Ringjallet Komisioni Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri, Rama e mban `sekret`, rusët e njoftojnë me pompozitet

Ringjallet Komisioni Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri, Rama e mban `sekret`, rusët e njoftojnë me pompozitet

11:36, 17/01/2017
A+ Aa A-

Duket se deklaratat e kryeministrit Rama për një afrim dhe mundësinë e një vizite të tij zyrtare në Moskë, po konkretizohen. Pas vizitës së ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në Moskë në fund të vitit të shkuar, pas 8 vitesh është ringjallur Komisioni Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri.

Lajmi vjen nga vetë ambasada ruse në kryeqytetin tonë, e cila njofton se ambasadori i saj në Tiranë, Aleksandër Karpushin mbajti të hënën një takim me zv/ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, dhe njëherazi Bashkëkryetaren e Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, Adela Karapici.

Sipas këtij njoftimi, në fokus të bisedës ishte përgatitja për zhvillimin, për herë të parë që nga viti 2009, të sesionit të radhës të Komisionit Ndërqeveritar, i cili kësaj here duhet të mbahet në Tiranë. Si hap i parë në këtë rrugëtim, u ra dakord paraprakisht për organizimin e një takimi të bashkëkryetarëve të Komisionit, që janë zonja Karapici dhe homologu i saj, Zëvendësministri i Parë i Drejtësisë së Rusisë, Sergej Gerasimov, për të diskutuar hollësisht mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme.

Bashkëbiseduesit ndanë bindjen se marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Rusi-Shqipëri duhet ringjallur dhe çuar në një nivel më të lartë cilësor të bashkëpunimit pragmatik, me përfitim reciprok dhe në interes të qytetarëve të dy vendeve.

Ajo që bie në sy, ashtu si për vizitën e Kumbaros në Moskë edhe për këtë zhvillim të marrëdhënieve të vendit tonë me Rusinë e Putin, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë njoftim. Edhe këtë herë është ambasada ruse në Tiranë që jep lajmin për riaktivizimin e këtij komiteti bashkëpunimi.

SYRI.net

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

agimi17/01/2017 16:11

Edhe i jati ishte me Rusine se atje studioi

Shto koment

Denonco