Diplomati shqiptar: Rusia plan për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2017

Diplomati shqiptar: Rusia plan për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2017

21:12, 03/12/2016
A+ Aa A-

Në Tiranë, diplomati dhe studiuesi Shaban Murati thotë se Rusia ka shtrirë influencën e saj jo vetëm në ato që mund të konsiderohen si shtete sllave në rajonin e Ballkanit por dhe në Shqipëri. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai flet për ndikime në politikën shqiptare, një valë filoruse në mediat e vendit apo shtimin e shoqatave e qendrave studimore që përpunojnë teza e qëndrime në rezonancë me politikat ruse. Zoti Murati shprehet dhe për mundësinë e ndërhyrjeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti Murati, javën e shkuar parlamenti europian miratoi një rezolutë kundër asaj që është quajtur si një fushatë propagandistike apo dizinformuese të Rusisë për të sfiduar vlerat demokratike dhe për të ndarë Europën. Ndërkohë prej kohësh është folur për një ndikim në rritje të Rusisë edhe në rajonin e Ballkanit. Sipas jush, sa e pranishme është Rusia dhe ndikimi i saj në rajonin tonë?

Shaban Murati: Mendoj që rezoluta e parlamentit europian reflekton një situatë reale, qoftë të gjenjdes në terren qoftë të burimeve të kërcënimeve që vijnë nga një veprimtar e gjatë e heshtur dhe e qetë, në fushën e propagandës dhe fusha të tjera, elementë ose parametra të së quajturës luftë hibride që zhvillohet mes Lindjes dhe Perëndimit, ose më saktë mes Rusisë nga njëra anë, dhe BE, SHBA e Perëndimit nga ana tjetër.

Eshtë një situatë e cila nuk duhet të befasojë ata njerëz të cilët e kanë ndjekur me kohë situatën. Në mënyrë të vecantë kjo doli në dritë pas ngjarjeve në Ukrainë, ndërhyrjes ushtarake dhe ankesimit të dhunshëm të Krimesë nga ana e forcave ruse, dhe nxitjes apo nisjes së luftës separatiste pro ruse në Ukrainën lindore. Do të theksoja që këto elementë të ndërhyrjes së qetë apo të heshtur rusë në Ballkan apo në Europë, janë jo të rastësishme dhe kanë një shtrirje të gjerë gjeografike e cila bazohet në konceptin e themelor strategji të Rusisë, ose më saktë të Presidentit rus Vladimir Putin, në raportet dhe në synimet e politikës së jashtme ruse në Europë. Unë dua të tërheq vëmendjen në një element i cili për fat të keq në diplomacinë ballkanike, ka kaluar pa u vënë re apo pa u analizaur si dihet. Në Dhjetor të vitit 2014, pak muaj pas agresionit në Ukranië, presidenti Putin shpalli për herë të parë kundërshtimin e tij dhe të Rusisë për të njohur rezultatet e Luftës së Ftohtë. Për herë të parë Kremlini, ngre tezën e rinegocimit të Luftës së Ftohtë dhe të hartimit të një Traktati të ri paqeje mes Perëndimit dhe Rusisë. Ishte një kërkesë në pamjen e parë absurd, 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, një situatë e cila krijonte rrethana dhe situate krejt të reja gjeopolitike, por që kaloi në heshtje, në shumë qarqe diplomatike qa më tepër në qarqet diplomatike europiane apo ballkanike.

Unë i kam kushtuar një vëmendje të madhe këtij elementi, sepse të ndihmon që të zbërthesh cila është strategji ruse në Ballkan dhe në Europë. Strategjia është që së pari të mos pajtohet me hartën e re që u krijua pas shembejs së komunizimit. Dhe e dyta për ta rikrijuar në një farë mënre, me mjet të ndryshme, këtë lloj sfere influence që Rusia kishte në kohën e perandorisë sovjektike. Dhe pa dyshim ajo do të përshtatej me kohën e re e nuk mund të ishte e kohës se Cekosllovakisë, as e kohës së Hungarisë apo Polonisë. Do ishte një strategji e re, dhe natyrisht, Rusia dhe presidenti Putin si arkitekt kryesor i kësaj strategji të re rusë në ekspansion drejt kohërave të vjetra të ndikimit rus, ndërmorri një përshtatje, e cila ka qenë zbatimi apo koordinimi i mjeteve të luftës së heshtur, për ta zgjeruar këtë influencë të Rusisë dhe në rajone të tjera. Kjo doli me një forcë më të madhe pas krizës ukrainase. Sepse më krizën e Ukrainës ne kemi përplasjen e parë gjeopolitike të hapur mes BE-së dhe Rusisë. Pa dyshim kjo ishte një përplasje e ashpër dhe mori një rrjedhë e cilë në një farë mënyre ndryshoi edhe karakterin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për mua, Rusia me agresionin në Ukrainë realizoi 11 Shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pas Ukrainës ne nuk mund t’I shohim marrëdhëniet ndërkombëtare si më parë.

Kjo do të thotë që efektet e kësaj krize do të zgjateshin dhe do të shtriheshin edhe në rajone të tjera. Dhe logjika më e ftohtë të con te mendimi që do të shtrihej dhe në zona ku hallkat do të ishin më të dobta. Ballkani mbetet hallka më e dobët e arkitekturës europiane të sigurisë. Dhe pas ngjarjeve në Ukrainë ne kemi parë një intensifikim të formave të ndryshme të ndërhyrjes ruse në të gjitha shtetet e Ballkanit, pa përjashtim.

Zëri i Amerikës: Por është thënë shpesh se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende që kanë mbetur jashtë këtij ndikimi. Megjithatë në një shkrim tuajin para disa ditësh ju keni një qëndrim tërësisht të kundërt. Madje shprehni shqetësim dhe e konsideroni mungesën e jehonës në mjedisin shqiptar të rezolutës së PE-së, si pasojë të ndikimit rus…

Shaban Murati: Me të drejtë ju e veçoni Shqipërinë dhe Kosovën si elementë që ngjallin pikëpyetje, sepse tradicionalisht është menduar se ekspansioni rus ose ndikimi apo penetrimi i formave të ndryshme ruse, shtrihet vetëm në shtetet sllave, që janë me shumicë ortodokse, që kanë të njejtin alfabet, ose lidhje të vjetra historike, siç ka Rusia me Serbinë, Maqedoninë apo Malin e Zi. Mendoj se është një vizion jo i saktë, sepse për një njeri që ka ndjekur në mënyrë skrupoloze zhvillimet në Ballkan, e sheh që plani apo ofensiva ruse përfshin të gjitha vendet pa përjashtim.

Rusia së pari do të tentojë shtetet ish komuniste të Europës lindore dhe të Ballkanit, sepse ideologjia e përbashkët e këtyre shteteve që kanë qenë nën të njejtin Traktat ushtarak, pavarësisht se Shqipëria ka qenë deri në vitin 1961, por ka qenë anëtare e Traktatit të Varshavës, anëtare e KNER-it, Komisioni i Ndihmës Ekonomike Reciproke, një bllok ekonomik i drejtuar nga Rusia. Pra Rusia do të tentojë të hyjë në zonat e influencës që kanë qenë në një farë mënyre të legalizuara siç ka qenë Traktati i Varshavës dhe KNER-i.

Elementi tjetër është fakti që përveç vendeve që kanë qenë ish komuniste, Rusia synon shtetet anëtare të Natos apo aspirante për t’u bërë anëtare, siç është rasti i Shqipërisë apo dhe Kosova.

E treta, Rusia po vepron si kundërpërgjigje gjeopolitike ndaj avancimit të perëndimit në Ballkan, pasi shohim që të gjitha shtetet e Ballkanit janë të interesuara të anëtarësohen në BE, asnjë shtet nuk është jashtë proçesit të integrimit, pavarësisht nga nivelet në të cilat ndodhen. Gjë që Rusisë në planin gjeopolitik nuk i intereson. Prandaj ajo do të përpiqet të kundërbalancojë, apo të bëjë atë që unë e quaj ndryshim rregjimi, do të thotë, ndryshimi i kursit të njërit apo tjetrit shtet. Dhe praktika e Ballkanit, qoftë dhe e dy viteve të fundit, na ka treguar se Rusia ka arritur të depërtojë dhe të ketë efekte dhe në shtetet e Ballkanit duke nisur që nga Bullgaria, te Sllovenia apo qoftë dhe Greqia.

Zëri i Amerikës: Në të njejtin shkrim tuajin, flisni për veprime konkrete të ndikimit rus në Shqipëri. Flisni për media, think-tank, që mund të jenë të financuara apo sponsorizuara nga Rusia. Në çfarë shkalle është kjo shtrirje e ndikimit rus në Shqipëri?

Shaban Murati: Në librin tim Rusia Ballkanike të botuar në vitin 2014, arrij në konkluzionin se forca e lobit rus në Shqipëri është më e madhe nga sa ne e kemi menduar. Dhe realisht është e tillë. Do të theksoja disa drejtime. …

Drejtimi i parë është provokimi ose inkurajimi i një antiamerikanizmi politik. Shqipëria është mbajtur si vend proamerikan, proeuropian, apo dhe disa pro të tjera. Rusët dy vitet e fundit janë përpjekur të nxisin zhvillimin e një rryme antiamerikane në Shqipëri. Në Shqipëri ka antiamerikanizëm. Tradicionalisht antiamerikanizmi në Shqipëri ka qenë i majtë, por në vitin 2016 pamë që antiamerikanizmi ishte dhe i djathtë. Pra pamë forca të djathta në Shqipëri që në mënyrën më absurd dolën jo thjesht kundër ambasadorit amerikan, por ishte një qëndrim antiamerikan politik. Fakti që këtu kemi dhe forca të majta por dhe të djathta që dalin me qëndrime kundër SHBA-ve që do të thotë kundër aleancës tonë me SHBA-të, të çon te përfundimi që kjo është një lëvizje ose një profil politik i sponsorizuar nga jashtë, dhe natyrisht shteti më i interesuar për këtë është Rusia.

Së dyti, gjatë dy viteve të fundit, sidomos në vitin e fundit, kemi një valë rusofilie në mediat shqiptare të pa parë gjatë 24 viteve të pluralizimit në Shqipëri. Eshtë një proces i cili për çdo njeri që ka një përvojë të gjatë në shtyp e ka shumë të lehtë të kuptojë prirjet, theksin e një gazete, apo një medie apo portali. Kjo rusofili e cila është bërë fenomen, nuk është aksidentale, mendoj që ka qenë dhe është e sponsorizuar nga Rusia, sepse asaj i intereson ngjallja e kësaj ndjenje fallso të lavdisë, forcës së Rusisë, përpjekja për të përhapur panik, për të trembur publikun dhe orientuar atë drejt një pranimi të cdo veprimi agresiv që Rusia ka bërë që nga Krimea e deri në shtetet e tjera.

Së treti, kemi fenomenin e qendrave studimore apo shoqatave jo qeveritare të cilat qarkullojnë me studime, teza e qëndrime që janë në rezonancë me qëndrimet ballkanike të Rusisë.

Së katërti, ka një përpjekje për ringjalljen e një nostalgjie të vjetër për ish Bashkimin Sovjetik. Kjo nuk ka të bëjë me kulturën ruse apo sovjetike, por thjesht ngjallja e ndjenjave pro rusë, për krijimin e një klime të favorshme që të penetrohet me qëndrime e tezae në një farë mënyre të krijohet dhe klima për ndryshime të karakterit strategjik.

Zëri i Amerikës: Në rezolutën e parlamentit europian por dhe në diskutimet që u bënë lidhur me të, u ngrit shqetësimi dhe i financimit nga ana e Rusisë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, në vende të rëndësishme europiane, i forcave politike antieuropeiste. Por në Shqipëri nuk kemi forca të tilla, të paktën deri tanmi askush nuk ëstë shfaqur kundër Bashkimit europian apo procesit të integrimit...

Shaban Murati: Këtu shpesh herë mendohet se është e pamundur kjo kur të gjitha partitë janë proamerikane, proeuropiane. Por është naive të mendosh kështu. Sepse përpjekjet për të ndikuar në Shqipëri janë në forma të ndryshme dhe sidomos kohët e fundit në Ballkan shohim përdorimin e një instrumenti të ri të gjeopolitikës ruse, që është ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje. Nuk është një fenomen vetëm ballkanik, është një fenomen që konstatohet dhe në shtete të fuqishme si në SHBA ku në rastin e zgjedhjeve presidenciale patëm akuza dhe nga zyra shtetërore amerikane për ndërhyrje të Rusisë në procesin zgjedhore. Patëm ndërhyje dhe në Britaninë e Madhe në procesin e referendumit për daljen nga BE-ja. Po kemi fakte të ndërhyrjes së Rusisë në zjedhjet në Bullgari, në Mal të zi, në Serbska Republika, në Serbi, në Moldavi, e në Greqi dhe unë nuk e përjashtoj që ky proces zgjedhor që afron në Shqipëri, në një mënyrë ose një tjetër, do të ketë me siguri, dhe ka, unë e kam paralajmëruar këtë dhe në shkrimet e mia, implikim dhe inkurajime të forcave apo institucioneve të specializuara ruse në drejtim të forcave politike të majta dhe të djathta.

Sponsorizimi apo financimi e ndërhyrja ruse nuk është vetëm për të inkurajuar forcat euroskeptike. Por është për të krjuar forca pro ruse. Pra duhet bërë një dallim. Eshtë e njejta gjë që mund të themi për Bullgarinë dhe Moldavinë. Aty nuk është se fituan euroskeptike, por në zgjedhjet presidenciale dolën forcat proruse në pararojë të skenës politike.

Pra dhe në Shqipëri duhet bërë ky dallim. Ne mund të shitemi shumë europianë, por për Rusinë ka rëndësi që në Shqipëri të inkurajohen ato forca që krijojnë trazira, turbullira, problete, që e spostojnë boshtin e orientimit strategjik të Shqipërisë, në fillim për ta ndarë mes SHBA-ve dhe BE-së dhe pastaj mes BE-së dhe Rusisë. Për mendimin tim shumë lëvizje që konstatohen në skenën politike shqiptare, gjatë një viti, në forca të majta, me personalitet të majta apo të djathta, me grupe të majta apo të djatha, nga qëndrimet apo strategjitë që ndjelin, për mendimin tim, më shumë janë të sponsorizuara nga jashtë.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj si duhet reaguar ndaj kësaj situate?

Shaban Murati: Unë e kam quajtur kundër-revolucioni i heshtur rus, për të krijuar erozionin e atyre rezultateve të revolucioneve demokratike që u zhvilluan 25 vjet më parë, që përmbysën rregjimet komuniste dhe që sollën dhe përmbysjen e perandorisë sovjektike. Pra ky kundër-revolucion kërkon të kthejë ato drejtime e orientime apo “vlera” që janë në kundërshtim me ato që ne kërkuam para 25 vitesh.

Reagimet mund të jenë të dy llojshme. Së pari që është më e rëndësishme, reagimi i kompleksit mbrojtës të institucioneve shtetrore të cilat mbahen nga taksapaguesit pikërisht për të ruajtur Shtetin dhe identitetin e vlerat demokratike. Së dyti natyrisht është dhe reagimi që bën vetë klasa politike dhe elita intelektuale shqiptare që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm se qoftë fitorja e revolucioneve demokratike, qoftë aspitatat demokratike, nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, që fitohen dhe i ke të siguruara. Ato duhen mbrojtur. Eshtë si një trup i cili kërkon profilaksinë e vetë dhe këtë profilaksi duhet ta bëjë dhe shteti dhe intelektualët dhe qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco