Aleanca Kundër Plehrave i shkruan Ilir Metës: Çfarë po luhet në Kuvend, me ligjin e kthyer nga presidenti?

Aleanca Kundër Plehrave i shkruan Ilir Metës: Çfarë po luhet në Kuvend, me ligjin e kthyer nga presidenti?

14:57, 11/01/2017
A+ Aa A-

Faktikisht sa vjen dhe më shqetësuese po bëhet sjellja “e çuditshme”  e institucionit që drejtohet nga Ilir Meta, Kuvendi i Shqipërisë me ligjin e kthyer nga presidenti për importin e mbetjeve. Mjaftë analistë e kanë paraqitur këtë situatë si një lojë presioni të kreut të LSI-së ndaj kryeministrit Rama apo të tjerë më të guximshëm, si një periudhë pazaresh ende të pambyllura.

Gjithsesi pavarësisht të vërtetës ka një vonesë të pakuptimtë për futjen në kalendar dhe shqyrtimin në parlament të dekretit të Presidentit të Republikës që ka rrëzuar një nga ligjet më të debatuara në vend dhe tolerimit që po i bëhet Eduard Shalësit, që nuk po e fut fare duke shkelur ligj e rregullore në komisionin që drejton, vendimin presidencial.

Pikërisht për këtë lloj ngërçi që nuk e shpjegon njeri, Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i ka shprehur shqetësimin sot kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për “shmangien”, që komisioni parlamentar për mjedisin po i bën dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të plehrave.

AKIP, me anë të një letre, shprehet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin po shkel procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit.

Sipas ligjit, kur Presidenti kthen një ligj në kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit, duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve.

Presidenti Nishani e ka kthyer më 14 tetor 2016 ligjin për lejimin e importimit të mbetjeve në vend në Kuvend.

Më pas,  AKIP shkruan se, “Shkresa e dërguar nga zoti Eduart Shalsi në datën 29 Dhjetor drejtuar AKIP është e pakuptimtë pasi tenton sërish të shkelë Rregulloren e Kuvendit dhe ligjet përkatëse duke kërkuar mendim për një procedurë dhe një ligj që është kthyer nga Presidenti.”

Deputeti Eduart Shalsi, një nga iniciatorët e ligjit të mbetjeve, me anë të kësaj letre, ftoi shoqërinë civile për të qenë pjesë e diskutimeve për të amenduar ligjin.

Por AKIP e quan tentativën e Zotit Shalsi, një manovër politike, pasi shoqëria civile e ka bërë të ditur publikisht qëndrimin kundër këtij ligji, e jo thjesht kundër disa neneve që mund të amendohen.

AKIP gjykon se importi i  mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme.

AKIP shkruan gjithashtu në letrën drejtuar Ilir Metës, se ka bindjen e plotë se ky ligj, për interesat e Shqipërisë duhet hedhur poshtë si i tërë, duke përjashtuar në mëyrë kategorike çdo lloj amendimi të tij.

Në fund, përfaqësuesit e AKIP shprehen të gatshëm të kontribuojnë për një menaxhim sa më të mirë të mbetjeve në vend, pasi dekreti i Presidentit për mosmiratimin e ligjit të jetë pranuar në Kuvend.

Ligji për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 206, pavarësisht protestave e kundërshtive të qytetarëve.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco