Laura Boldrini, fjala përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë

Laura Boldrini, fjala përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë

14:01, 13/10/2016
A+ Aa A-

Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në vendin tonë, Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, znj. Laura Boldrini, ndoqi punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u shpreh gjatë seancës se vizita e znj. Laura Boldrini dëshmon qartë intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Vizita zyrtare sot në Tiranë e znj. Boldrini dëshmon qartë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilin ne jemi dakordësuar ta ngremë në një nivel edhe më të lartë përmes një marrëveshjeve bilaterale dhe kalendari konkret në funksion," nënvizoi Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi se znj. Boldrini është një mike e sinqertë dhe e natyrshme e shqiptarëve, kontributi i së cilës, veçanërisht gjatë krizës humanitare të Kosovës, është vlerësuar sot me shumë të drejtë edhe nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin e Lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

“Urdhër të cilin znj. Boldrini e meriton për kontributin e saj personal të jashtëzakonshëm në momentet e vështira për popullin shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë, në vitet 1997, 1998 dhe 1999, si përfaqësuese e UNHCR në zonat e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Por njëkohësisht ajo e meriton edhe për kontributin e vazhdueshëm që jep në pozitën aktuale për forcimin e marrëdhënieve parlamentare dhe të gjithanshme midis dy vendeve tona mike”, - deklaroi Meta.

Në emër të Kuvendi të Shqipërisë, Kryetari Meta shprehu mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e shkëlqyer që Italia i jep Shqipërisë dhe veçanërisht Parlamenti i saj.

“Njëkohësisht edhe për mbështetjen e ardhshme që ne presim prej Italisë si një ndër avokatet më aktive dhe më të fuqishme në 26 vitet e procesit të integrimit evropian të vendit tonë”, - tha z. Ilir Meta, teksa ftoi Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, znj. Laura Boldrini të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Fjala e Presidentes së Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, znj. Laura Boldrini në Seancë Plenare

Është për mua një nder i madh të marr fjalën në sallën e këtij Parlamenti.

Falënderoj Kryetarin Meta për ftesën, çka përbën një tjetër konfirmim të miqësisë që lidh dy vendet tona. Jam e lumtur që fjala ime po transmetohet drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar: Më lejoni t’i drejtoj një përshëndetje të përzemërt shtetaseve dhe shtetasve shqiptarë që na ndjekin nga ekrani i televizionit.

Më lejoni, në hyrje të fjalës sime, të përmend një fakt personal, çka vë në pah dhe arsyen pse kjo vizitë paraqet kaq rëndësi për mua.

Në fund të viteve ‘90, në vitet 1998/1999, pothuaj 20 vite më parë, kam punuar në Shqipëri, si në Tiranë ashtu dhe në Veri, për periudha të gjata, fillimisht në Bajram Curri e më pas në Kukës. Ishin fillimet e më tej zhvillimet e luftës në Kosovë, ndërsa isha zëdhënëse e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

    Nga rrafshnalta e Podeshit, sikurse dhe nga kufiri i Morinës, kam qenë dëshmitare e nisjes së konfliktit dhe të pasojave të tij shkatërrimtare. Së bashku me kolegët e mi të UNHCR-së, mora pjesë në pritjen e atyre që pas ditë të tëra ecjeje nëpër male arrinin të mbërrinin në Shqipëri.

    Ishin njerëz të rraskapitur, të ftohur, e me vështrimin plot frikë e tmerr. Në atë kohë Shqipëria ishte një vend me shumë më pak burime se sa sot, por sigurisht që mikpritja nuk mungoi.

    Në muajin mars të vitit 1998, në revistën italiane “Limes” në një artikull shkruaja “Kamionët e UNHCR-së lënë refugjatët përpara Bashkisë së Bajram Currit apo të qyteteve të tjera të caktuara nga autoritetet vendore. Në këtë moment ndodh diçka e veçantë, e jashtëzakonshme për një vëzhgues të huaj: Brenda një ore nga momenti i mbërritjes, të gjithë refugjatët merren nga familjet, të cilat janë të gatshme t’i strehojnë. E, pikërisht në këtë zonë të thellë të Shqipërisë hasim një shembull të jashtëzakonshëm të solidaritetit. Pavarësisht vështirësive materiale që hasen në këtë qark, i konsideruar si një ndër më të varfrit në Europë, shqiptarët nuk hezitojnë të hapin dyert e shtëpive të tyre për ata që i quajnë “vëllezër e jo refugjatë”.

    Ndaj, z. Kryetar, të nderuar deputetë, rikthimi sot, në një Shqipëri anëtare të NATO-s, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, me një ekonomi në rritje dhe me një dinamikë që shumë vende të Europës e kanë zili, është për mua arsyeja e një emocioni të madh e të veçantë. Nesër do të përshkoj në vetëm pak orë në autostradë, rrugëtimin që të shpie në Kukës i cila gjatë periudhës në të cilën e kam përshkuar disa vite më parë, ishte shumë i vështirë. Një simbol, le të themi, i rrugëtimit të përshkuar nga Shqipëria në këto vite!

    Lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë po përjetojnë një periudhë të jashtëzakonshme intensiteti. Vizita ime, në fakt, renditet ndër në sërë takimesh në nivel institucional të cilat këto kohët e fundit kanë ndjekur njëra-tjetrën. Vetëm dje u përmbyll vizita zyrtare në Itali e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të cilin gjej rastin ta falënderoj për nderimin me dekoratën e rëndësishme “Giorgio Castriota Scanderbeg”, sikurse e shqiptojmë në Itali. Në rrafshin parlamentar, sot, së bashku me Kryetarin Meta vendosëm të forcojmë më tej nismat e bashkëpunimit mes dy Asambleve tona.

    Dy vendet tona i kanë dhënë udhë projekteve të rëndësishme të bashkëpunimit, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë të drejtësisë e të sigurisë. Italia dhe Shqipëria në fakt sot bashkëpunojnë në mënyrë shembullore në një sërë nismash të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e rrjetit të transportit, të energjisë si dhe të sektorit agro-ushqimor. Po kaq thelbësore e të rëndësishme janë dhe veprimtaritë e përbashkëta në fushën e luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore.

    Por ndoshta më e rëndësishme është lidhja mes dy popujve tanë. Sikurse jeni në dijeni, në Itali janë të pranishme prej shekujsh komunitete historike e të lashta me origjinë shqiptare, të përqendruara kryesisht në qarqet e Kalabrisë, Sicilisë, të Molise-s, Basilikatës dhe Puljas. Legjislacioni italian ruan dhe mbron gjuhën dhe kulturën e këtyre pakicave të cilat njëkohësisht përbëjnë një pasuri për vendin tonë.

    Nga ana tjetër, komuniteti shqiptar që ka emigruar në Itali në këto 25 vitet e fundit, është ndër me të shumtët në numër e më mirë të integruarit në aspektin social dhe atë ekonomik të vendit. Pothuaj 500 mijë burra, gra dhe fëmijë që punojnë , në varësi e, gjithnjë e më shpesh, si sipërmarrës të vegjël e të mesëm, e që studiojnë në shkollat tona japin ndihmesën e tyre jo vetëm në rritjen ekonomike italiane, por dhe në pasurimin e shoqërisë dhe të kulturës.

    Rrugëtimi i përshkuar nga shqiptarët në Itali, që kanë ditur të kapërcejnë paragjykimet e kundërshtitë përmes punës së tyre dhe sakrificave të shumta, përbën një shembull të shkëlqyer gjithëpërfshirjeje.

    Por miqësia jonë nuk ushqehet vetëm nga prania shqiptare në Itali.

    Në fakt në Shqipëri has dhe shumë “Itali”. Para së gjithash falë njohjes së gjuhës italiane nga pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë, çka përbën një trashëgimi shpirtërore me një vlerë të jashtëzakonshme të cilën duhet ta ruajmë e ta shfrytëzojmë për hartimin në të ardhmen të lidhjeve mes dy komuniteteve tona kombëtare.

    Vijojmë më tej me praninë në Shqipëri të shumë sipërmarrësve italianë, një prani të cilën uroj të forcohet e të përmirësohet më tej. Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë. Për sistemin prodhues italian Shqipëria mund të jetë një mundësi e madhe për një zhvillim të mëtejshëm: por me një kusht, të mos e reduktojmë praninë tonë këtu vetëm me zhvendosjen e disa segmenteve prodhuese, ndoshta duke u mbështetur në nivelin e ulët të pagave.

    Për mendimin tim, sipërmarrja italiane mund të japë një ndihmesë vendimtare duke investuar në projekte në fushën e infrastrukturës, të energjisë, të mjedisit të qëndrueshëm. Nuk bëhet fjalë për të nxitur uljen e shpërblimit të punës, por, përkundrazi, për të dhënë ndihmesë në rritjen e aspektit njerëzor dhe ekonomik të të dy vendeve.

    Rritje në aspektin njerëzor e cila duhet të bazohet dhe në aftësitë pritëse të atyre që i largohen luftërave dhe persekutimeve si dhe atë integruese të kujtdo që përpiqet të ndërtojë një të ardhme në një vend të huaj.

    Nesër, sikurse e përmenda dhe në hyrjen e fjalimit tim, do të jem në Kukës ku, në vitet 1998/1999 gjetën strehim dhjetëra mijëra njerëz që largoheshin nga Kosova. Ende sot ai moment përbën një shembull për të gjithë Europën që me 500 milionë banorët e saj vitin e kaluar u vu në krizë si rrjedhojë e dyndjes së më pak më shumë se një milion refugjatëve dhe emigrantëve.

    Sikurse e nënvizova dhe në fillim të fjalës sime, vitet e fundit Shqipëria ka kryer përparime të jashtëzakonshme si në rrafshin ekonomik ashtu dhe në atë shoqëror. Sot është anëtare me të drejta të plota e NATO-s, e Këshillit të Europës, si dhe e organizmave të tjera rajonale sikurse INCE dhe Nisma Adriatiko-Joniane.

    Por mbi të gjitha është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. E nënvizoj këtu, në këtë vend solemn, mbështetje e plotë e të vendosur të Italisë për këtë kandidaturë sikurse dhe për procesin e reformave të nevojshme për të lehtësuar çeljen e negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, e konsideroj të një rëndësie të veçantë miratimin e njëzëshëm nga ana e këtij Parlamenti, vetëm pak muaj më parë, të reformës kushtetuese e cila do të ndryshojë rrënjësisht sistemin gjyqësor shqiptar, duke e përshtatur me “acquis comunitario”. Dhoma e Deputetëve të Italisë është e gatshme t’ju mbështesë në këtë përpjekje, si në nivel dypalësh ashtu dhe në kuadër të takimeve ndërkombëtare.

    Shqipëria ka nevojë për Europën për të realizuar rrugëtimin e saj drejt modernizimit dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social në arritjen e një synimi të përbashkët për të gjitha forcat politike. Por edhe Europa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme e thelbësore në stabilizimin e një rajoni që ende sot përshkohet nga tensione të rrezikshme e pështjellime nacionaliste.

    Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk nënkupton vetëm anëtarësimin në një hapësirë ekonomike të përbashkët, në një treg të madh mallrash e shërbimesh. Por nënkupton, sikurse e dinë fort mirë miqtë shqiptarë, hyrjen në një hapësirë të lirë me vlera etike e shoqërore të përbashkëta. Është pikërisht kjo që sot, për fat të keq, e harrojnë disa prej vendeve anëtare të Bashkimit të cilat refuzojnë të përmbushin detyrimet e pashmangshme të solidaritetit që përkatësia në Bashkimin Europian imponon, sikurse vumë re në rastin e të ashtuquajturës “kriza e emigrantëve”.

    Liritë europiane duhet të pranohen ose jo të gjitha së bashku: liria e qarkullimit të mallrave, të kapitaleve dhe të shërbimeve nuk mund të shkëputen nga liria e lëvizjes së njerëzve. Sikurse respektimi i të drejtave themelore të shtetit e të së drejtës nuk është më pak i rëndësishëm se ai i rregullave të bilancit. Këto janë parime të patjetërsueshme të cilat mendoj se duhen nënvizuar me forcë pas rezultatit të referendumit britanik për daljen nga Bashkimi Europian.

    Gërryerja gjithnjë e më e shpejtë e shpirtit mbi të cilin u hodhën bazat e ngrehinës europiane nuk mund të na bëjë të jemi indiferentë. Pikërisht për të rivlerësuar këto parime themelore, në muajin shtator të vitit të kaluar kam qenë nismëtare, së bashku me Kryetarët e Bundestag-ut, të Asamblesë Kombëtare franceze dhe të Dhomës së Deputetëve të Luksemburgut, e Deklaratës “Më shumë integrim europian. Rrugëtimi që duhet ndjekur”, e cila më pas u nënshkrua nga njëmbëdhjetë Kryetarë të tjerë të Asambleve Parlamentare të Bashkimit Europian.

    Deklarata nënvizon nevojën e kapërcimit të politikave ekonomike shtrënguese përmes një vëmendjeje më të madhe të përmasave të tyre sociale; na angazhon në bashkëndarjen e sovranitetit në rrugëtimin drejt një federate shtetesh. Europa duhet të shndërrohet sërish në një projekt që ngroh zemrat, kryesisht zemrat e të rinjve tanë. Një perspektivë e madhe paqeje e rritjeje në rrafshin ekonomik, por dhe në atë të gjithëpërfshirjes sociale dhe mbrojtjes së të drejtave.

    Vitin e ardhshëm do të përurohet në Romë 60-vjetori i nënshkrimit të Traktateve europiane. Me këtë rast mendoj të parashtroj sërish çështjet e Deklaratës me qëllim që të shndërrohen gjithnjë e më shumë në nisma politike konkrete.

    Nuk kemi nevojë për një Europë gjithnjë e më të mbyllur në vetvete, të frikësuar për hapjen ndaj botës e të ndarë nga egoizmat kombëtarë. Përkundrazi duhet të angazhohemi me të gjitha forcat tona për të ndërtuar një Europë më të drejtë, gjithëpërfshirëse, të begatë e të hapur ndaj së ardhmes. Një Europë në të cilën jam e sigurt se edhe Shqipëria do të luajë një roj si protagoniste.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Tags

    Komentet

    Shto koment

    Denonco