Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Rusia i shkel syrin Edi Ramës; Ja çfarë ju ofrojmë

Rusia i shkel syrin Edi Ramës; Ja çfarë ju ofrojmë

10:34, 13/10/2016
A+ Aa A-

Ambasadori rus në Tiranë, Alexandër Romanovich Karpushin, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka komentuar dinamikën e raporteve mes Shqipërisë dhe Rusisë, pengesat në bashkëpunim, indiferencën për Reformës në Drejtësi, deklaratat alarmuese për rritjen e influencës ruse në Ballkan, qëndrimin për Kosovën etj.

Karpushin pranon se nuk ka një dinamikë pozitive të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në disa pika, për shkak, sipas tij, të mungesës së vullnetit të autoriteteve shqiptare, dhe humbësja e madhe sipas tij është vetëm Shqipëria. Si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve, ambasadori përmendi çështjen e sanksioneve dhe deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus”.

 “Marrëdhëniet Rusi-Shqipëri, nëse i vlerësojmë ato në tërësi, natyrisht që nuk janë në një pikë ngrirjeje. Mund të bie dakord vetëm me një fakt që nuk ka dinamikë në zhvillimin e disa pikave të këtyre marrëdhënieve. I ulët është sidomos niveli i shkëmbimeve në fushën ekonomiko-tregtare. Është e vërtetë. Sipas mendimit tim, është Shqipëria ajo që humbet në radhë të parë. Po të flasim për dimensionin humanitar të marrëdhënieve tona, për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës, përfshirë këtu letërsinë dhe muzikën, mendoj që ky dimension mund të vlerësohet pozitivisht. Përveç kësaj, po mbahen kontakte të vazhdueshme normale mes dikastereve të politikës së jashtme të dy vendeve për çështjet e axhendës ndërkombëtare. Pak kohë më parë, pata një takim këtu në Tiranë me ambasadorin e Shqipërisë në Rusi z. Arben Gazioni. Diskutuam me hollësi për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe ramë dakord të koordinojmë përpjekjet tona për avancimin e tyre.

Për të marrë një përgjigjen, se përse elita politike e Shqipërisë, gjoja duke ndjerë një farë kompleksi, nuk bën përpjekje për zhvillimin e bashkëpunimit me Rusinë, mendoj se do të ishte më mirë t’u drejtoheni vetë përfaqësuesve të kësaj elite”, deklaroi ambasadori.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, ambasadori Karpushin shtoi se, Moska është gati të presë kryeministrin Edi Rama në një vizitë zyrtare, ndërsa theksoi se ftesat e vazhdueshme, refuzohet nga pala shqiptare, për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

 “Padyshim, ka disa faktorë, të cilët pengojnë zhvillimin normal të marrëdhënieve midis vendeve tona. Mund të përmendim të ashtuquajturën çështje të sanksioneve. Kam parasysh sanksionet antiruse, të miratuara në mënyrë të paligjshme në vitin 2014 nga SHBA-të, dhe nën ndikimin e amerikanëve edhe nga Bashkimi Europian. Siç dihet, këtyre sanksioneve iu bashkua edhe Shqipëria. Rusia ishte e detyruar të ndërmerrte kundërmasa dhe të ndalonte importin e prodhimeve bujqësore dhe ushqimeve nga vendet, të cilat i mbështetën sanksionet. Dhe pikërisht këto produkte bënin pjesën kryesore të eksportit shqiptar drejt Rusisë. Tani volumi i këtij eksporti me të vërtetë po shkon drejt zeros. Por kjo ndodh jo për fajin tonë. Për sa i përket orientimit gjeostrategjik, në këtë pikë sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur disa përpjekje të vendeve perëndimore, veçanërisht atyre që bëjnë pjesë në NATO, për të ringjallur disa elementë të luftës së ftohtë. Në këndvështrimin tim, deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus”, apo akuza për “agresivitet” të Rusisë janë të pamenduara dhe natyrisht nuk sjellin besueshmëri në marrëdhëniet tona bilaterale.

Megjithatë, mendoj se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme për zhvillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shqipërisë. Nga përvoja jonë në fushën e politikës së jashtme, i ashtuquajturi “orientim gjeostrategjik” nuk e pengon bashkëpunimin konstruktiv të vendeve të ndryshme me Rusinë. Nëse flasim konkretisht për BE-në dhe NATO-n, drejt të cilëve është e orientuar Shqipëria, duhet përmendur shembulli i Sllovenisë, e cila është anëtare e të dyja organizatave dhe nga ana tjetër nuk është jashtë përfitimeve nga bashkëpunimi me Rusinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Serbinë, e cila po zhvillon bisedime për anëtarësim në BE, por njëkohësisht bashkëpunon edhe me Moskën. Sanksionet antiruse nuk i pengojnë për shembull parlamentarët francezë dhe deputetët e një sërë rajonesh italiane të vizitojnë Krimenë. Meqë përmendëm Italinë, gjithnjë e më shumë rajone të saj dalin kundër kufizimeve artificiale të lidhjeve tregtare me Rusinë…

Për sa i përket një vizite të mundshme të Kryeministrit shqiptar në Rusi, mund t’ju siguroj që jemi gjithmonë të hapur për iniciativa të tilla dhe do ta prisnim me gëzim udhëheqësin shqiptar, veçanërisht nëse kjo vizitë do të shoqërohej me një axhendë substantive. Për më tepër, në Moskë janë të gatshëm të presin jo vetëm Kryeministrin, por edhe delegatë të tjerë zyrtarë, si në rang ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh. Ambasada rregullisht i dërgon palës shqiptare ftesa të shumta zyrtare për aktivitete të ndryshme ndërkombëtare dhe forume, të cilat zhvillohen në Rusi. Mendoj se do të habiteni, nëse ju them që pjesa më e madhe e këtyre ftesave thjesht mbeten pa asnjë lloj përgjigjeje. Përjashtim këtë vit bënë vetëm Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, z. Gjiknuri, që mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petërburgut, dhe kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, i cili u bë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Urban në Moskë. Domethënë, çështja këtu nuk qëndron tek gatishmëria e Moskës, por tek gatishmëria dhe vullneti i palës shqiptare”, tha ai për ngërçin e marëdhënieve mes dy vendeve.

Pyetjes se përse nga njëra ana kërkojnë njohjen ndërkombëtare të “Krimesë” dhe nga ana tjetër nuk e njohin pabarësinë e Kosovës, ambasadori rus ju përgjigj;

“Rusia po kërkon jo “njohjen e Krimesë”, por njohjen e legjitimitetit të ribashkimit të saj me Rusinë, ribashkim ky që u realizua në vitin 2014 si rezultat i një referendumi absolutisht transparent. Rezultatet e tij flasin vetë: nga një pjesëmarrje prej 83%, më shumë se 95% e votuesve të Krimesë u shprehën për rikthimin e gadishullit në përbërje të Rusisë. Të heqësh paralele me Kosovën nuk është shumë e drejtë. Krimeja historikisht ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse, pra ka qenë pjesë e pandarë e shtetit rus. Pas vitit 1954, pavarësisht kalimit të saj si pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, Krimeja mbeti në përbërje të vendit tonë të bashkuar, dhe të flasësh për “ndarjen e saj me vendim të Byrosë Politike” nuk është korrekte”.

Ambasadori dha shpjegime edhe për akuzat që po i bëhen Rusisë për një plan në Ballkan për rritjen e influencës së saj veçanërisht në Bullgari, Maqedoni, Greqi dhe Shqipëri, duke blerë masivisht prona.

“Mendoni seriozisht që një qytetar rus, i cili ka vendosur të blejë një pronë diku në bregdetin e Bullgarisë apo Malit të Zi, e bënë këtë nën ndikimin e autoriteteve të Rusisë dhe mendon njëkohësisht për “konsilidimin e influencës ruse në Ballkan”? Është për të qeshur me gjykime të tilla, që në opinionin tim, janë pasojë e drejtpërdrejtë e fushatës antiruse të mediave perëndimore, të cilës i bashkohen edhe disa analistë shqiptarë” , tha për këtë çështje ambasadori Karpushin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco