Nishani dekoron kryetaren e parlamentit italian,Boldrini, me medaljen 'Gjergj Kastrioti Skënderbeu'

Nishani dekoron kryetaren e parlamentit italian,Boldrini, me medaljen 'Gjergj Kastrioti Skënderbeu'

14:55, 13/10/2016
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Sh.S.Znj. Laura Boldrini, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti Nishani, i sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Itali, shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Boldrini në Tiranë, duke e vlerësuar këtë takim si pjesë të agjendës shumë intensive dhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Nishani e konsideroi shkëmbimin e këtyre vizitave si shprehje të qartë dhe shumë domethënëse të nivelit të shkëlqyer e të partneritetit të veçantë strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kreu i Shtetit përshëndeti kontributin personal të zonjës Boldrini në ndihmë të popullit shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht përgjatë viteve 1997-1999, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe rolin e dhënë në përgjithësi nga Parlamenti italian në mbështetje të politikave të bashkëpunimit dhe të proceseve të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane, ku sigurisht zonja Boldrini ka luajtur një rol të veçantë. 

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e Evropës, si dhe domosdoshmërisë për të ridimensionuar sensin e solidaritetit së pari mes vendeve të Bashkimit Evropian por edhe të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian.

Pas takimit, Kreu i Shtetit në një ceremoni të veçantë i akordoi, me sugjerim të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit Adriatik dhe Jon”.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z.Bujar Nishani, mbajtur në ceremoninë e dekorimit të zonjës Boldrini:

"Sot kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të mikpres mes nesh, në këtë sallë të mirënjohjes së shtetit dhe popullit shqiptar për miqtë e vet më të shquar, një zonjë shumë të nderuar e të respektuar, një italiane me zemër të madhe, një misionare të guxishme të jetës dhe  paqes, Kryetaren  e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë,  Shkëlqësinë e Saj Laura Boldrini. 

Në përfundim të këtij takimi mjaft të frytshëm me zonjën Boldrini, pata mundësinë të konstatoj personalisht dashamirësinë dhe lidhjen e saj, do ta quaja mjaft të veçantë me kombin shqiptar, duke kontribuar fort me detyrën e lartë që mban për çimentimin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe duke promovuar plotësisht e bindur të ardhmen e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Zonja Boldrini na është gjendur përkrah si rrallë kush në ditë shumë të vështira për popullin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, atëherë kur regjimi i Sllobodan Milosheviçit u vërsul çnjerëzisht duke kryer dëbimin dhe shpërnguljen  barbare të shqiptarëve të Kosovës nga vatrat dhe trojet e tyre etnike gjatë viteve 1997-1999. 

Ato ishin vitet e tmerrit për qindra mijëra familje shqiptare, viktima të  politikës së Millosheviçit të spastrimit etnik të Kosovës; ishin vitet e solidaritetit të jashtëzakonshëm të botës së qytetëruar me familjet shqiptare e me vëllezërit e tyre  kosovarë; ishin vitet e luftës në disa fronte të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për të shpëtuar një popull të pafajshëm, për të çliruar Kosovën, për të mundësuar kthimin e refugjatëve në shtëpi, për të vendosur në këtë pjesë të  rajonit një paqe të themeluar mbi të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

    Në këto zhvillime komplekse, që fatmirësisht prodhuan dhe vijojnë të prodhojnë paqe e demokraci në rajonin tonë, zonja Boldrini ishte në vijën e parë të asaj zone delikate të frontit ku luftohej për të shpëtuar jetë dhe për të rrënjosur shpresën, si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë, në rrethet Has, Kukës dhe Tropojë.

    Përkushtimi  juaj në menaxhimin e kampeve të refugjatëve dhe spitaleve emergjente të ndërtuara nga UNHCR-ja në këto rrethe, humanizmi, mirësia, vendosmëria dhe sakrificat tuaja në shërbim të njerëzve të thjeshtë kanë lënë gjurmë të  pashlyeshme  në  kujtesën dhe gëzojnë edhe sot e kësaj dite mirënjohjen e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit shtetëror.

    Qoftë të atyre që u ndihmuan drejpërsëdrejti prej vetë zonjës Boldrini dhe strukturave të drejtuara prej saj,  qoftë  edhe të  shumë e shumë të  tjerëve, të cilët  patën rastin të shihnin me sy apo të  dëgjonin për  italianen e rrallë e me zemër aq të madhe.

    Ky është kontributi që bashkon shpirtin e madh të një Nënë Tereze me humanizmin dhe guximin e një gruaje moderne, personifikimi i së cilës është vetë zonja  Boldrini.

    E nderuar  zonja Boldrini,

    Mike e mirë në ditë të vështira!

    Jam mëse i lumtur, madje fort i privilegjuar që po më ofrohet mundësia dhe rasti t’i jap jetë falënderimit të shqiptarëve për ju dhe t’i bashkëngjis atij gjithashtu mirënjohjen zyrtare të shtetit shqiptar duke ju akorduar në emrin tim dhe atë të të gjithë qytetarëve shqiptar Dekoratën e lartë dhe shumë domethënëse ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

    Punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në misionin tuaj sa fisnik, aq edhe të përgjegjshëm e njerëzor për vendin dhe popullin tuaj, për shpirtin evropian, por edhe për miqësinë shqiptaro-italiane! "                                


     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Tags

    Komentet

    Shto koment

    Denonco