FOTO/ Eurostat: Shqipëria 4 herë më shumë borxh nga vendet e BE

FOTO/ Eurostat: Shqipëria 4 herë më shumë borxh nga vendet e BE

12:01, 13/02/2018
A+ Aa A-

Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave tregojnë se Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë në Europë nga kontratat e Partneritetit Publik Privat. Sipas Eurostat, të gjitha vendet e Bashkimit Europian kanë detyrime për kontratat e PPP-ve që nuk e kalojnë nivelin 3 për qind të Prodhimit Kombëtar, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është dukshëm më e lartë dhe po rritet me shpejtësi.

Eurostat klasifikon si borxh të qeverive nga kontratat e Partneritetit Publik privat, vetëm ato raste kur qeveria paguan më shumë se 50 për qind të investimit apo kostos së shërbimit, pavarësisht nëse ajo paguhet në vite.

Me këtë klasifikim, thuajse të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, në ndërtim rrugësh, aeroportesh apo shërbime shëndetësore janë automatikisht borxh publik, pasi do të paguhen në pjesën më të madhe nga buxheti i shtetit.

Shifrat

Sipas të dhënave, në Bashkimin Europian, vendi me detyrimet më të larta kontingjente nga kontratat e Partneritetit Publik Privat është Portugalia, ku këto detyrime llogariten në 3.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Në vendin e dytë renditet Sllovakia me 3.1 për qind e PBB.

Këto janë dy vendet me nivelin më të lartë të borxhit nga PPP, ndërkohë që në vendet e tjera shifra e detyrimeve për konçesionet e dhëna është më pak se 1.6 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Por si krahasohet Shqipëria me vendet e BE. Qeveria shqiptare ka dhënë vitet e fundit një sërë kontratash Partneriteti Publik Privat, kostoja e të cilave paguhet në pjesën dërrmuese ose tërësisht nga buxheti i shtetit.

Vetëm në sektorin e shëndetësisë janë dhënë 4 kontrata, kostoja e të cilave arrin në mbi 300 milionë euro ose rreth 3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Këto kosto do të paguhen tërësisht nga buxheti i shtetit, çka i klasifikon ato si detyrime kontingjente ose borxh publik.

Së bashku me koston e skanimit të kontenierëve në dogana dhe inceneratorëve borxhi vetëm për kontratat që janë dhënë sakaq arrin mbi 6 për qind. Por kjo shifër po rritet me ritme të shpejta. Këtë vit qeveria ka nisur të firmosë kontratat e para të programit 1 miliardë euro. Kjo do e çojë automatikisht shifrën e borxhit për shkak të koncesioneve në mbi 1.5 miliardë euro ose 13 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Kjo shifër është 4 herë më e lartë se sa vendi që ka nivelin më të lartë të detyrimeve nga kontratat e PPP-vë që është Portugalia.

Zgjerimi i shpejtë i detyrimeve nga kontratat e PPP-ve ka alarmuar Fondin Monetar ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar qeverisë publikisht të përfshijë koncesionet në shifrën e borxhit, por kjo kërkesë është refuzuar.

/SYRI.net

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t13/02/2018 14:24

prandaj ketij palo km,nuk i ka mbet gje tjeter vetem te na nbyse me taksa te reja te papara,si ajo e prones,e sig.banese,,dhe tani do me nxjerre dhjam nga pleshti do taksoje edhe garazhet,dhe kushedi cfare do shpike deri ne 2021, po e lame te mbreteroje deri atehere

Sirius13/02/2018 13:48

Ky kokainethithesi i Rilindjes sikur na mburrej qe shleu borxhet. Nuk ke ci ben, ka kosto te larte kokaina.

Shto koment

Denonco