Fevziu - Ramës: Nuk mund të dëmshpërblesh Zharrzën me lekët tona, por...

Fevziu - Ramës: Nuk mund të dëmshpërblesh Zharrzën me lekët tona, por...

18:01, 26/02/2017
A+ Aa A-

Nga Blendi Fevziu 

Qëndrojnë ditë natë aty. Shtrirë përdhe, në të ftohtin e shkurtit dhe shiun litar. Nuk largohen asnjë minutë. As nga vështrimet e habitura të qytetarëve të Tiranës dhe as nga shtyrjet e policisë. Kanë ecur gjatë, 130 kilometra në këmbë, të motivuar nga e drejta dhe besimi se atë që të takon nuk mund të ta mohojë askush. Ajo që kanë bërë banorët e Zharrzës është padyshim gjesti më i rëndësishëm që shqiptarët kanë bërë këto vitet e fundit. Eshtë këmbëngulja për të nxjerrë një të drejtë kur të gjithë ta mohojnë atë. Hesht shteti, hesht media, hesht prokuroria, hesht kompania që po kthen në gërmadha thuajse 70 shtëpi të atij fshati fatkeq. Vetëm ata nuk heshtin dhe me këmbënguljen e tyre epike, po detyrojnë të flasin të gjithë ata që s’e kanë bërë këtë deri më sot.

Po çfarë ka ndodhur në Zharrëz? Cila është historia dhe përse ajo mjegullohet në vend që të sqarohet me një qëndrim publik të Ministrit përgjegjës? Ka përgjegjësi kompania, apo ajo që kërkojnë protestuesit nuk ka sens?

Është shumë e vështirë të hysh brenda asaj që ka ndodhur me Bankers Petrolium në Zhërrëz. Në fshatin ku janë dëmtuar thuajse 70 shtëpi dhe ku uji është i ndotur rëndë nga shpërthimet që kompania Bankers bën për të nxjerrë naftën prej aty. Deri dje, shpërthimet mohoeshin, por sot zyrtarisht thuhet se janë kryer afro 2600 të tilla.

Që prej ditësh stafi i emisionit Opinion po tenton të hetojë pa sukses, një histori që duket ndër më të frikshmet e shkeljes së ligjit, kapjes së shtetit dhe gjithë strukturave të tij. Ka shumë pikëpyetje që dalin nga një kontratë e vitit 2004 dhe zbatimi i saj këto 13 vjet.

E para, Opinion po tenton të gjejë zyrtarisht nëse ka një kontratë që e lejon Bankers të nxjerrë naftën me shpërthime? Nëse kontrata nuk e parashikon këtë, 2600 shpërthimet e vërtetuara nga organet e specializuara janë jo vetëm të paligjshme, por kanë rrezikuar jetën e atyre njerëzve. Ata që i kanë urdhëruar duhet të përgjigjen para ligjit dhe të përgjigjen penalisht. Nuk mund të ketë një shtet me dy fytyra. As ky shtet që kemi ne. Nuk mund që një qytetar të dënohet sepse rrethon pa leje oborrin e tij dhe ndërkohë ata që shkatërrojnë afro 70 shtëpi dhe venë në rrezik jetën e banorëve të jenë të mbrojtur nga shteti.

E dyta Opinion po tenton të hetojë a ka detyrë kompania të marrë përsipër dëmshpërblimin e banorëve të zonës të cilëve po ju shkatërron jetën, nëse nxjerrja me shpërthim lejohet me kontratë? Nëse po e ka bërë këtë deri tani dhe ka ndaluar, apo s’e ka bërë asnjëherë?

E treta, Opinion po tenton të hetojë se kush mban përgjegjësi për kontrollin e zbatimit të kontratës. Se çfarë bën Ministria e Energjitikës që është shfaqur shurdh memece thuajse nuk bëhet fjalë për një fshat të tërë; për jetë njerëzore dhe mbi të gjitha për një detyrim ligjor të saj.

E katërta, po tenton të kuptojë se nga buron “paprekshmëria” dhe fuqia e Bankers? Po tenton të kuptojë se ku e gjen kurajon dhe guximin një biznesmen i madh të shantazhojë në zyrën e shtetit Prokurorin e Përgjithshëm duke i kërkuar që të mbyllë hetimet për bankers? Ç’lidhje ka ky biznesmen me kompaninë në fjalë?

Të kuptojë se si shpjegohet që në qeveri po flitet për një dëshmpërblim nga buxheti i shtetit, kur Shteti s’ka asnjë mundësi ligjore ta bëjë këtë. Nëse e bën është sërish shkelje dhe shërben vetëm për të mbyllur zërat protestues. Nëse dëmi nuk është shkaktuar as nga shteti dhe as nga një forcë madhore, përse shteti do shpenzojë paratë e taksapaguesve dhe jo të detyrojë Bankersin për t’i paguar këto dëme?!

Përse Bankers qënka kaq i fortë sa shteti as nuk guxon të kërkojë as zbatimin e kontratës? Ku janë instrumentat ligjore? Ku janë organet supervizore? Përse heshtën të gjithë me vite dhe përse heshtin sërish. Aq më tepër sot që kompania nuk ka më të njëjtën pronësi.

Të gjitha dyert janë mbyllur për të hetuar çështjen Bankers, sot dhe dje. Dhe me siguri nuk do të hapeshin as kaq, sikur ata banorë të mos nisnin një marrshim epik, përpara syve tallës të pushtetit dhe vështrimeve mosbesues të qytetarëve të tjerë. Të nisnin një marrshim që na ka turpëruar sot të gjithë. Na ka turpëruar duke na kujtuar se ky vend nuk është koloni; se në këtë vend nuk e bëjnë dot ligjin as ca kompani dhe as ca biznesmenë që i kanë shndruar ministrat e shtetit në qen roje të bizneseve dhe përfitimeve të tyre të paligjshme. Se në këtë vend zëri i qytetarit duhet të dëgjohet. Dhe nëse nuk dëgjohet, ata pak banorë të Zharrzës bënë përpjekjen e parë për t’ju treguar të gjithëve, për të na e treguar të gjithëve, se si fitohet një e drejtë! Ndaj sot unë dhe të gjithë ata që mendojnë si unë ndihemi të turpëruar përpara sjelljes së tyre gjithë dinjitet./Opinion.al/

Shënim: Titulli është i redaksisë - Titulli origjinal: Çfarë fshihet pas Zharrzës?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

toni26/02/2017 23:37

pas bankersit fshihet ambasada usa dhe kujt ja mban te meret me te?

Qytetare26/02/2017 23:12

Leket e demshperblimit merri nga Bankers, ose nga te tuat.Mjft se nu na ka mbetur me pike gjaku per te na marre.

Shaba26/02/2017 22:01

Duhet te mblidhen se bashku jo qelbesirat e ketij vendi por njerezit me te mire dhe me te afte te ketij vendi, intelektualet, studentet, profesoret, gazetaret dhe opinionistet e ndergjegjshem dhe te pavarur per ta rrezuar kete qeveri diktatoriale. Kjo qeveri hajdute duhet rrezuar me cdo kusht dhe me cdo mjet sa nuk eshte vone! Eshte shume e vertete qe ministrat e kesaj qeverie dhe kryetaret e bashkive jane shnderruar ne qene roje te biznesmeneve hajdute, evazioniste dhe kondrabandiste! O popull, boll fjete gjumin e vdekjes, cohu! Cohu! O sot, o kurre!

Tani26/02/2017 21:17

Ikni nga çadra,bashkohuni me banoret e Zharresit,ata protestojne me te drejte,nuk eshte aspak e drejte qe ato para ti paguajme ne por kompania.

flori26/02/2017 20:47

edhe ku e gjen guximin nje ambasador qe te kerkoje mbylljen e hetimeve per kete palacollek, apo jo?

mb26/02/2017 20:09

Po saliu me leket e kujt i demshperbleu banoret e gerdecit?

Ladi26/02/2017 20:07

Shume E sakte ! Asgje nuk duhet te paguhet nga buxheti i shtetit, duhet te paguhet nga shkaktaret qe e Kane krijuar problemin. Rama dhe askush tjeter nuk mund te perdore buxhetit e shtetit te mbuloje aferat e shtetareve kushdo qofshin ata, sikurse edhe pagesat qe u behen te larguarve nga puna me vendime gjyqesore, prishjet e ndertimeve pa te drejte, pagesat e te ndeshkuarve dhe te denuarve padrejtesisht , kthimet e pronave etj . Perse duhet te paguhen nga taksat tona ? Te ardhurat ne buxhetin e shtetit Jane per permisimin e jetes sone , rritjen e pensioneve , permisimin e kushteve spitalore , arsimore , infrastruktures , uljen e ndotjes mjedisore qe ka bere te pamumdur jetesen ne qytetet tona etj . Te gjithe duhet te mos lejojme perdorimin e te ardhurave te buxhetit qe Qeveria ti perdore per te paguar dhe mbyllur veprimet e paligjeshme te shtetareve, gjyqtareve, prokuroreve apo kushdo qofshin ata ! Popull ndergjegjesohu , sic I takon popujve te civilizuar europiane

2017!26/02/2017 19:06

Mbase do e gjesh gjilperen ne kashte o opinion !(po them qe nje lloj modeli jeni dhe ju!)

Shto koment

Denonco