INTERVISTA/ Zgjedhja e presidentit dhe kandidatët, flet ministri Petrit Vasilit

INTERVISTA/ Zgjedhja e presidentit dhe kandidatët, flet ministri Petrit Vasilit

23:04, 23/03/2017
A+ Aa A-

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili në një intervistë të mbrëmjes së sotme për ABC News ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. Sipas Vasilit ende nuk është menduar për një kandidaturë, pasi është ende në detyrë Bujar Nishani.

Më poshtë intervista e plotë e Petrit Vasilit:

Z. Vasili ku jemi me Reformën në Drejtësi?

Ashtu sikurse edhe ju e keni përcjellë në mënyrë të vazhdueshme e të përditshme, janë momentet e para të aplikimit të kandidaturave për ngritjen e organeve përkatëse të gjyqësorit, përfshirë edhe kandidaturat për ndërtimin e komisioneve të ardhshme të vettingut. Pra, jemi në këtë fazë paraprake, e cila deri më tani ka ecur me një ritëm relativisht normal, sigurisht me disa zgjatje, të cilat janë përcjellë nga ana juaj, për shkak të numrit të pakët të atyre kandidatëve, të cilët i plotësonin kushtet e kërkuara nga ligji, por me dy vendime të njëpasnjëshme, siç ju e dini, ne jemi përpjekur të zhbllokojmë dhe të krijojmë një situatë të re, e cila krijon mundësi më të mëdha konkurrimi. Është në besimin e Avokatit të Popullit tashmë ky proces, në mënyrë të veçantë për vettingun dhe të Kuvendit të Shqipërisë për organet e tjera, për të parë në këtë proces se si do të ecet dhe cilat do të jenë kandidaturat disponibël për të bërë një zgjedhje, për të pasur pra më shumë kandidatura për më pak vende, pasi edhe mundësitë e zgjedhjes janë më të mëdha.

Keni lëshuar opinion për ONM-në? Që nuk ka vetëm rol rekomandues, por edhe diktues...

Kam pasur një pozicion shumë të qartë për ONM-në, të cilin vazhdoj ta kem edhe sot që ONM-ja duhet të përcaktonte gjithçka në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Edhe përgjigjet e tjera që kanë ardhur nga ONM-të, ju e keni parë sërish që ONM i është referuar Kushtetutës së shkruar në anglisht. Unë jam ministër i Drejtësisë i Shqipërisë, jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë, organet gjyqësore që do ngrihen janë të Shqipërisë dhe do t’i referohen Kushtetutës së Shqipërisë. Besoj se kjo çështje është një çështje, e cila duhet të flasë shqip dhe ONM sigurisht duhet të mësohet të flasë shqip.

Por për momentin po flet anglisht edhe tani...

Po, përderisa në përgjigjen e shkruar ka pasur një referim të tillë dhe preokupimi im ka qenë një dhe vetëm një: Çdo element në këtë startim të reformës duhet të ishte shumë mirë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, pasi mesazhin më të fortë që mund të japim në këtë rinisje, këtë ristartim të drejtësisë, është të qenit shumë rigoroz në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit. Absolutisht nuk mund të jepte një mesazh qoftë edhe të dyzuar në këtë pikë, pasi do riciklonim pjesë të së shkuarës, të cilën ne nuk donim ta përjetojmë sërish.

Ku është hapësira e dyzimit të ONM-së në këtë proces?

Ne i kemi kërkuar në mënyrë të qartë ONM-së, në kuptimin më të mirë të fjalës, që ajo të eliminonte çdo etapë në mënyrën e komunikimit me institucionet. Roli i komunikimit të saj të ishte vetëm me gjuhën e ekspertëve ndërkombëtarë, pra të asnjë lloj personaliteti apo drejtuesi, i cili të kishte një përkatësi apo një përzgjedhje politike. Pasi Kushtetuta jonë flet qartë, u ka besuar këtë atribut, pra ka ceduar nga vetja, në emër të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët janë prokurorët dhe gjykatësit në vendin e tyre me integritet tepër të lartë për eksperiencën e gjatë. Janë tashmë të vetuar sipas këtij koncepti që kemi ne, pra ne kemi besim absolut. Pra, ne ua kemi ceduar atyre dhe jo personaliteteve politikë. Prandaj e kemi kërkuar në mënyrë të qartë, në mënyrën më dashamirëse të fjalës që mënyra e komunikimit, rregullat e brendshme të qëndrojë pikërisht këtu. Një nga dokumentet më shumë të ONM-së i cili ka ardhur, madje edhe në kohë, ka qenë me Drejtorinë e Zgjerimit dhe Integrimit Evropian. Nuk mund të ishte i tillë, duhet të ishte me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Pra, kishte mjaft elemente të karakterit edhe formal, të cilat duheshin korrigjuar dhe gjithçka kemi korrigjuar ka qenë me dashamirëse në mënyrë, që të kishim një integritet të plotë edhe të veprimtarisë së ONM-së së Shqipërisë. Besoj këtu kemi bërë mirë dhe i kemi ndihmuar të tërë, që procesi të mos kishte as vërejtje, as kontestime dhe të jepte shembullin ekzemplar, që ja në fund kemi respektim, jo improvizim lidhur me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit dhe çështja mbyllet këtu.

Ju jeni zv. kryetar i LSI-së, por edhe ministër i Qeverisë 'Rama'. Qëndrimi juaj në lidhje me ONM-në kanë qenë edhe në përputhje me qëndrimin e Kryeministrit tuaj?

Besoj se ka dhënë një përgjigje shteruese vetë Kryeministri për këtë çështje në studion e një kolegut tuaj, që qëndrimet tona kanë qenë qëndrime të përputhura me qëndrimin e qeverisë, e cila në këtë rast është shprehur nëpërmjet meje, pasi edhe fusha e veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë është e natyrshme që të shprehë problematikën në qoftë se ai gjen të tilla. Nëse merren ose nuk merren në konsideratë, kjo është një çështje tjetër.

Si është marrëdhënia në qeveri me Kryeministrin Rama? Sepse kohët e fundit janë shtuar sulmet, ku eksponentë të partisë suaj kanë pasur akuza të njëpasnjëshme. Si ndihet atmosfera në qeveri pas këtyre akuzave të LSI-së për ministrat socialistë?

Jo akuza, por vërejtje reciproke brenda qeverisë ka pasur nga ne, ka pasur madje edhe nga deputetë të Partisë Socialiste. Unë kam përcjellë mjaft vërejtje të mjaft deputetëve edhe socialistë, të cilët janë shprehur fort. Nuk kam parë ndonjë problem në këtë rast. Besoj që kjo qeveri ecën përpara kur vetëkorrigjohet. Në rast se është e vetëkënaqur, e kam thënë edhe më parë, në atë ditë që do të vetëkënaqet e ka ditën e fundit të qeverisjes së saj. Një qeveri, e cila është e pakënaqur me veten është një qeveri, e cila mund të shpresojë se mund të bëjë gjëra të mira. Në rastin konkret meqë iu referuat z. Luan Rama, nuk ka pasur as vërejtje të personalizuara ndaj individëve, apo ndaj personit, por ka trajtuar ashtu siç e kam trajtuar dhe unë përpara z. Rama këto problematika, që kanë të bëjnë me një problematikë, siç është problemi i kultivimit të kanabisit, i cili nuk është më një problem i kufizuar, as si domen i vërejtjeve, që thjesht e vetëm ngrihen nga unë, apo z. Rama e të tjerë, por është një shqetësim i qeverisë, e cila ka miratuar edhe një strategji të re për këtë gjë. Ky shqetësim ka ardhur qoftë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, qoftë nga Antimafia italiane, që është shprehur edhe për një rritje eksponenciale të prodhimit të drogës. Departamenti Amerikan i Shtetit është akoma më kritik dhe i gjithë ky sfond qoftë edhe Europoli etj., na bëjnë që të mendojmë se si do ta përballim problemin. Çështja nuk është mbi vërejtjet ndaj ish-ministrit Tahiri. Ish-ministri Tahiri nuk është qeveria vetë. Kjo është një përgjegjësi e madhe qeveritare e cila duhet të përballet që nga kryeministri në radhë të parë dhe cilido që ka detyrën përkatëse. Z. Luan Rama tha një gjë shumë të mirë, që administrimi i territorit nënkupton edhe këtë problematikë. Dikur ne kemi pasur mjaft kryetarë komunash që janë pezulluar dhe janë ndjekur penalisht, sepse në zonën e tyre rritej kanabis. Është një përgjegjësi që secili duhet të përgjigjet për të. Por, detyrimisht duhet të kthehet në një aksion të madh kombëtar. Këtu çështja është dhe duhet të ndahet. Në rast se media shqiptare dhe ajo botërore e marrin dhe e rimarrin këtë problematikë, s’mund të themi nuk ekziston. S’mund të themi që punët shkojnë mirë. Ta shikosh ballazi do të thotë të kesh kurajë. Ti ikësh problemit do të thotë të lësh një realitet, i cili kriminalizon jetën e vendit. Kjo mund të kriminalizojë edhe jetën e brezave të rinj.

A reflekton ky tension në punën tuaj në qeveri me Kryeministrin?

Absolutisht, nuk ka lidhje. Unë personalisht kam një eksperiencë të gjatë në punët e shtetit dhe në pozicione të caktuara e kam e ndarë shumë mirë atë që është tensioni politik dhe atë që është detyrimi dhe korrektesa në komunikimin qeveritar. As jam ngatërruar, as s’kam ndërmend të ngatërroj. Kam dy foltore gjithmonë për një politikan. Ka një foltore kur je ministër, dhe ka një foltore ku flet si politikan, ka të tjera hapësira për të folur. Besoj që të dyja janë të mundshme për t’u përdorur.

A do të jeni së bashku në koalicion me Partinë Socialiste?

Unë e kam përcjellë këtë kërshëri pa fund, e cila ka minimizuar vëmendjen e problemeve të tjera që ka vendi. Ne sot kemi një situatë të një tensioni politik, i cili është evident, i cili duke mos pasur opozitën në Parlament, nuk mund të mos themi që Parlamenti shqiptar funksionon në normalitetin e tij të plotë. Nuk është një ditë e mirë për parlamentarizmin, kur sistemi zhbalancohet dhe salla është përgjysmë. Ka qenë po kaq dramatike edhe kur Partia Socialiste bojkotonte Parlamentin. Ky është një moment që krijon tension. Kësaj çështjeje duhet t’i gjejmë një “shërim”. Së dyti, reforma në drejtësi kërkon përgjigje të shpejta në mënyrë që të ecë si reformë. Por, pa pasur përgjigje dhe zgjidhje të këtyre çështjeve të mëdha, do të ishim krejtësisht jashtë realitetit. Duhet me i dhënë zgjidhje këtyre problemeve pastaj të zgjidhim se cila është mënyra e konkurrimit të garës së radhës. Pluralizmi çdo katër vjet prodhon garën e radhës. Kemi disa probleme të mëdha përpara, saqë s’kemi përgjigje për to. Në rast se do të kemi nesër një përgjigje për koalicionin, a do të kishim përgjigje për aktualitetin e radhës.

Do të bënit kalkulimet politike të radhës...

Matematika nuk qëndron nëse kemi një situatë të zhbalancuar politik, ku një nga komponentët mungojnë sepse është një sistem me kontroll dhe balancë, gjë që mungon. Kësaj nuk i jepet përgjigje as me aleancë, as pa aleancë.

A kanë shteruar instrumentet për të gjetur një zgjidhje dhe a keni menduar ju si forcë politike për ndonjë instrument, që do të ulet në një tryezë bashkëbisedimi mazhorancën dhe opozitën për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike?

Unë nuk bëj pjesë në ata politikanë që të mendoj se instrumentet kanë shteruar. Në momentet kur instrumentet shterojnë në dialogun politik, shoqëria nuk është më pluraliste, shoqëria nuk është më demokratike. Në horizont ndoshta dialogu duket gati i paarritshëm, por nuk ka mundësi që të jetë i pamundur. Nëse do të ndërronim sistemin dhe do të ktheheshim në monokraci dhe autokraci, sigurisht që dialogu është i panevojshëm. Do të prodhonim pastaj dëmin dhe mjerimin e radhës. Në të shumë debatuarën të reformës në drejtësi askush nuk vinte bast se ne do të kishim një konsensus të madh në 21 dhe 22 korrik. LSI dhe Ilir Meta në mënyrë të veçantë besonte se instrumentet dhe dialogu janë pa fund. Duhet të kesh qasjen dhe mendjen e hapur për t’i parë dhe për të arritur atje. Mendoj që hapësirat për dialog nuk shterojnë por ka një qasjen që ne i besojmë; duhet të jemi shumë mendje hapur dhe tolerantë në dialog. Mazhoranca nuk duhet të lodhet duke kërkuar dialogun edhe me modesti, edhe me kokulur. Opozita nuk mund të ulet në dialog me ultimatume, pasi qasja shpërfillëse ndaj mazhorancës dhe qoftë një ultimatum i opozitës, asnjëra palë nuk do të ishte mirë. Nuk do të kishte zgjidhjen e duhur sepse secila palë do të bëhej agresive dhe më tepër do të ashpërsonin shoqërinë shqiptare. Në fund të ditës këto ekstreme totalisht të ndara do të paralizojnë shoqërinë. Padyshim që tryeza është e domosdoshme. Padyshim tryeza duhet të jetë ndërpartiake. LSI nuk ka asnjë kompleks nga tryeza dhe do të ulet e para në të. Tryeza, të jeni të bindur që i gjen gjërat e përbashkëta dhe ku detyrohen palët që t’i largohen ekstremeve. Tavolina do të jetë partiake edhe sepse është e pamundur të jetë vetëm parlamentare pasi kryetari i opozitës nuk është anëtar i Kuvendit. Megjithatë sido që të jetë formati i tavolinës duhet të ketë vendimmarrje dhe do të jetë në të mirë të vendit sepse zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për vendin. Ndaj bashkëndajmë një përgjegjësi madhore dhe kemi detyrim te merremi vesh. Nuk ka një politikë përjashtuese pafund pasi sistemi e përjashton këtë mundësi. Është një sistem pluralist me mazhorancë dhe opozitë.

Kryeministri Rama thotë se unë do të hyj në zgjedhje edhe pa opozitën. Cili është komenti juaj?

Nuk e besoj, pavarësisht nga deklaratat e Kryeministrit Rama, të jeni i bindur se Kryeministri Rama, por edhe e gjithë mazhoranca kurrë nuk do të mundet dhe nuk do t’i thotë jo dialogut dhe mirëkuptimit. Është e pamundur t’i thotë për një arsye të thjeshtë: do t’i themi po dialogut dhe sistemit. Sistemi politik na imponon dialog, ditën që do të themi se s’ka më opozitë apo ditën që opozita thotë nuk e njoh më këtë mazhorancë, sistemi ka rënë. Ky nuk është më një sistem politik, por është një anarki politike dhe nuk e di kush do të ishte komod në këtë anarki politike, mazhoranca apo opozita? Asnjëra nuk do të ishte komode. Një sistem ku njëra përjashton tjetrën, nuk do të ishte më sistemi ynë dhe ne në vitin 1990 jemi ndarë një herë e përgjithmonë nga një sistem që përjashtonte alternativat. Për këtë kanë votuar shqiptarët. Shqiptarët në vitin 1990 nuk e dinin me saktësi që do të kishte pikërisht një PD, PS, LSI dhe me mirëkuptimin e kolegëve të gjithë partive të tjera, që janë të gjithë të rëndësishme në sistem, votuan pikërishtv për të pasur alternativa.

Çdo lloj alternative politike përjashtuese, ngado që të vijë, opozita përjashton mazhorancën apo anasjelltas, ky është një sistem i pamundur politik. Këtu duhet të qasemi të gjithë, duhet të mendojmë të gjithë, prandaj unë mendoj që është dialogu se asnjë nuk është marrosur që të thotë se sistemi do të bjerë e që ne do të zgjedhim një sistem që nuk ekziston gjëkundi.

Në këto alternativa që ju thatë se nuk janë përjashtuese, por janë gjithëpërfshirëse a hyn edhe shtyrja e datës së zgjedhjeve?

Nuk dua të paragjykoj asnjë, sepse të them të drejtën për mua të gjitha janë konvencion. Për mua marrëveshja madhore, ajo që rivendos gjërat në vendin e duhur, do të thotë së pari të kemi zgjedhje të lira, të ndershme e të gjithëpranuara.

Ju e kujtoni fare mirë që njolla e zgjedhjeve të damkosura është një damkë që nuk është se thjesht do të prishë imazhin e vendit, por krijon një pasiguri kaq të madhe sociale e ekonomike saqë gjëja e parë që do të paguanim si faturë është një dekurajim ekonomik i jashtëzakonshëm, një dekurajim i investimeve dhe i biznesit dhe në fund të fundit të gjithë duhet të kuptojmë se të gjithë që dëgjojnë kur ne flasim për investimet e biznesit e themi për një arsye shumë të thjeshtë: 90% e fuqisë punëtorë sot punojnë në biznese private. Ky preokupacion madhor do të thotë se është një Shqipëri që rrënohet ekonomikisht. Dhe këto zgjedhje të lira, të ndershme e të gjithëpranuara bëjnë që e gjithë kjo të inspirohet. Nuk ka rëndësi se kush është fitues i zgjedhjeve, këtë e vendos populli me votë, por rëndësi ka që sistemi të jetë i shëndetshëm, qoftë ai zgjedhor, qoftë ai politik.

Dhë nëse kjo alternativë që ju thatë do të përfshinte dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve a do të ishit dakord?

Unë kam vetëm një bindje, që tryeza partiake mund të shterojnë çdo gjë dhe të gjejnë të gjitha shtigjet që në fund të fundit sistemi të vihet në funksionim. Sot kemi një sistem të bllokuar politik. Mazhoranca jonë qeveris, kemi një Parlament gjysmë bosh,kemi një opozita në rrugë e jo në insititucione, kemi një reformë në drejtësi të bllokuar. Pra kemi një shtet gjysmë të bllokuar, ne duhet të zhbllokojmë arteriet e shtetit, se nuk na lëviz gjaku mirë në venat e shtetit.

A mendoni se do të rivihej në lëvizje ky qarkullim i gjakur në rast të një qeverie teknike, që është propozim i PD-së?

Propozimi i PD-së është një qëndrim ultimativ, që shkon përtej asaj që politika ka konfiguruar. PD-ja ka drejtuar zgjedhjet e vendit në 2013-n dhe ka qenë ajo që i bëri këto zhjedhje dhe i çoi deri në fund, pavarësisht nga rezervat dhe kritikat shumë të forta që PS-ja në atë kohë ka pasur. Ju e dini që ka organizuar edhe një protestë shumë të ashpër siç ishte edhe ajo e 21 janarit e megjithatë shkuam në zhjedhjet e pushtetit vendor.

Pra do të thotë që nuk është një kërkesë realiste në pamjen e saj edhe formale dhe kushtetuese. Në këtë pikëpamje ardhja, në radhë të parë në realizimin e standardit së dhënies së të gjitha sigurive që zgjehdjet do të jenë të lira e ndershme, besoj se ky është misioni madhor. Pasi opozita garën e ka bazuar që të ketë mundësi të garojë në mënyrë korrekte, pra që vota të mos vidhet të mos influencohet nga faktorë negativë të parave kriminale. Në momentin që i sigurojmë këto garanci kjo është detyra madhore që kemi. Pastaj rezultatin dhe vendin që do të kemi secili nga ne, këtë e përcvaton populli.

Ndërkohë opozita është në çadër në ditën e 35-të, nuk ka çuar emrat e komisionerëve në KQZ, KQZ ka bërë njoftim që do t’i zëvendësojë me të tjerë. Si mendoni, çfarë duhet lëshuar konkretisht nga të dyja palët?

Të gjitha këto, edhe kjo anomali që ju cituatë së fundmi, janë anomali madhore. KQZ po vepron në përputhje me ligjin dhe nuk është përt’u kritikuar në këtë rast, por kemi të bëjmë menjë anomali madhore. E përfytyroni dot që të konkurojë vetëm një pjesë e politikës në zgjedhje? Çfarë ndodh nëse konkurojmë pas gjysmën tjetër të shkruar në Kushtetutë, sepse Kushtetuta flet për mazhorancë dhe opozitë, reforma një drejtësi flet ëpr mazhorancë dhe opozitë. Do të thotë cili është mekanizmi i kontrolit? Opozita është mekanizmi i kontrollit, sido që ta kryejë funksionin e saj. Anomalia është kaq madhore sa do të thotë tronditje e sistemit politi.

Përse e bën opozita sipas jush këtë protestë në çadër? Ka zëra nga PS-ja që thonë se e bën për t’iu shmangur Vetting-ut dhe një alibi për Bashën që kur të humbasë zgjedhjet nesër të thotë që e bëra përpjekjen? Ju si mendoni?

Unë nuk merrem fare me asnjë lloj komenti të kësja natyre. Dhe nuk besoj që komente të tilla na afrojnë te zgjidhja. Unë mendoj që sa më pak provokativë të jemi në deklaratat tona, në mënyrë të veçantë mazhoranca, e cila është e shtrënguar të jetë më e kujdesshme dhe më e gjerë, pasi është në atributet e mazhorancës që dukepasur pushtetin ka hapësirta më të mëdha për të ofruar dhe kompromis më të gjerë, sigurisht që opozita i kamundëistë më të kufizuara. Në këtë pikëpamje unë do të thosha që me çdo kusht duhet të bëjmë zgjedhjet që duhet, por zgjedhjet duhet të bëhen me standarde,mesiguri të plota të tyret dhe sigurisht që duhet të kemi zgjedhje me opozitë.

Votimi i z. Xhafaj si Ministër i Brendshëm a garanton zgjedhje të lira e të ndershme?

Nuk dua të bëj asnjë koment nëmënyrë të veçantë jo për z. Xhafaj, po për asnjë nga kolegët ministra.

Ndryshimi i Ministrit të Brendshëm është një garanci për opozitën për t’i thënë që ja ne ndryshuam ministrin dhe kjo gjë përmirëson apo jep garancitë që opozita kërkon?

Unë nuk di ta them këtë gjë sepse ky është një qëndrim që duhet mbajtur nga opozita. Por deklarata e freskët të z. Basha ishin shumëofensive dhe agresive lidhur me cështjen, kështu që besoj se nuk ishte diçka që opozita e përcolli si një hap apo shenjë se gjërat po funksionojnë ndryshe. Kryeministri ka bërë të gjitha ndryshimetqë janë në tagrin e tij kushteues, por nuk besoj se kanë shërbyer për çlirimin e një situatë që vazhdon të jetë thellësisht në ngërç.               

Z. Basha ka deklaruar për z. Meta që është patericë e qeverisjes? Cili është komenti juaj për këtë forcë politike që kryetarin e partisë tuaj e sheh..

Sigurisht është emocionaliteti i fortë i opozitës dhe lejon çdo lloj deklarate. Mund të dëgjoni gjëra edhe më të çuditshme se sa kaq. Nuk kam ndërmend të komentojë asnjë nga deklaratat e z. Basha pasi raportet që kanë ekzistuar midis z. Basha dhe ne, kanë qenë publike, të qarta dhe besoj që nga bashkëpunimi i dikurshëm politik, korrekt dhe i ndershëm i yni, z. Basha ka pasur dhe ka disa dhe funksione politike të cilat kanë qenë falë këtij bashkëpunimi të ndershëm.

Dhe një gjë është shumë e qartë për këdo në politik, në cilin politik ndodhet për shkak të saj që prodhon politik dhe për shkak të asaj për të cilën e votojnë shqiptarët. Dhe as mbajmë dhe as na mbajnë. Sigurisht bashkëpunojmë politikisht dhe bashkëndajmë sot një mazhorancë me PS, është një forcë e majtë politike sikurse dhe ne, dhe mbajmë atë përgjegjësi që na takon për votën që kemi. Sigurisht e bashkëndajmë, veças nuk e mban dot asnjëri.

Nëse nuk arrihet një gjuhë dhe një kompromis, në 18 qershor do të hyni në zgjedhje dhe pa opozitën?

Ka shumë, shumë, shumë ditë, duken shumë të pakta po janë ditë shumë të gjata dhe shumë të rëndësishme politike të cilat janë një provë e madhe jo thjeshtë për partitë që ndodhen në skenë, por është një provë e madhe e Shqipëri përpara vetes së saj, të tregoj veten e saj sa e pjekur është, të tregoj se çfarë ka mësuar nga pluralizmi. Me të drejtë Ilir Meta thotë të mos harrojmë që më 12 dhjetor ‘90 ka hyrë pluralizmi, pra jemi ndarë nga monizmi dhe nuk mund të rrëshqasim në një monizëm të ri. Dhe njëkohësisht është edhe një provë se si qasemi asaj Evrope, të cilës flasin shumë në emër të integrimit. Integrimi kërkon në radhë parë një gjë, cila është sjellja politike dhe respekti që ke ndaj vetes dhe sistemit politik. Në rast se mungon respekti ndaj vetes dhe respekti ndaj sistemit politik që kemi ndërtuar dhe që është një sistem tashmë i përbotshëm, do të thotë që jemi goxha mbrapa, vazhdojmë të bëjmë mbrapa dhe integrimi është larg.

Një deklaratë që ka thënë Ministrja Gjosha, do të hyjmë në këto zgjedhjet, do të fitojmë, Meta do të jetë kryeministër. Keni ndonjë koment apo ka qenë ndonjë deklaratë emocionale apo është një ide që qarkullon në LSI?

Së pari ka diçka, unë personalisht dihet se në sajë të asaj se asgjë s’ngelet pa u marr vesh, kurioziteti ynë si shqiptar është vërtet një kuriozitet gërryes, ju e dini që kam kërkuar një përqendrim të ministrave dhe deputetëve te mesazhet politike. Ka qenë edhe një SMS e imja e cila nuk e di nga doli, por çdo gjë këtu gërmohet, prandaj nuk do të komunikoj më me SMS, do të komunikoj gojarisht, s’kemi çfarë të bëjmë. Por ju e dini sepse kam qenë shumë i preokupuar për t’u përqendruar fort te mesazhi politik, sepse situata është goxha e komplikuar dhe kërkon përqendrim edhe te çështjet e mëdha dhe te zgjidhjet e mëdha.

Sigurisht është i mirëkuptuar edhe reagimi i znj. Gjosha apo drejtuesve të tjerë të LSI të cilë në takimet me mijëra mbështetës, simpatizantë tanë, në mënyrë normale sigurisht artikulojnë edhe dëshira, aspirata të cilat nuk besoj se kanë thënë ndonjë gjë të ndaluar në këtë mes. Por raporti me çështjen është një raport që megjithëse konfidencial është bërë publik dhe ju e dini cili është.

Do ta zgjedh ky parlament presidentin e ardhshëm e vendit, në fakt janë raundet për t’u konsumuar me 84 vota minimumi pastaj është një raund i katër me shumicë të thjeshtë, por duhet të fillojnë që në javën e parë të prillit votimi i parë?

Përsa i takon nga ana Kushtetuese dhe nga ana e kohës, problemi i zgjedhjes së President nuk ka asnjë krizë as kushtetuese e as kohe, pasi është një mekanizëm i cili ka edhe mekanizmin e zhbllokimit brenda e cila është hartuar në ndryshimet e vitit 2008, kështu që nuk është ndonjë problem as politik as kushtetues. Pasi ju kërkon mazhoranca të cilësuara dhe të paarritshme, kështu që më tepër se çdo gjë tjetër do të ishte i rëndësishëm për mënyrën e ndërtimit të tij dhe mënyrën se si do ta elaboronte të gjithë procesin për të treguar një proces me integritet dhe që prodhon një zgjidhje e cila i jep një besim shqiptarëve dhe një institucion tjetër kushtetues siç është presidenti.

Keni menduar për ndonjë kandidaturë si forcë politike?

Absolutisht jo, as nuk e kemi menduar, as nuk e kemi vënë në diskutim pasi e kam thënë në studiot e kolegëve tuaj të tjerë, personalisht por dhe ne si forcë politike, por edhe kryetari ynë, kemi pasur bindje se para hapjes së procesit është dhe jo vetëm etike, por jo politike të diskutohet një mandat ndërkohë që në mënyrë të merituar z. Nishani është në detyrën e tij dhe ushtron funksionet e tij. Në momentin kur ky proces do të hapet, brenda një kohe do të ketë diskutime do të ketë debate, do të ketë kandidatura, të gjitha gjërat do t’i ketë procesi.

Në kuadër të kësaj fryme për të zbutur tonet, do të miratoni ndonjë kandidaturë nga PD për presidentin e republikës?

Përpara se sa të flasim për kandidaturën e PD, duhet të kemi PD në parlament dhe duhet ta kemi në tryezat partiake për të zgjidhur problemet shumë të mëdha siç janë zgjedhjet në Shqipëri.

Nëse do të ishte ndonjë kërkesë e PD për të ardhur në parlament?

PD siç më referuat edhe ju, ka dhe një kërkesë utimative për qeveri teknike. Tashmë duhet të hapeni në qerfullin e kërkesave dhe të shikojmë se ç’mund të flasim bashkë edhe në zgjidhim, edhe zgjedhjet por edhe reformën në drejtësi që janë çështje madhore. Kjo është një çështje, ku vet PD dhe PS të mos jetë ngërç asnjëherë i politikës i bërë në 2008, megjithëse ne si LSI në atë kohë kemi qenë kundër ndryshimeve.

Gjithsesi do të ishit dakord në emër të kompromisit të ndonjë kandidature nga PD që ju e shikoni dhe është ndonjë kandidaturë bindëse?

Thash edhe një herë tjetër, madhore është që të kemi PD në parlament është shumë, shumë e rëndësishme. Ndërsa një proces i cili është edhe kushtetues, por njëkohësisht dhe mekanizmat për tu mos u bllokuar asnjëherë për të cilat dhe PD është kujdesur vet dhe ka qenë përfituese e këtij mekanizmit zhbllokimi për shkak të cilin z. Nishani është president pasi ju e kujtoni fare mirë që në vitin 2012, PD dhe mazhoranca e asaj kohe nuk i dispononte 84 vota. Mendoj që nuk është një temë e diskutimit për këtë çështje të mirëkuptimit të madh që duhet arritur për zgjedhjet dhe reformën në drejtës.

Me qenë se janë dy komisionet e Parlamentit të cilat do të kenë në dorë nisjen e Vetting-ut dhe reformës në drejtësi. Cila do të ishte një ofertë e juaja si Ministër i Drejtësisë për ta rikthyer opozitën në parlament?

Opozita ka një rol të jashtëzakonshëm për një arsye shumë të thjeshtë. Ka një paritet absolut në komision. Pra komisionet nuk funksionojmë pa të. Komisionet nuk mund të marrin vendime pa të, prandaj besoj më e rëndësishme se ka opozita nuk ka qenë kurrë. Asnjë herë opozitat në Shqipëri për çështje të drejtësisë nuk kanë qenë kaq të rëndësishme. Gjithmonë ka pasur një dominim i cila ka qenë e vendosur dhe në Kushtetutë dhe në ligje. Pra, mazhoranca e radhës mund të bënte zgjedhjet e radhës. Tani mazhoranca e radhës nuk ka mundësi t’i bëjë zgjedhjet e saj pasi ka një paritet absolut. I përket opozitës ta ushtrojë këtë pushtet. Është një pushtet shumë i madh që ka në dorë. Të jeni të bindur që nuk e ka pasur asnjë opozitë deri më sot. Do ta gëzojnë të gjitha opozita tashmë për shkak të këtij aksioni politik, por sado herë që të ribëhej reforma në drejtësi nuk besoj se do të krijonte një paritet të tilla si ky. Me inteligjencë i përdorur në të mirë të gjërave besoj se do të ishte një pushtet shumë i rëndësishëm në të mirë të opozitës por edhe të vendit.

Do ju drejtoj një pyetje që jam kam drejtuar z. Manjani dhe kam marrë një përgjigje prej tij interesante. Si është të kesh kryetar partie Ilir Metën dhe kryeministër Edi Ramën?

Që të kesh kryetar partie Ilir Metën është një arsye për të cilën ne jemi në LSI dhe këtu nuk ka ç’të diskutohet, thënë nga unë, sepse z. Manjani ka aderuar më vonë në LSI. Për mua ka qenë arsyeja themelore për të qenë atje dhe motivimi për arsyen e thjeshtë dhe të vetme se Ilir Meta ka pasur një projekt, që orientonte politikën nga ç’bunkerizimi. Në rast se Ilir Meta do të promovonte një model politik që mbante politikën në llogore unë, nuk do të kisha qenë anëtar i LSI-së. Por ideja që të kemi një politikë që të ecë nga dialogu dhe e hapur ndaj të rinjve, ishin dy motive të shëndetshme për një politikë të freskët. Pra një politikë jashtë mykut të zakonshëm të politikës burokratike të vjetër. Të kesh kryeministër Ramën është një detyrim kushtetues që duhet ta përmbushim deri në fund.

Dhe përveç kësaj si është marrëdhënia me një kryeministër si Rama?

Unë kam punuar dhe për arsye të caktuar, thashë edhe një herë tjetër, nga një herë është dhe mirë të punosh gjatë dhe nga një herë nuk është mirë, por mirë është kur punon gjatë, sepse unë kam punuar me kryeministra të tjerë dhe nuk kam ndonjë ndjesi të jashtëzakonshme, pasi mendoj se raporti me kryeministrin është korrektesa deri në fund ndaj atyre që janë detyrimet kushtetuese që ke si ministër dhe sigurisht korrektesa institucionale ndaj raportit me kryeministrit. Kjo është pjesa të cilën unë çmoj dhe vlerësoj. Raportet private besoj se janë krejtësist të parëndësishme në këtë pikë.

Ka qarkulluar edhe emri juaj si një kandidaturë për president?

Është e pamundur që të mos qarkulloje edhe nja 40-50 emra të tjerë. Por duke qenë një nga drejtuesit e lartë të LSI-së, do kishte qenë kuriozitet që mos përmendesha, të gjithë do të përmenden edhe mjaft kolegë të mi në LSI do të përmenden.

Po nëse ju ofrohet?

Është një nëse që është jashtë kohës, jashtë vendit dhe jashtë interesit tim për ta komentuar kështu që me mirëkuptimin tuaj nuk dua të bëj asnjë koment për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që z. Nishani është në detyrë dhe kryen funksionet e tij dhe ky proces nuk është hapur ende. Për mua ka rëndësi të jashtëzakonshme që në situatë të tillë të komplikuar, të ndërtonim një proces në radhë të parë të mirë dhe vërtetë të organizuar mirë, por dhe në pikëpamjen morale sa më të besueshëm për të dhënë një përgjigje të parë që në Shqipëri në duam të rifillojmë dialogun dhe komunikimin. Do të ishte shumë e rëndësishme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Hyso24/03/2017 00:55

Parlamenti sot si pleniumet e Komitetit Qendror. Deputet me fytyra te trembura goje kycur si mumje . Blushit demaskim ne kinoteater si ne kohen ...

Shto koment

Denonco