Dosjet e ish-sigurimit/ 13 deputetë të spiunuar ose informatorë…

Dosjet e ish-sigurimit/ 13 deputetë të spiunuar ose informatorë…

08:28, 18/03/2018
A+ Aa A-

Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka verifikuar 821 zyrtarë apo kandidatë për zyrtarë, për lidhjet të mundshme me strukturën famëkeqe sekrete të regjimi komunist apo edhe si subjekte që janë spiunuar nga të tjerët.

Autoriteti për hapjen e dosjeve ka konfirmuar se nga 795 figura të verifikuara, 13 prej tyre kanë rezultuar me materiale në emër të tyre, si informatorë të ish-Sigurimit të Shtetit apo si të spiunuar nga të tjerët.

“Kanë kaluar në filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës rreth 821 (tetëqind e njëzet e një) kandidatë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, apo kandidatë për deputet në zgjedhjet që sapo lamë pas, në kuadër të transparencës së fushatës zgjedhore.

Mbi bazën e dokumentacionit të administruar, rezultojnë pozitiv 795 figura të verifikuara (nuk ekzistojnë dokumente të ish-sigurimit të shtetit për ta) dhe negativ 13 figura të verifikuara (figurojnë të ketë materiale në emër të tyre), nga Autoriteti, sipas nenit 29, pika 2, dhe nenit 30 të ligjit 45/2015”, ka sqaruar Autoriteti, raporton shqiptarja.com.

Në listën e zyrtarëve që janë verifikuar për pastërtinë e figurës katër janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. “Katër është numri i deputetëve të cilët kanë kërkuar informacion nga Autoriteti nëpërmjet paraqitjes së një kërkese individuale, lidhur me ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për ta, në funksion të verifikimin të figurës së pastërtisë lidhur me vërtetimin e faktit të qenies bashkëpunëtorë apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Nga verifikimet rezulton se për të katër rastet nuk figurojnë të ketë materiale në ngarkim të tyre, e për rrjedhoje nuk figuron që të kenë qenë bashkëpunëtorë apo i favorizuar  nga ish-Sigurimi i Shtetit, sipas ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ka sqaruar Autoriteti.

Ndërkohë, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk i ka kërkuar Autoritetit që të verifikojë të kaluarën e tij, për raportet me ish-Sigurimin e Shtetit, nëse ka qenë informator apo të tjerët kanë informuar për të.

“Aktualisht nuk kemi asnjë rast të paraqitur nga gjyqtarë apo prokurorë, që të jenë drejtuar Autoritetit me kërkesë, në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të tyre përpara emërimit apo ngritjes në detyrë”, sqaron autoriteti.

Megjithatë, Autoriteti ka verifikuar kandidatët për anëtarë të organeve të reja të gjyqësorit, ky katër prej tyre kanë rezultuar bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.

“Gjithsesi vlen për tu theksuar, se kemi kryer: procedurën e vlerësimit të cilësive etiko-morale të kandidatëve,  për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Vetingu (lista me 197 emra kandidatësh), procedurën e vlerësimit të cilësive etiko morale të  51 (pesëdhjetë e një), kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga radhët e Avokatisë, nga radhët e shoqërisë civile, nga radhët e pedagogëve të fakulteteve juridike dhe shkollës së Magjistraturës, (ku për 4 prej kandidatë figuronin të kishte materiale të krijuara nga struktura të ish-sigurimit të shtetit, sipas nenit 29 pika 2 germa c, të ligjit 45/2017, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka verifikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë. “Për vitin 2017, janë zhvilluar procedurat ligjore për 2 (dy) kërkesa, të paraqitura nga subjektet zgjedhore, të regjistruara në KQZ, për zgjedhjet për deputet në Kuvend, datë 25 qershor 2017, respektivisht nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (144 numri i kandidatëve për tu verifikuar) dhe Aleanca Popullore për Drejtësi (141 numri i kandidatëve për tu verifikuar), në lidhje me ekzistencën për kandidatët për deputet të të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për qëllime të transparencës së figurës së tyre, gjatë fushatës elektorale”, sqaron Autoriteti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco