Trajtim ç'njerëzor në burg, qeveria shqiptare refuzon vendimin e Strasburgut

Trajtim ç'njerëzor në burg, qeveria shqiptare refuzon vendimin e Strasburgut

12:25, 19/01/2017
A+ Aa A-

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) bëri të ditur se po përfaqëson në rrugë gjyqësore rastin e një shtetasi të dënuar, F.Z, i cili prej 6 vitesh nuk i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për dëmtimet nervore të shkaktuara në këmbën e tij, si rezultat i thyerjes së pllakës metalike gjatë ekzekutimit të dënimit me burgim.

 “Me vendimin e 10 marsit 2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është konstatuar trajtim çnjerëzor dhe degradues të këtij shtetasi, si dhe është urdhëruar kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e Komitetit. Megjithëse vendimi gjyqësor ka marrë formë të prerë dhe është vënë në ekzekutim menjëherë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Krujë dhe Institucionet Publike të ofrimit të Shërbimit Shëndetësor nuk kanë marrë masat e nevojshme për zbatimin e tij, raporton “Shekulli”.

 “Kjo ndërhyrje nuk është bërë ende e mundur, pasi vlerësohet të jetë komplekse dhe kërkon një gamë të gjerë pajisjesh dhe mjetesh, të cilat shteti nuk i disponon plotësisht”, njoftoi KSHH. Gjykata e Strasburgut më 26 gusht 2016 pranoi kërkesën e KSHH¬së për Marrjen e Masës së Përkohshme dhe urdhëroi autoritetet shtetërore shqiptare që, në mënyrë urgjente, ankuesit t’i sigurohej trajtimi i kërkuar mjekësor (ndërhyrja kirurgjikale), siç kishte vendosur më pare Gjykata e Rrethit Gjyqesor Krujë. Megjithatë, edhe sot ky vendim gjyqësor nuk është ekzekutuar nga organet shtetërore përgjegjëse.

Në muajin korrik 2017, KSHH iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë me objekt, konstatimin e cënimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e moszbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë. Më 30 dhjetor 2016, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin, me të cilin ka vendosur pranimin e kërkesës dhe konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, “edhe pas marrjes së masës së përkohshme nga ana e GJEDNJ¬së dhe kërkimit të paraqitjes së komenteve me shkrim nga subjektet e interesuara për efekte të këtij gjykimi, nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk është dhënë asnjë informacion nëse materialet mjekësore të nevojshme janë gjetur tashmë dhe nëse konkluzioni i mjekëve për moskthimin e funksionit normal të këmbës lidhet me mungesën e tyre apo me llojin e problemit shëndetësor të konstatuar”. KSHH deklaroi se do të vazhdojë ndjekjen e kësaj çështjeje, me qëllim realizimin e plotë të të drejtave të njohura me ligj, për shtetasin e dënuar me burgim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco