Artan Fuga: Ku e gjetët këtë dreq modeli? Populli të zgjedhë deputetët dhe krerët e drejtësisë

Artan Fuga: Ku e gjetët këtë dreq modeli? Populli të zgjedhë deputetët dhe krerët e drejtësisë

16:33, 27/02/2017
A+ Aa A-

Akademiku Artan Fuga ka kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj që bëhet në kuadër të reformës në drejtësi.

Në një status në Facebook, Fuga shkruan se kjo metodë përsëri do të çojë në të njëjtën situatë; presionin e politikës mbi drejtësinë por me personazhe të ndryshme.

Po kështu, Fuga ka mendim kundër që deputetët aktualë të votojnë ligjet e vetingut, me arsyetimin se ata janë në fund të mandatit dhe tashmë kanë humbur çdo legjitimitet dhe propaganda e tyre është pjesë e fushatës për zgjedhjet.

Shkrimi i Akademikut Artan Fuga:

Vetingun apo zgjedhjet? 
-----------------

Unë si qytetar dua drejtësi që si unë ashtu edhe i forti, i pasuri, dhe politikani të gjykohemi në mënyrë të barabartë.

Të kem ku të përplas kokën për të gjetur të drejtën time.

Nga kjo pikëpamje unë dua si të tjerët që të zbatohet vetingu dhe gjyqtarët apo prokurorët që nuk justifikojnë pasuritë e tyre të japin llogari për këtë dhe kjo sipas ligjit.

Në drejtësi duhet të punojnë të drejtët!

Pa dyshim.

Por, kur shoh se ky proces po kërkon që në këto komisione avokatët, noterët, pedagogët të kenë dorë te zgjedhja e gjyqtarëve apo prokurorëve, më ngrihen flokët përpjetë nga çudia!

Ku e gjetët këtë dreq modeli!

Pushteti gjyqësor duhet të dali nga populli dhe jo nga Kuvendi i politizuar deri në palcë. Pêrndryshe përsëri do të kemi drejtësi me njerëz të tjerë, por përsëri në shërbim të politikës. Do të kemi presion të politikës mbi gjyqësorin.

Ne duam të zgjedhim edhe deputetët edhe krerët më të lartë të drejtësisë.

Të gjithë para qytetarëve!

Avokati nuk mund të zgjedhi gjyqtarin sepse gjyqatri dhe avokati janë palë që përplasen në gjyq!

Pastaj a kanë më legjitimitet këta deputetët e tanishëm në fund të mandatit të tyre të na bëjnë ligjet për vetingun dhe të na përzgjedhin gjykatësit dhe prokurorët?

Unë mendoj se nuk kanë.

Koha e tyre ka përfunduar! Në fund të mandatit nuk kemi asnjë besim se ata do të votojnë një ligj ose procedura të drejta.

Të ndryshojë ligji elektoral. Deputetët mos votohen me listë, por të dalin para popullit në zgjedhje të ndershme, të drejta, të barabarta.

Vetëm deputetët e ardhshëm, të pastruar nga megallomanët, të inkriminuarit, të korruptuarit, të zgjedhin procedurat për ta spastruar gjyqësorin dh prokurorinë nga të padenjët!

Kjo është rruga!

Këta deputetë që janë nuk e bëjnë dot një drejtësi të pastër. Tani ata janë në konflikt interesi sepse nga dëshira që kanë për t'u rizgjedhur përkëdhelin dhe lëmojnë cdo gjë që u servirin kryetarët e partive.

Ata janë në konflikt interesi sepse tani në fund ata e bëjnë gjithçka për fushatë elektorale dhe jo si masë e drejtë për një drejtësi tê pastër.

Jo vendime për vite e ardhëshme nga deputetë që po u mbaron mandati!

Eshtë e rrezikshme!

Pavarësisht se ka edhe deputetë të pa ngallosur me baltë!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

dfdfdfdf27/02/2017 19:09

nuk eshte model i profesorit,te tilla zgjedhje behen ne amerike. e

krasasi tp27/02/2017 17:12

Fjale me mend.Mendje Profesori.

Shto koment

Denonco