Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Ilir Meta i dërgon një letër rektorit Ali Jashari

Ilir Meta i dërgon një letër rektorit Ali Jashari

12:07, 18/11/2016
A+ Aa A-

Në kuadër të 45-vjetorit të themelimit të Universitetit “Fan S. Noli” në qytetin e Korçës, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi rektorit të këtij universitetit, z. Ali Jashari.

Në urimin e tij, Kryetari i Kuvendit shpreh vlerësimet e tij për këtë institucion arsimor, i cili është një nga më të rëndësishmit në formimin e brezave të rinj.

“Më lejoni që me rastin e festimit të 45-vjetorit të themelimit të Universitetit ‘Fan S. Noli’ të qytetit të Korçës, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik, ditët, muajt dhe vitet në vazhdim. Misioni i mësimdhënies, i edukimit dhe formimit universitar e shkencor të të rinjve është sa fisnik aq edhe i rëndësishëm. Universiteti ‘Fan S. Noli’ i qytetit të Korçës i dekoruar me titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’, e përmbush gjerësisht këtë rol, meriton emrin e shqiptarit të madh që mban, duke u kthyer në një institucion serioz të Arsimi të Lartë në Shqipëri dhe në qendër të përkushtuar të kërkimit shkencor”, - shprehet z. Meta.

Në vijim të mesazhit të tij në këtë përvjetor të themelimit, z. Meta theksoi se “45 vjet nuk janë shumë për moshën e një Universiteti në ShBA, Britani, Francë, Gjermani, por janë mjaftueshmërisht të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të vlefshme në Shqipëri, për rolin dhe kontributin që Universiteti juaj ka dhënë e vazhdon të japë, jo vetëm për qytetin e Korçës, por edhe për gjithë Shqipërinë”.

Kryetari i Kuvendit shtoi se këto vite janë vijimësi e traditës arsimdhënëse të qytetit të Korçës. “Në mozaikun e larmishëm kulturor dhe arsimor të qytetit të Korçës, roli i Universiteti ‘Fan S. Noli’ duket se është një vazhdimësi e logjikshme e ‘Mësonjëtores së Parë të Shqipes’, ‘Liceut Francez’, shkollës pedagogjike ‘Petro Nini Luarasi’. Vatra të vërteta arsimdashëse, në të cilat dhanë mësim ose studiuan figura të spikatura intelektuale të mësimdhënies dhe personalitete të shkencës, kulturës, artit, me të cilat krenohet jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria”,- thekson z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizon se universitetet japin një rol të rëndësishëm në formimin dhe krijimin e brezave, që i bëjnë ballë ndryshimeve politike dhe ekonomike.

    “Çastet e kremtimit janë logjikshëm të mbushura me emocione dhe gëzim; edhe me krenari për sa është arritur, por edhe me përgjegjësi më të madhe për të përcjellë ndër vite përvojën e çmuar të brezave e për të përmirësuar cilësinë shkencore didaktike të mësimdhënies dhe thithjen e kapaciteteve intelektuale përball sfidave të sotme dhe ato të nesërmes. Shqipëria dhe shoqëria shqiptare përballen sot, pas përmbysjeve politike, ekonomike, sociale të viteve 1990, me sfidën e madhe të ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme, të një ekonomie të shëndoshë e funksionale dhe të një të ardhme të sigurt për qytetarët e saj”, - tha z. Meta duke shtuar se: “Institucionet arsimore, veçanërisht ato të arsimit të lartë, kanë një rol parësor në këtë përballje dhe përgatitja me nivelin e duhur të njohurive shkencore dhe didaktike të të rinjve mbetet një detyrim parësor që e kërkon shoqëria sot dhe e ardhmja e saj nesër. Në sfidën e vështirë të kërkesë-ofertës të një shoqërie në zhvillim, në përballjen e dijes me ekonominë e tregut dhe me nevojat në fushën e politikë, të ekonomisë, të sigurisë, të bujqësisë, të shëndetit, të mirëqenies sociale, të shkencës, artit dhe kulturës në Shqipëri, misioni i Universitetit ‘Fan S. Noli’ të qytetit të Korçës dhe i të gjitha universiteteve shqiptare është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm”.

    Meta bën me dije se Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë nisma për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit me institucionet më të rëndësishëm të arsimit të lartë në Shqipëri, me qëllim, jo vetëm rritjen e transparencës parlamentare, por edhe shfrytëzimin e kapaciteteve të tyre intelektuale dhe shkencore në proceset ligjore dhe politike të Kuvendit të Shqipërisë.

    “Unë do të jem shumë i lumtur që kjo nismë të kurorëzohet me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit edhe me Universitetin ‘Fan S. Noli’ të Korçës. Në këtë ditë të shënuar për Universitetin tuaj dhe për qytetin e Korçës më lejoni t’ju urojë edhe një herë vazhdimësi të suksesshme në misionin tuaj të vështirë, por jo të pamundur, atë të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes të brezave të rinj, të aftë dhe të gatshëm për t’i shërbyer me përkushtim zhvillimit të ekonomisë dhe emancipimit të shoqërisë sonë në proceset e pakthyeshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - thekson z. Meta ndër të tjera në mesazhin e tij të urimit.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco