ta afishoni.

Pyetje: A është e vërtetë që pas kthimit nga SHBA, PD ka ndezur motorët e organizimit në rrethe për zgjedhjet e qershorit? Pasi deri tani dukej se të gjitha energjitë ishin të projektuara më së shumti tek çadra e lirisë?

Basha: Jo, ne kemi ndezur motorët e kontaktit me bazën, në veçanti me qytetarët, me forumet qyyetarë për zgjedhje të lira, forume që janë formuar prej dy javësh dhe funksionojnë pikërisht në kuadër të betejës për zgjedhje të lira. Ka një kohë për zgjedhjet, dhe kjo kohë po afron. Por tani është koha të përfundojmë me sukses betejën e nisur me 18 shkurt, e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë alternativë tjetër nuk garanton votën e shqiptarëve dhe ne do të këmbëngulim për t’i dalë me sukses kësaj beteje.

Pyetje: A mendoni se në një farë mënyrë përqëndrimi i energjive këtu, ndoshta e ka humbur paksa vigjilencën e PD për të organizuar strukturat dhe për t’u përgatitur nëse zgjedhjet do të jenë në qershor?

Basha: Strukturat e Partisë Demokratike janë tërësisht të mobilizuara, të angazhuara, vigjilente. Eshtë pjesë e suksesit të kësaj proteste, gadishmëria dhe potenciali i PD, sigurisht dhe i aleatëve dhe qytetarëve, që i falenderoj me mirënjohje të thellë për këtë qëndresë të paprecedent. Po mbyllim ditën e 38 të një proteste non-stop, të paprecedentë në historinë e Shqipërisë apo të Ballkanit. Ndaj, kushdo që shqetësohet për gadishmërinë apo potencialin e PD, që e ka me të vërtetë këtë shqetësim, dua ta qetësoj sot dhe ti them PD është gati për betejë, gati për fitore. Sigurisht, në një garë të ndershme, në zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike

Pyetje: Do të merrni pjesë në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës?

Basha: Sigurisht që në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për asnjë proces të rregullt zgjedhor, qoftë ky i pjesshëm, lokal apo zgjedhjet e përgjithshme, afërmendsh.

Pyetje: Domethënë, Kavajën do ta keni të humbur për sa kohë do të garojë kandidati, që do të jetë socialist?

Basha: Kavajën nuk do t’ia dorëzojmë krimit për këtë të garantoj.

Pyetje: Në ç’mënyrë do ta bëni këtë?

Basha: Këtë do t’a shikoni hap pas hapi.?

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

laduti28/03/2017 10:42

O File ku e kupton dot Lulin ti o k... i lalit. Meru me ndonje pune qe ta mer mendja se e ben mos u mer me politike eshte sport i veshtire ky. Edhe Edvini nuk i dha dot dum kesaj pine.

Tafil Guri28/03/2017 08:36

Luli paska ik per lesh. Tjeter i thone e tjeter kupton.

ZAGTr28/03/2017 02:56

Edhe une shtirem si zedhenes por kush me njeh?

Shto koment

Denonco