Ligj i ri për noterët,  kushtet dhe procedurat e reja për marrjen e titullit, si do të zhvillohen provimet

Ligj i ri për noterët, kushtet dhe procedurat e reja për marrjen e titullit, si do të zhvillohen provimet

09:36, 21/01/2017
A+ Aa A-

Ashtu si gjyqësori, prokuroria dhe avokatia edhe shërbimi i noterisë do të reformohet në kuadër të reformës në drejtësi. Tashmë është gati drafti i hartuar nga ekspertët e EURALIUS, i cili do kalojë në Komisionin e Ligjeve për diskutim dhe miratim. Ai  parashikon kushte të forta dhe provime të njëpasnjëshme deri në marrjen e licencës nga ana e aplikuesve.

 Kushti i parë është që aplikuesit për noterë të kenë përfunduar arsimin juridik. Por arsimi nuk është gjithçka, ai është vetëm një hap i parë drejt aprovimit të një personi si profesionit në Noteri pasi në vijim parashikohen edhe shumë vite trajnim dhe asistencë, deri në marrjen e licencës.

Ligji i ri parashikon që personi që do të marrë një licencë noterie nuk duhet të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë. Ndër kushtet e tjera që përmenden në projektligji janë që aplikuesi: “Të jetë shtetas shqiptare; të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar; të mos jetë dënuar më një vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për një vepër penalë të kryer me dashje, e cila cenon figurën dhe integritetin e profesionit të noterit; të këtë përfunduar arsimin juridik”, thuhet në projektligj.

 Kushtet janë të forta edhe për arsimin. Nuk do të mjaftojë thjeshtë një diplomë, por aplikuesi duhet të ketë rezultate të mira. “Programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë, të barazvlefshme me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike, në një universitet publik ose privat në Shqipëri”, thuhet në pr.ligj.

 Për aplikuesit që kanë kryer studime jashtë vendit, do të shikohen programet dhe konvertimi i diplomës do të kryet në bazë të ligjit të ri për arsimin. “Studime jashtë shtetit në drejtësi, që i përkasin niveleve nga 6 deri në 8, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, të cilat njihen dhe njësohen përmes lëshimit të dokumentit zyrtar, të barasvlershëm nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar punësimin në Shqipëri, në zbatim të nenit 92, pika1 të ligjit nr.80/2015 “ Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj. Aplikantët për noterë do e kenë të detyrueshëm trajnimin 1 vjeçar pranë Qendrës Shqiptare për Trajnimin e Noterëve. Po ashtu, noterët duhet të kryejnë 2 vjet punë pranë një noteri, si asistentë dhe më pas i nënshtrohen provimit të kualifikimit pranë  Qendrës Shqiptare për Trajnimin e Noterëve. Këtu kandidati duhet të marrë 80 për qind e pikëve.

Pas përfundimit të studimeve, kandidatët që duan të ushtrojnë profesionin e noterit i nënshtrohen një provimi të posaçëm, që quhet i kualifikimit. “Qendra Shqiptare për Trajnimin e Noterëve administron aplikimet e kandidatëve për noter, dhe ja paraqet ato Këshillit Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Noterisë, e cila nga ana e saj vë në dijeni Ministrin e Drejtësisë për aplikimet e dorëzuara. Qendra Shqiptare për Trajnimin e Noterëve organizon provimin e kualifikimit të noterisë. Mbi bazën e vendimit të Këshillit Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Noterisë, pranë Qendrës Shqiptare për Trajnimin e Noterëve ngrihet për çdo provim kualifikimi, një komision had hoc, i quajtur ‘komisioni i kualifikimit’ “, përcaktohet në nenin 2. Në vijim ligji përcakton ditën dhe orën e bërjes së provimit të kualifikimit.

 “Data, vendi dhe ora  për organizmin e  provimit të kualifikimit për noter, caktohen me vendim të Këshillit Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Noterisë. Ky vendim i komunikohet kandidatëve për noterë që kanë aplikuar për provimin për kualifikim për noter të paktën 1(një) muaj përpara. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Noterisë publikohet në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Noterisë”, thuhet në projektligj.

Ligji parashikon edhe masa disiplinore të forta për shkelësit e parashikimeve ligjore për ushtrimin e profesionit të noterit. Për këtë krijohet një bord i posaçëm. “Masat disiplinore të parashikuara në Nenin 7 të këtij ligji jepen nga Bordi Disiplinor i Avokatisë”, thuhet në projektligj. Në nenin 7 janë parashikuar të gjitha masat, që nga paralajmërimi me shkrim deri tek heqja e licencës. “Vërejtje me shkrim; gjoba nga 50.000 lekë deri në 300.000 lekë; pezullim i përkohshëm i ushtrimit të aktivitetit noterial për një periudhë 6 (gjashtë) mujore; heqje e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit. Gjoba mund të shoqërohet në mënyrë kumulative, me masa të tjera disiplinore, të parashikuara nga germat c) dhe ç) të pikës 1 të këtij neni”, parashikohet në projektligji. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco