Nard Ndoka: Basha një lider jo vetëm i opozitës, por dhe i Popullit

Nard Ndoka: Basha një lider jo vetëm i opozitës, por dhe i Popullit

09:54, 26/02/2017
A+ Aa A-

Kreu i Demokristianëve Nard Ndoka i cili është pjesë e opozitës dhe protestës popullore, me një shënim në faqen e tij të Facebook, shkruan se Lulzim Basha tani më është kthyer jo vetëm në liderin e opozitës, por në një lider popullor.

Ndoka e përmend takimin e djeshëm të Bashës me banorët e Zharrësit si momentin kur kreu i PD-së, është kthyer në një lider të popullit, që nuk ka frikë dhe problem të përballet dhe të kërkojë falje për gabimet.

Ja çfarë shkruan Nard Ndoka:

Përballja me banoret e Zharrëzës, tregoi se Lulzim Basha është misionar dhe Lider Popullor!

Të drejtosh partinë me të madhe opozitare është një detyrë e vështirë, Lulzim Basha kishte shumë pikëpyetje përpara tij dhe opinioni publik edhe më shumë ndaj tij.

Një fillim i vështirë, ku standardi që kishte vendosur Berisha ishte i vështirë në stilin e tij, ku disa deputetë demokrate skeptik vazhdonin të shprehnin dyshimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj kryetarit të ri.

Basha me lëvizjet në bazë, me organizimin e stafit të tij politik, arriti të kontrollojë dhe të drejtojë PD-në, dukshëm i vendosur në strategjinë e tij.

Në zgjedhjet lokale Basha tentoi, që të forcojë partinë që drejtonte dhe të largonte apo minimizonte rolin e partive aleatë, çfarë solli pakënaqësi me të gjithë dhe divorc me Demokristianët.

Basha mbeti një kryetar i fortë, por nuk arriti të jetë lider i opozitës!

Sot, në një aksion opozitar me mbështetjen më të madhe të partive opozitare, përfshirë edhe subjekte politike që kanë qenë kundër PD-së, Basha ka filluar ngritjen e tij të madhe.

Këmbëngulja për kauzën, qëndresa në protestë, organizimi, idetë programore, përfshirja e shoqërisë civile, personaliteteve dhe e qytetarëve të thjeshtë e ngritën Bashën në detyrën e Liderit Opozitar.

Ballafaqimi i fundit, duke pritur banorët protestues të Zharrëzës, një proteste plurale, që nuk pranon një lider opozite, por këmbëngulja dhe guximi i Lulzim Bashës na tregoi, se ai tashmë aspiron të jetë një Lider Popullor, përfaqësues, duke ditur të ballafaqohet, të kërkojë falje, por edhe të marrë përgjegjësi.

Lulzim Basha po tejkalon çdo pritshmëri politike dhe qytetare, po na surprizon të gjithëve duke garantuar siguri dhe besim, duke u përballur me misionin e tij tashmë të deklaruar, si një Lider Popullor, i gatshëm për të marrë përgjegjësi qeverisëse.

Siguria për kauzën popullore, standarde në zgjedhje dhe qeveri teknike, përveçse një qëndrese të admirueshme për ato qindra e mijëra qytetarë që qëndrojnë me orë dhe ditë të tëra në "çadrën e lirisë", dimensioni njerëzor dhe politik i Lulzim Bashës po frymëzon sot çdo qytetar që aspiron liri dhe të drejta dhe po bind skeptiket e kundërshtaret politikë, se kauza ka Zot!

E gjitha kjo që po ndodh, patjetër që po ndryshon PD-në. Po e çon atë në një standard tjetër, po e bën parti të hapur e të njerëzve. Basha e di mirë se pa ndryshuar PD-në nuk e ndryshon dot politikën, aq më pak Shqipërinë.

Një PD e re mund të ndihmojë për Republikën e Re. Nuk mund të ketë republike të re me PD të vjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco