SPECIALE/ Si u themeluan dy Republikat e Shqipërisë, nga modeli amerikan te ai komunist

SPECIALE/ Si u themeluan dy Republikat e Shqipërisë, nga modeli amerikan te ai komunist

13:01, 11/01/2017
A+ Aa A-

Pavarësisht nga emërtimet dhe ndryshimet e shumta që i janë bërë Kushtetutës, Shqipëria në historinë e saj ka dy Republika. Me rastin e 11 Janarit, që faktikisht vazhdon të jetë në fuqi si dita zyrtare e Republikës së Shqipërisë, “Syri.net” po ju sjell një rrugëtim të shkurtër të republikanizmit, si mënyrë qeverisje në Shqipëri.

Republika e Parë

Për herë të parë vendi ynë ka themeluar Republikën e vet në kuptimin e plotë të fjalës, më 21 Janar të vitit 1925.

Republika Shqiptare do të ishte emri zyrtar i Shqipërisë në vitet 1925–1928. Më 17 janar të 1925 u mblodh Asambleja Kushtetuese dhe vetëm 4 ditë më pas, Shqipëria u shpall Republike Parlamentare sipas modelit Amerikan, me një president që i kishte të gjitha kushtet të drejtonte me dorë të fortë.

Kushtetuta e Republikës së Parë që ishte hartuar sipas asaj Amerikane, natyrisht në shumë drejtime iu përshtat kushteve dhe specifikave të Shqipërisë. Në atë periudhë vendi ynë kishte dalë i dërrmuar nga Lufta e Parë Botërore dhe ashtu si ndodhi edhe në vendet fqinjë, kushtetuta u përshtat për një regjim deri diku autoritar.

Pasi përfundimisht më 21 janar të 1925, Shqipëria u shpall Republikë, më 31 Janar Asambleja zgjodhi Ahmet Zogun të parin President të Shqipërisë. Gjithë bota u lajmërua dhe shumë shtete filluan të njohin Shqipërinë, duke dërguar në Tiranë edhe përfaqësuesit e tyre.

Republika e Dytë

Do të duhej rreth një vit që qeveria provizore e dalë nga Lufta e Dytë Botërore, që drejtohej nga Partia Komuniste, të vendoste se çfarë mënyrë qeverisje do të ndiqte në vazhdim. Ditën e premte më 11 Janar të vitit 1946 ashtu siç ishte lajmëruar nga gazeta Bashkimi dhe Radio Tirana, në Tiranë nisi seanca e parë e Asamblesë Kushtetuese. Ajo u hap nga Dr. Omer Nishani Kryetar i Këshillit Antifashist, i cili pas një fjale të shkurtër, ftoi deputetin e Korçës, Dr. Petraq Popa, si përfaqësuesin më të vjetër në moshë, që të kryesonte përkohësisht mbledhjen deri në përcaktimin e axhendës së punimeve të saj.

 Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1946, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishte mbledhur asambleja me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, asistonin edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë. Në numrin egazetës "Bashkimi" të një dite më pas shkruhet:

"Para orës 10 të ftuarit kishin mbushur lozhat dhe galerinë. Në lozhën e parë, nga e mëngjërta në të hyrë, merrte vënt, Ministri i Jugosllavisë z. Josip Djerdj me sekretarin e Legatës; në lozhën e dytë, Gjeneral Brigadier D.E.P. Hodgson, Shef i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri dhe Kolonel Sokolov Shef i Misionit Ushtarak Sovjetik në Shqipëri; në lozhën e parë nga djathta zoti Jakobs, funksionar i Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bash-kuara të Amerikës me zotin Stevens; në lozhën e dytë Kolonel Teyssier, Shef i Misionit Ushtarak Francez në Shqipëri dhe përfaqësues i UNRRAS. Në lozhat e tjera ishin shumë përfaqësues dhe personalitete si dhe korrespodenti i Agjensisë TASS, i ISVESTIA-s, dhe i BORBA-s”.

Pas fjalës së Dr. Omer Nishanit, një grup deputetësh të Qarkut të Vlorës, në emër të elektoratit të zonës së tyre, i paraqitën një mocion asamblesë, në të cilin kërkohej që qeveria e Kryeministrit Enver Hoxha të mos jepte dorëheqjen, por të vazhdonte punën. Në këtë mocion, i cili u lexua nga deputeti i Shkodrës, Arif Gjyli, në mes të tjerash thuhej:

 "Shoku Kryetar, shokë përfaqësonjës. Në emër të popullit të Vlorës, kemi nderin t‘i paraqesim Asamblesë gëzimin e math që ndien populli i qarkut t‘onë me rastin e kësaj dite me rëndësi historike dhe sjellim këtu përshëndetjet e tij më të zjarrta. Me kushtetutën dhe formën e regjimit që do t‘i japë Asambleja Kushtetonjëse, populli ynë që i ka besuar kësaj Asambleje vullnetin e tij sovran, pret me plot të drejtë t‘i konsakrohen fitoret e realizuara me luftën e tij. Ne jemi të bindur se shprehim vullnetin e popullit të Vlorës që si gjithë populli shqiptar nuk kurseu asnjë sakrificë për liri dhe indipendencë, duke kërkuar shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore”.

Pasi nuk u pranua dorëheqja e qeverisë së drejtuar nga Enver Hoxha, Asambleja shpalli Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila do të ishte e dyta pas asaj të vitit 1925. Ja çfarë shkruan lidhur me vendimin e shpalljes së Shqipërisë Republikë Popullore një ditë më pas, gazeta "Bashkimi":

"Që në mëngjes populli po grumbullohej përpara Sheshit të Math "Qemal Stafa", përpara pallatit të Asamblesë Kushtetonjëse. Populli këndonte dhe asamblistët grupe grupe po hynin në sallë. Edhe sot dita buzëqesh si shpirti i popullit t‘onë që më së fundi nisi të buzëqesh i lirë, zot i vëntit dhe i jetës së tij. Nëpunësit e punëtorët, të rinj e të reja, kanë mbushur Bulevardin Qemal Stafa. Dëgjojnë fjalën e delegatëve të tyre, dëgjojnë përfaqësonjësit e popullit të flasin në asamble, atë që u flet zëmra, të vendosin në Asamblenë për atë që u rreh zëmra. Thirrje, brohoritje, këngë ovacione për Republikën Popullore shpërthyen kur dëgjuan nga altoporlantet propozimin e delegatëve të Vlorës. Vlora siç e tha edhe Koci Xoxe, ngriti zërin e saj për Republikën Popullore dhe tërë Shqipëria u bashkua me zërin e saj. Se zëri i Vlorës është edhe zëri i tërë popullit shqiptar. U dëgjuan krisma hareje, u dëgjuan këngë, u dëgjua që ushtoi tërë Tirana me RROFTË REPUBLIKA POPULLORE. Ora 12, kur Tuk Jakova lajmëroi se Asambleja unanimisht vendosi çpalljen e Republikës Popullore, njeri më s‘u mbajt nga gëzimi. Dalin Asamblistët dhe Populli i rrethon, i përqafon përfaqësuesit e tij, djemtë që i plotësuan dëshirën, i ngre lart nëpër duar, ndërsa topi nis të zbrazë për të përshëndetur këtë fitore të madhe të popullit t‘onë. Manifestimet vazhdojnë”.

Ashtu siç u vendos në këtë Asamble, Republika Popullore e Shqipërisë do të ishte emërtimi zyrtar i shtetit në Shqipëri, nga 11 Janari i vitit 1946 deri në vitin 1976. Kushtetuta e 1976-s e ndryshoi emrin në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, i cili do të ishte emërtimi zyrtar i vendit deri në vitin 1991, kur do të quhej thjesht, Republika e Shqipërisë.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco