FOTO/ Si u ngrit skema e korrupsionit gjigant për 4 koncesionet në Shëndetësi

FOTO/ Si u ngrit skema e korrupsionit gjigant për 4 koncesionet në Shëndetësi

12:39, 01/12/2016
A+ Aa A-

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sipas burimeve të sigurta të “SYRI.net”, përpara disa kohësh pas denoncimeve të shumta të kompanive që kanë humbur në tenderimet e koncesioneve të shumta të qeverisë Rama, investigimeve të shumta të mediave serioze brenda dhe jashtë vendit, si dhe denoncimeve të opozitës u hodh ideja e krijimit të “Dosja PPP”.

Bëhet fjalë për bashkimin në një hetim gjigant të gjithë koncesioneve të dyshimta, me pasoja të rënda ekonomike për buxhetin e shtetit, ose të atyre që Rama preferon ti quajë Parternitet Publik-Privat. Puna për këtë hetim faktikisht ka nisur nga një grup prokurorësh, por gjasat që ai të mbyllet shpejt janë të pakta, pasi presioni politik është i jashtëzakonshëm. Gjithsesi dokumentacioni po grumbullohet me shpejtësi dhe SPAK, do ta ketë rrugën e shtruar menjëherë pasi të nis të funksionojë.

Pjesa më voluminoze dhe skandaloze në këtë dosja është ajo, për koncesionet në Shëndetësi.

Sot në parlament qeveria Rama, çon projekt buxhetin e vitit 2017. Ajo që bie në sy në këtë projekt që me shumë gjasa do të miratohet në parim që sot është devotshmëria e qeverisë, për të rritur pagat dhe pensionet dhe shpenzimet për zyrat dhe rezidencat e veta. Investimet për rrugë dhe shkolla, edhe vitin që vjen është zero. Do mbarojmë ato që kanë nisur 4 vite më parë thonë, pa ju skuqur faqja. Kuptohet se përse pagat dhe pensionet zënë zërin kryesor; viti që vjen është elektoral dhe final për ëndrrën e Ramës, që të mbajë karrigen e kryeministrit edhe për 4 vite të tjera. Pikërisht për këto çështje pritet që të ketë edhe një përplasje të madhe sot në parlament, mes opozitës dhe shumicës.

Por në këtë buxhet fshihet edhe një skemë tjetër korruptive në vazhdim të skemës gjigante të grabitjes së parave publike, nga koncesionet në shëndetësi. Bëhet fjalë për koncesionin e laboratorëve të spitaleve me vlerë 65 milion euro, të cilat do të shkojnë në dorë të vetëm 1 personi. Strumbullari është sërish Edi Rama me mikun e tij të vjetër, Ilir Beqja.

Do të duhej më shumë se një vit, që pas dhjetëra denoncimesh nga opozita dhe investigimesh nga media për koncesionin e Chack-Up-it, që një javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda, të hapte hetimet për ministrin Beqja.  Emri i ministrit më të përfolur për korrupsion galopant në këto 25 vite, nuk ishte  ri për organin e akuzës. Në muajin dhjetor të vitit 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin, edhe për dy koncesione të tjera: atë të sterilizimit të aparaturave mjekësore dhe të shërbimit të hemodializës. Në kuadër të këtij hetimi, u morën në pyetje shumë nëpunës të ministrisë dhe u sekuestruan dokumentet përkatëse, por deri tani nuk ka asnjë shenjë, se Beqja do të vihet përpara përgjegjësisë penale, së shpejti.

Për të dhënë një panoramë më të qartë të asaj që ka bërë Rama me Beqjan, në fushën e shëndetësisë duke ngritur një skemë të pastër vjedhjeje të qindra milion eurove, “Syri.net” po ju sjell të përmbledhur të katër koncesionet në këtë fushë, bazuar në të dhëna nga prokuroria dhe të denoncuara nga mediat dhe opozita. Bëhet fjalë për qindra milion euro në më pak se 4 vite, ndërkohë që nuk është ngritur asnjë spital I ri, asnjë qendër shëndetësore apo Qendër Urgjence.

ImageKoncesioni më i ri: Laboratorët

Mund të konsiderohet qoka e fundit,  që Rama i bën  klientëve të vetë në fund të këtij mandati, është koncesioni i laboratorëve.

Në projektbuxhetin e viti 2017 në tabelën me të gjitha koncesionet  dhe vlerat në miliona euro, që do tu kushtojnë në atë vit shqiptareve, i fundit në radhë gati i fshehur në zërin e Shëndetësisë, gjendet koncesioni nr.4, që plotëson skemën grabitqare Rama&Beqja në sektorin e shëndetësisë.

Janë futur plot 65 milion euro në këtë projektbuxhet, pa asnjë lloj transparence, pa asnjë lloj dakortësie, as me grupt e interesit, e as me Komisionin e Shëndetësisë. Gjithçka në fshehtësi të plotë, siç u veprua edhe me tre të tjerët. Kërkesa për mbështetje financiare për këtë projekt nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë është miratuar nga MOF dhe pritet, që të lidhen kontratat përkatëse në vitin 2017. Të gjitha këto 65 milion euro, do ti shkojnë vetëm një personi. Pavarësisht se Komisioni i parë që ngriti vetë Ministria e Shëndetësisë, me specialist, IFC, e hodhi poshtë këtë ide, u krijua shpejt e shpejt një komision i dytë në mungesë të plotë transparence, fshehtas duke e bëri gati për paketën që pritet të votohet sot në parim.

Por çfarë fshihet pas këtij koncesioni?

Janë 18 laboratorët publikë spitalorë, që përbëjnë 80% të tregut aktual, të cilët do të privatizohen. Me gjithë ndërtesat, pajisjet, reagentet, gjithçka. (Po 20 laboratorët që duhet të ndërtonte sipas kontratës së Check Upit të Vilma Nushit, ku janë?!)

Përveç flakjes në rrugë të qindra specialistëve, kryesorja është që një laborator privat, nuk i përgjigjet dot kërkesave të një strukture publike siç është përshembull spitali Nënë Tereza. Aq më pak, emergjencave nacionale. Pra nëse ky koncesion dështon, qindra të sëmurë në Urgjence mund të vdesin për mungesë diagnostikimi. Dhe nuk bëhet fjalë për çarçafë, por për analiza që diagnostikojnë kancer, leucemi e sëmundje të tjera serioze. Makutëria ka arritur deri aty sa që po aplikojnë një skemë në një sector delikat si shëndetësia, e cila ka dështuar më parë dhe nuk aplikohet në asnjë vend të Europës.

Vetëm në Lesotho,( vend Afrikan në kufij me Botsvaninë) është aplikuar një koncesion i tillë për 18 vjet, dhe ka kushtuar sa gjysma e buxhetit të shëndetësisë. Unioni i Profesionistëve të Shëndetit të Kanadasë shprehet kundër koncesioneve të tilla. Sipas tyre, ky sistem i PPP me koncesion i aplikuar në laboratorët e disa spitaleve  kanadeze (Vetëm si projekt pilot), në vitet 1995,1996 në Spitalin e Torontos, spitalin Suunybrook dhe disa spitale te UK, kanë deshtuar totalisht. Sipas tyre, ky koncesion dëmton cilësinë e shërbimit në urgjenca dhe ul sigurinë e pacientit. Aq me shumë që shërbimi laborator, nuk kërkon një investim fillestar siç mund të kërkojë përshembull ndërtimi i një spitali. Pra kemi të bëjmë vetëm me vjelje parash nga buxheti i shtetit, taksapaguesit në fakt,  pa hedhur asnjë cent.

Image

Edi Rama me Vilma Nushin

Koncesioni i Check Upit

Një javë më parë, Prokuroria e Tiranës deklaroi se më në fund  ka nisur hetimin ndaj Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj pas padisë së Partisë Demokratike, për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga 40 -65 vjeç (Check–Up Falas).

Krimet e Rënda po hetojnë ministrin Beqja për një vjedhje nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, me një vlerë prej 20 milion eurosh vetëm për 1 vit. “Syri. Net” ka lexuar pjesë nga kjo dosje e sapo hapur, që po mbushet me shpejtësi.

Akuza fillon që me fillesat e këtij koncesioni; tenderimin e tij dhe abuzimin e hapur të jashtëligjshëm që është bërë me procedurat favorizuese ndaj përfitueses Vilma Nushit, kliente personale e kryeministrit Rama.

Koncesioni i Check Up-p-it i është dhënë kompanisë që e ka pasur ofertën 25 përqind më të lartë sesa oferta e grupit të kompanive e cila nuk e fitoi. 18.5 milionë është dëmi ekonomik vetëm në procesin e tenderimin”, thuhet në dosje vetëm për mënyrën sesi është dhënë ky koncesion.

Përveç mënyrës abuzive të tenderimit, po hetohet edhe për inplementimin e këtij shërbimi. Është vërtetuar se janë paguar afro 1.5 milion euro, për shërbime të pa mara. Që nga muaji Mars i vitit 2015-të kur nisi ky shërbim, kompania e Vilma Nushit duhej të bënte kontrollin e afro 365 mijë qytetarëve, por shërbimi sipas shifrave zyrtare, është marrë vetëm nga 244,420 pacientë. Pa u futur në vërtetësinë e shërbimit edhe për rreth 250 mijë qytetarët e deklaruar, skandali qëndron te fakti se kompania ka marrë paratë, edhe për rreth 120 mijë Check-Up-e që nuk i ka kryer.

Por Beqja nuk është ndalur me kaq. Ai po hetohet edhe lidhur me vendimin flagrant korruptiv për zgjerimin e fashës së personave që kryejnë Check Up -in, nga 45 – 65 që ishte sipas kontratës fillestare duke e çuar në 35 – 75 – vjeç. Ky ndryshim u bë jo vetëm për të mbuluar dështimin total të Check Up –it, por edhe për të rritur fondet shtetërore, për kompaninë e mikeshës së kryeministrit. Bëhet fjalë për 50 milion euro plus, për 10 vitet e ardhshme.

Përveç këtyre abuzimeve të rënda të bëra nga Ministria e Shëndetësisë me firmën e Beqes, po hetohet edhe vetë kompania, për të cilën dyshohet se ka abuzuar shumë me cilësinë e shërbimit dhe ka falsifikuar dhjetëra mijëra kontrolle. Së fundmi u zbulua, se kanë bërë kontroll shëndeti rreth 20 mijë persona, të cilët në gjendjen civile rezultojnë të vdekur prej kohësh.

Arsyeja kryesore e implementimit të Check Up-it ishte parandalimi i sëmundjeve, që vijnë edhe nga duhani dhe alkooli. Por pikërisht këtu, qëndron absurditeti dhe një konflikt shumë i madh interesi. Koncensionari me pronare Vilma Nushin, tradicionalisht merret dhe ka si veprimtari kryesore, tregtimin e duhanit dhe alkoolit. Pra me “njërën dorë” mbush Shqipërinë me duhan dhe alkool, kurse me tjetrën “punon” për interes të publikut, për të parandaluar sëmundjet që shkaktohen nga këto produkte që shet!

Image

Edi Rama dhe Ilir Rrapaj

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore i kushton buxhetit të shtetit 71 milionë euro pa TVSH, për 10 vitet e ardhshme. Vitin e shkuar, Reporter.al publikoi një hetim për procedurat e fitimit të këtij koncesioni, nga Investital llc, Servizi Italia spa, U.Jet srl dhe Tecnosanimed.

Investital që del kompania kryesore në këtw sipërmarrje, është e regjistruar në Kosovë me pronar biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili përpara se të shpallej fitues u shfaq edhe publikisht në shoqëri të ngushtë me Ilir Beqajn dhe Edi Ramën, veçanërisht në kohën kur ishin në opozitë. Pas investigimit në fjalë rezultoi se Rrapaj nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore; kompania e tij në Itali, vepronte në fushën e “artizanaleve” dhe ishte aq e fuqishme sa që kishte të deklaruar vetëm një punonjës dhe një kapital qesharak.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013, Rrapaj u kthye në Shqipëri dhe ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me Ministrin Beqaj. Ai e prezantoi atë, edhe me ortakët e tij italianë. Rrapaj mori pjesë në një aktivitet të qeverisë në nëntor të 2013-ës dhe më pas, ministri Beqaj udhëtoi për në Perugia në dhjetor të 2013-ës, ku u takuan sërish. Beqaj udhëtoi dhe disa herë të tjera për në Perugia dhe firmosi disa marrëveshje me institucionet vendore, gjithmonë në prani të klientit rishtar Rrapaj.

Në dhjetor të viti 2013, ministria jonë e Shëndetësisë dhe Universiteti i Bolonjës firmosën një memorandum bashkëpunimi, në të cilin përfshihej, edhe një bashkëpunim me grupin e kompanive italaine, Polo Biomedical Umbria . Tre kompanitë, të cilat fituan tenderin e sterilizimit, Servizi Italia, U.Jet, and Tecnosanimed janë pjesë e këtij grupi mjekësor.

Procedurat e tenderit u hapën në 4 maj të 2015-ës dhe në atë kohë u kundërshtuan shumë. Përveç konsortiumit të drejtuar nga kompania Investital, pronë e Zotit Rrapajt, një tjetër konsorcium italo- shqiptar, mori pjesë në tender. Ai drejtohej nga kompania Action Laundry, e themeluar në Durrës, e cila bëri një ofertë 25 për qind më të ulët se sa konsorciumi Investital. Pavarësisht ndryshimit të madh në vlerën e ofertës, Investital fitoi me 73.89 pika kundër kompanisë Action Laundry me 42.83 pikë.

E pyetur atëherë nga BIRN, për diferencën ndërmjet dy ofertave, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se vlera prej 1 miliardë lekë në vit e dalë në media është e “tërësisht e pavërtetë” dhe një gënjeshtër e krijuar nga bashkimi i kompanive konkurrente, duke rritur artificialisht numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Pavarësisht pretendimit të Ministrisë, buxheti i koncesionit për vitin 2017 është 9.1 milionë euro për çdo vit.

Bashkimi i kompanive Investital krijuan një kompani të re të quajtur Saniservice shpk, e cila menaxhon koncesionin. Rrapaj zotëron 40 për qind të kompanisë së re, (pavarësisht, se ai nuk ka asnjë përvojë në fushën e shëndetësisë). Ndërsa Servizi Italia ka 30 për qind, Tecnosanimed 15 për qind dhe U.Jet 15 për qind.

ImageKoncesioni i hemodializës

Kontrata për shërbimin e hemodializës u dha me kohëzgjatje prej 10 vjet, me një vlerë të përgjithshme prej 63.5 milionë euro pa TVSH, ose 86 milion dollarë.  Qëllim i saj ishte dhënia e shërbimit të hemodializës në Tiranë, rindërtimi i hapësirave mjekësore në Vlorë e Shkodër, dhe krijimi i tre qendrave shëndetësore në Lezhë, Korçë dhe Elbasan, sipas standardeve shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë hapi procedurën për tenderin e hemodializës, në Maj të viti 2015. Sipas një tjetër investigimi të Reporter.al, kompania përfaqësuese e  bashkimit të kompanive që fituan tenderin, Evita shpk, ështe një kompani e cila vepron në fushën e farmaceutikës. Sipas dokumenteve publike, Evita, e themeluar në maj të vitit 2013, u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej qinda eurosh (736 euro) në një kapital, prej 221,735 mijë euro vetë gjatë vitit  2015.

Pronarja e kompanisë Evita, Majlinda Fetiu, nuk ka asnjë shkollim në farmaceutikë apo ndonjë profesion tjetër në fushën e shëndetësisë; ajo është kushurira e administratorit të spitalit Amerikan Klodian Allajbeu. Administrator i Evitës është një ish-nëpunës i të njëjtit spital, dhe Evita kishte adresë zyrtare katin e dytë të ndërtesës së Spitalit Amerikan.

Evita e fitoi tenderin e hemodializës në konkurrim me tetë ofertues, edhe pse ishte kompania e dytë me ofertën më të lartë. Është e paqartë se cilat kritere  e kthyen kompaninë Evita në të preferuarën e qeverisë. Ajo nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në dhënien e shërbimit të hemodializës.

Pas publikimit të hetimit , faqja zyrtare e propagandës qeveritare Transparenca.al, njoftoi se Evita ka garuar së bashku me Spitalin Amerikan. Spitali Hygeia mori pikët maksimale (30) për sa i përket pagesës për pacient në krahasim me Evitën/ Spitalin Amerikan (28.66). Por, ajo u vlerësua meme 3.26 pikë për kriterin e   “eksperincë në tre vitet e fundit,” ndërsa Spitali Amerikan/ Evita u vlerësuan me 10 pikë për të njëjtën kategori, edhe pse të dy spitalet kanë qenë njësoj të suksesshëme në shërbimin e hemodializës.

Por një shënim në dokumentet e tenderit sqaron hilen: “Kriteri i specifikuar në këtë tabelë me emrin `eksperiencë gjatë tre viteve të fundit`, matet me numrin mesatar të pacientëve të shërbyer në tre vitet e fundit.”

Kjo sqaron arësyen pse Evita/Spitali Amerikan u vlerësuan tre herë më shumë: Spitali Amerikan në menyrë arbitrare ka marrë tre herë më shumë pacientë nga QSUT, për tre vitet e fundit. Me fjalë të tjera, vendosja e një kriteri vetëm në numrin e pacientëve e bëri të sigurt fitoren e bashkimit të kompanive Evita/Spitali Amerikan, pavarësisht nga vlera teje e lartë e ofertës.

Si rrjedhim, Spitali Amerikan efektivisht ka nxjerrë Hygeian jashtë tregut dhe ka krijuar një monopol virtual për 10 vitet e ardhshme, me një çmim të paracaktuar, nëpërmjet një procedure e cila favorizon numrin e mëparshme të pacientëve, dhe jo domosdoshmërisht cilësinë e shërbimit të ofruar.

Ashtu si edhe në rastin e koncesionit të sterilizimit, një kriter i fshehtë i qepur sipas një kandidati të caktuar, është mënyra e gjetur nga qeveria për të shpallur fitues klientët e saj.

Image

Lokali i Majlinda Fetiut në Berat, njeriut që fitoi koncesionin e hemodializës

Në korrik të 2016-ës, katër persona humbën jetën në klinikën e hemodializës nëSpitalin Amerikan, pasi një pacient i vuri zjarrin një pacienti tjetër me benzinë, pas një debati për radhën e marrjes së shërbimit. E gjithë klinika u dogj, ndërsa spitali amerikan i bëri presion medias të heqin emrin e spitalit nga lajmet, duke i kërcënuar me ndërprerje të reklamave. Por më skandalozja është se, spitali nuk pranoi as atëherë dhe as sot, që të japi detaje për procedurën e hemodializës, pajisjet mjekësore të gatshme apo kushtet në të cilat procedura mjekësore zbatohet.

Vetëm dy ditë më parë, nga dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që aksionieri më i madh i koncesionit të hemodializës EVITA Sh.p.k  është shitur “papritur”, në fund të shtatorit 2016. Më 21 shator aksionierja e vetme e EVITA Sh.p.k Majlinda Fetiu, i ka shitur aksionet e saj duke i shpërndarë në dy aksionerë të rinj, Rasim Hamazaraj dhe Ertel Kërçuku, kundrejt vlerës së nënshkruar prej vetëm  30.1 milionë lekë! Pra bëhet një shitje në një shumë qesharake, për një biznes që fiton dhjetëra milion euro.

Kjo është loja e radhës, në skemën për shpërndarjen e fitimeve marramendëse, mes Rama&Beqja, me klientët e tyre. Të gjitha këto dhe shumë fakte ende të pabëra publike, tashmë janë sistemuar në “Dosjen PPP”.

SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco