Gara për kreun e FSHF/Rama angazhon kryebashkiakët e PS pro Finos...

Gara për kreun e FSHF/Rama angazhon kryebashkiakët e PS pro Finos...

21:42, 19/01/2018
A+ Aa A-

Mesnatën e së enjtes është mbyllur afati i dorëzimit të dokumentacioneve për Asamblenë Zgjedhore të Federatës shqiptare të Futbollit.

Asambleja do të mbahet më 7 shkurt dhe në garë për postin e Presidentit të Federatës janë zyrtarisht 3 kandidatë: kreu aktual Armand Duka, i propozuar nga 13 anëtarë, deputeti socialist Bashkim Fino, i propozuar nga 2 anëtarë, Lushnja dhe Flamurtari dhe ish-arbitri, Shpëtim Hala, i propozuar nga Delvina.

Kjo garë ka sjellë një futje të fortë në lojë të kryetarëve të Bashkive, që janë presidentë klubesh dhe nga 66 anëtarë që ka Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit, 25 janë kryetarë bashkish.

Por të paktën 15 prej tyre, janë kryetarë bashkish që kanë rimarrë të drejtën e votës, të cilën ia kishin deleguar deri më sot sponsorëve, apo shefave të klubeve dhe që të 15-të janë kryetarë bashkish të majta.

Por rimarrja e të drejtës së votës ka çuar në raste si ai i Bashkisë së Elbasanit, e cila edhe pse nuk ka më asnjë aksion te klubi i futbollit, që i është shitur një grupi anglez, ka dërguar në Federatë emrin e tij n/kryetarit për sportet,  Altin Kovaçi për të votuar.

Kurse kryetarja e Bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani është treguar bujare me shefin e klubit Edmond Hida, duke i dhënë në këtë periudhë të vitit lejen e zakonshme, ndaj në 7 shkurt do të vijë vetë të votojë, raporton TCH.

Rast i veçantë është edhe ai i Bashkisë së Maliqit, ku kryetari Gëzim Topçiu jo vetëm që do të vijë për të votuar për klubin e tij, por ka kërkuar që vota e tij të përfshijë edhe Pojanin, anëtar më vetë i Asamblesë, por që me ndryshimet e reja administrativo-territoriale, është shndërruar në njësi administrative të Maliqit.

Kërkesat, sado të çuditshme që duken,  janë protokolluar. Vendimin se kush do të votojë do ta marrë Komisioni Verifikimit të Mandateve të Asamblesë Zgjedhore.  

Për Komitetin Ekzekutiv të Federatës,  klubet kanë propozuar edhe emra të njohur për publikun e gjerë, si ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, propozim i Partizanit, ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj,  propozim i  Bylisit, apo ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës, Eduard Prodani, i propozuar nga Tepelena.

Një detaj tjetër është mbërritja të premten në zyrat e Federatës të një oficeri të policisë gjyqësore, që kërkoi vënien në dispozicion të dokumentacionit të Federatës në lidhje me anëtarët e Asamblesë.

Të martën, Presidenti i ekipit të Flamurtarit bëri një kallëzim në Prokurori për anëtarët fiktivë të Asamblesë.

Klubi i Flamurtarit është një nga dy propozuesit e kandidaturës së Bashkim Finos.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco