Kryeprokurori i përkohshëm/ Garës i shtohet edhe një prokurore, e paditur në 2008 nga Ministria e Drejtësisë...

Kryeprokurori i përkohshëm/ Garës i shtohet edhe një prokurore, e paditur në 2008 nga Ministria e Drejtësisë...

19:33, 11/12/2017
A+ Aa A-

Një tjetër emër i është shtuar garës për postin e Kryeprokurorit të përkohshëm, pas përfundimit të mandatit në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Adriatik Llallës. Pas depozitimit të kërkesës për të garuar nga prokurorët Ferdinand Elezi dhe Xhemal Saliaj, garës i është bashkuar edhe Arta Marku, prokurore në Shkodër, e cila gjithashtu garon për një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Marku, mësohet se është një propozim i kreut të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, ndërsa ajo ka një eksperiencë 15 vjeçare në prokurorinë shqiptare. 41-vjeçarja nga Puka ka përfunduar studimet në vitin 1999, ndërsa shkollën e Magjisraturës në 2001-in. Referuar të dhënave në karrierën e saj si prokurore në Shkodër, Marku nuk ka pasur në dorë asnjë dosje të rëndësishme.

Mësohet se bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë, Shkodër dhe Kukës.

Emri i Arta Markut renditet ndër 68 emrat e parë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që do t’i nënshtrohen vetingut.

Kallzimi penal nga Ministria e Drejtësisë

Në vitin 2008, Arta Marku ishte një ndër prokuroret për të cilat Ministria e Drejtësisë, depozitoi kallzim penal, ndërsa ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Ka qenë një kontroll i ushtruar nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë të asaj kohe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në Gjykatën e Apelit Shkodër me objekt verifikimin e fakteve mbi gjykimin, dënimin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit padrejtësisht në burg të të dënuarit Arben Ndoja për 2 muaj e 13 ditë.

Drejtoria e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë bazuar në Urdhrin nr. 3318, datë 05/05/2008 të Ministrit të Drejtësisë dhe në nenin 6 të Ligjit nr. 8678, datë 14/05/2001 Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë?ka ushtruar kontroll në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në Gjykatën e Apelit Shkodër. Objekt i këtij kontrolli ka qenë verifikimi i fakteve mbi gjykimin, dënimin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në burg të të dënuarit Arben Ndoja.

Drejtoria e Inspektimit në përfundim të procedurës administrative të kontrollit paraqiti rezultatet e këtij kontrolli në raportin përkatës, në përfundim të të cilit nxirrte edhe konkluzionet se:  i dënuari Arben Ndoja ka qëndruar padrejtësisht në burgim për 2 muaj e 13 ditë dhe se; Prokurori i Gjykatës së Apelit Shkodër Brahim Dragjoshi dhe prokurorja e Gjykatës së Rrethit Shkodër Arta Marku, e ngarkuar me ekzekutimin të vendimeve penale nuk kanë zbatuar Kreun III të Urdhrit nr. 72, datë 01/03/2004 ?Për ekzekutimin e vendimeve penale dhe mbikëqyrjen e vuajtjes së dënimit me burgim? të lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm.

Gjithashtu mësohet se, këta dy prokurorë nuk kanë zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitat e Ligjit nr. 8331, datë 21/04/1998 ?Për ekzekutimin e vendimeve penale?.

Në përfundim të kontrollit, duke analizuar faktet e paraqitura në këtë raport kontrolli, Ministri i Drejtësisë arrin në konkluzionin se janë zbuluar fakte që përbëjnë veprat penale: të heqjes së padrejtë të lirisë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal; të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe; të kryerjes së veprimeve arbitrare të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.

Meqë të tria këto vepra penale, në interpretim të nenit të Kodit të Procedurës Penale, ndiqen kryesisht, Ministri i Drejtësisë paraqiti kallëzim penal te prokuroria e Rrethti të Shkodrës, duke vënë në dijeni edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Burime nga Ministria e Drejtësisë, saktësuan se ky veprim i Ministrit të Drejtësisë, u ndërmor bazuar në nenin 281 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se, ?Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori?.

Më tej të njëjta burime të Ministrisë së Drejtësisë shtuan se ky kallëzim penal strukturohet sipas kritereve formale të përcaktuar në nenin 281 pika 4 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilin parashikohet se, kallëzimi përmban elementët thelbësorë të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit?.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco