Çfarë po fsheh Edi Rama në marrëveshjen e detit me Greqinë? Letra e Metës zbulon shkeljet

Çfarë po fsheh Edi Rama në marrëveshjen e detit me Greqinë? Letra e Metës zbulon shkeljet

11:34, 20/02/2018
A+ Aa A-

Në letrën e bërë publike nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, zbulohen edhe detaje e shkelje të deritanishme nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama në lidhje me negociatat sekrete të zhvilluara me Greqinë.

Letra e Presidentit Ilir Meta, zbulon edhe detaje nga kërkesa e plotfuqisë që ka kërkuar Ditmir Bushati. Sipas asaj që shkruan Presidenti, letra e Bushatit jo vetëm që është e paqartë dhe pa objektiva konkretë, por ka edhe shkelje kushtetuese.

Ja çfarë shkruan në një pjesë të letrës së tij, Presidenti Ilir Meta:

Në pjesën hyrëse të shkresës citohet se:

 “Delitimimi i hapësirave detare me fqinjët nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe mbetet një çështje e rëndësisë prioritare për vendin tonë”.

Ndërkohë në faqen 3 të kërkesës suaj, parashtrohet se:

“Delitimimi i hapësirave detare është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh”…. “Nisur nga sa më sipër me palën greke është rënë në parim dakord për të negociuar një marrëveshje të re për të delitimuar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimi të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.

Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se:

“Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë:

Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”.

Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t’i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si “synim”, por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj.

Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet.

Në paragrafin e parafundit të faqes 4 të kërkesës suaj, citohet edhe një fakt tjetër, ku ju parashtroni se:

“Arritja e marrëveshjes do të shërbente paralelisht dhe për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor me lidhjen e Marrëveshjes për Piramidat Kufitare dhe Marrëveshjes për Zgjidhjen e Incidenteve Kufitare të cilat janë kërkuar për dekada me radhë nga pala jonë, por që nuk kanë patur reagim pozitiv të palës Greke. Kjo paketë marrëveshjesh do të zgjidhte njëherë e mirë problematikat ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojnë në të dy vendet”.

Lidhur me këtë paragraf të letrës suaj, të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozicion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje?

Për më tepër, nga shqyrtimi tërësor dhe analitik i objektit të kërkesës, konstatohet se janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit.

Gjykata Kushtetuese në pikën 82.3, ka përcaktuar një detaj të rëndësishëm që ndikon në përcaktimin e objektit konkret të negocimit.

Gjithashtu është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh.

Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera në pikën, 37, përcaktohet se :

“37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”.

Në përfundim, duke iu referuar standardit Kushtetues, të hierarkisë së zbatimit të normës, parashikuar në nenin 4, dhe 116 pika 1 të Kushtetutës, dhe mbështetur në parashikimet e pjesës arsyetuese të Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në krahasim me çfarë parashtrohen në kërkesën Tuaj, rezulton se nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet Presidentit i Republikës Autorizim për Plotfuqi.

Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të jetë i specifikuar në këtë akt që Presidenti i Republikës duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave.

Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, pasi kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e nenit 6, pika 3, germa “c”, të ligjit nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku citohet se:

 “c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.”

Për më tepër, në kërkesën e paraqitur për autorizim negociatash me palën Greke, në faqen 3, citohet se:

“Prej vitit 2014 e deri më sot janë zhvilluar disa diskutime eksploratore, në nivel diplomatik me palën greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje…”.

Në përgatitjen e qëndrimeve të palës sonë për këtë çështje janë mbajtur parasysh parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, legjislacioni ynë i brendshëm për kufijtë detar dhe analiza e brendshme”.

Nga sa më sipër, konstatohet aktivizimi edhe i instrumenteve të karakterit teknik përveçse politik në fazën përgatitore që i paraprijnë hyrjes në negociata, e për rrjedhojë dhe kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

Ndaj, është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco